Politike
Debate për hartën e re territoriale, Këlcyra voton kundër draftit të qeverisë
Drafti i qeverisë për riorganizimin territorial ka nisur të shqyrtohet nga njësitë e qeverisjes vendore, ndërsa në disa bashki kanë nisur të shprehen qëndrimet e para lidhur me propozimet për bashkime administrative.
Këshilli Bashkiak i Këlcyrës ka votuar unanimisht kundër propozimit për bashkimin e kësaj bashkie me Bashkinë e Përmetit. Në mbledhjen e jashtëzakonshme, të 15 anëtarët e këshillit votuan kundër draftit, duke kërkuar që Këlcyra të vijojë të funksionojë si bashki më vete.
Ndërkohë, në Bashkinë Klos ka nisur diskutimi për draftin, i cili parashikon bashkimin e saj me Bashkinë Mat. Kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, ka deklaruar se përpara marrjes së një qëndrimi do të zhvillohen dëgjesa publike me banorët dhe se vendimi i saj do të reflektojë vullnetin e qytetarëve.
Procesi i riorganizimit territorial vijon në fazën e konsultimeve, ndërsa propozimet e qeverisë pritet të diskutohen edhe në bashki të tjera.