Connect with us

Kronike

Debati për paratë përfundoi me vrasje e biznesmenit? Zbulohet lidhja familjare mes Ruçit dhe Voglit

Detaje të reja kanë dalë nga konflikti i rëndë i 7 majit në Sarandë, që përfundoi me vrasjen e pronarit të karburantit dhe kryetarit të shoqatës “Çamëria”, Rexhep Ismaili, si dhe plagosjen e 31-vjeçarit Kostandin Vogli. Sipas dëshmive të dhëna, në qendër të konfliktit dyshohet të ketë qenë një debat për pagesat e punës mes Voglit dhe tezes së tij, bashkëshortes së Viktor Ruçit.

Viktor Ruçi ka deklaruar: “Unë të qartësoj se shtetasi Kostandin Vogli është nipi i bashkëshortes sime. Bashkëshortja ime ka punuar te restoranti i Kostandinit, në vendin e quajtur Krorëz. Në përfundim të sezonit, pas llogarive, është debatuar për një sasi të hollash, pasi nuk i kishin bërë llogaritë mirë dhe ka qenë një konflikt midis nipit dhe tezes së tij”.

Pak orë para ngjarjes tragjike, Ruçi dhe Vogli janë përballur rastësisht pranë një marketi, takim që sipas dëshmive vetëm sa rriti tensionin mes tyre.

Kostandin Vogli ka treguar: “Në vendin e quajtur ‘Lokali i Mishit’ kam ndaluar dhe kam marrë paketë cigare. Kur kthehem te makina, shikoj në brendësi burrin e tezes, Viktor Ruçi. Mentalisht u stepa dhe i kam thënë: ‘Dil nga makina, të kam ndonjë borxh?’. Në ato momente më ka dhënë çelësin e makinës dhe më thotë: ‘Ik pak më lart që të sqarohemi’”.

Ndërsa Viktor Ruçi ka versionin e tij: “Shikoj që ai u shtang nga prania ime dhe i them: ‘Mos u tremb, se dua të sqarohem’. Ai më thotë: ‘Dil nga makina, nuk dua të sqarohem’. Unë i them që kam diçka për të sqaruar dhe i kërkova të pimë një kafe”.

Pas këtij takimi, situata agravoi. Sipas dëshmisë së Voglit, ai mori vëllain dhe persona të tjerë dhe u nisën drejt vendit ku ndodhej Ruçi, ndërsa me vete kishin marrë edhe shkopinj.

“Kam marrë vëllain tim Margaritin dhe mora 3 shkopinj, dhe me makinën tip ‘Porsche’ jemi nisur për në Gjashtë për të takuar Viktorin”, deklaron Vogli.

Më tej ai rrëfen momentet kur konflikti doli jashtë kontrollit: “Aty kam zbritur bashkë me vëllain, me shkop në dorë, dhe e kam sharë dhe goditur me shkop. Në përleshje e sipër dëgjova një të bërtitur: ‘Nori, kallash!’”.

Edhe Viktor Ruçi përshkruan momentet e përplasjes: “Vijnë dy makina para lokalit dhe shikoj që nga makina e parë del Kostandini me vëllain Margaritin dhe u drejtuan drejt tavolinës me shkopinj në dorë. Mu drejtua mua dhe më goditi me shkop. Në atë moment kam parë një person të tretë me pistoletë në dorë dhe ma drejtoi”.

Sipas hetimeve paraprake, gjatë konfliktit Rexhep Ismaili është futur në lokal dhe ka dalë me kallashnikov, duke qëlluar disa herë, ndërsa nga të shtënat mbeti i plagosur Kostandin Vogli. Më pas, autori i dyshuar Lulëzim Tabaku dyshohet se ka qëlluar Ismailin me plumb në kokë, duke i shkaktuar vdekjen.

Pas ngjarjes, personat e përfshirë janë larguar me shpejtësi nga vendi i krimit, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të roleve dhe dinamikës së konfliktit.

Advertisement