Connect with us

Aktualitet

Defekti elektrik bllokon imbarkimin e pasagjerëve në traget në Portin e Vlorës

Qindra pasagjerë dhe mjetet e tyre janë bllokuar në Portin e Vlorës për shkak të një defekti në rrjetin elektrik. Bëhet me dije se janë rreth 700 pasagjerë dhe 180 automjete që presin të imbarkohen në tragetet e linjës, por mungesa e energjisë ka bllokuar punën.

Prej më shumë se një ore, në zonë mungon energjia elektrike dhe për pasojë janë krijuar vonesa dhe radhë të gjata pritje në sportelet e Policisë Kufitare, pasi nuk mund të përpunohen të dhënat e udhëtarëve.

Paraprakisht, bëhet me dije se ndërprerja e energjisë është shkaktuar nga një defekt i krijuar gjatë punimeve që po kryhen nga ujësjellësi në zonën pranë portit.

Kjo ka bërë që procesi i përpunimit të të dhënave të udhëtarëve dhe imbarkimi në tragetet e linjës që nisen nga Vlora të bllokohet plotësisht. Qindra pasagjerët, ku përfshihen familje me fëmijë të vegjël dhe të moshuar, presin rikthimin e energjisë.

Shërbimet e Ujësjellës-Kanalizimeve në Vlorë dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes kanë bërë me dije se po punojnë për riparimin e defektit sa më shpejt, në mënyrë që pasagjerët të nisen sa më parë drejt Italisë.

Advertisement