Aktualitet
Dëmtimi i bizneseve nga studentët, pronarët e tyre ‘përplasen’ me shtetin
Mbi 15 filiale të bankave të nivelit të dytë janë dëmtuar gjatë tri ditëve të protestave, ndërsa pasojat janë ndier edhe në ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Dëmtimi i ambienteve dhe i bankomatëve ka sjellë kufizime në aktivitetin e disa degëve, duke vështirësuar kryerjen e veprimeve të përditshme bankare.
Pamjet nga një prej filialeve të dëmtuara tregojnë një bankomat të shkatërruar, ndërsa qytetarët përballen me pritje më të gjata dhe vështirësi për të aksesuar shërbimet. Disa prej tyre shprehen të shqetësuar për dëmtimin e bizneseve dhe kërkojnë masa më të forta për mbrojtjen e pronës private.
“Katastrofale, pse goditet ekonomia”, shprehet një qytetar, ndërsa një tjetër thekson se dëmtimet kanë ndikuar drejtpërdrejt në shërbimet e përditshme dhe kërkon shtim të pranisë policore.
Shqetësime kanë ngritur edhe punonjësit e sigurisë në bankat e dëmtuara. Sipas dëshmive të tyre, gjatë episodeve të dhunës janë bërë njoftime për ndihmë, por ndërhyrja e policisë nuk ka mbërritur në kohën e pritur. Një prej punonjësve tregon se ka aktivizuar butonin e emergjencës dhe ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, por në vendngjarje kanë mbërritur vetëm kolegët e kompanisë private të sigurisë.
“Kam shtypur butonin e panikut dhe nuk më erdhi asnjë, bëmë kërkesë edhe për ndihmë nga policia, s’pati prezencë të tyre. Kam ngelur vetëm për momentin. Veç më erdhën forcat tona private, por ishte thyer gjithçka”, rrëfen punonjësi.
Dëmet materiale dhe shqetësimet për sigurinë kanë bërë që disa biznese të marrin masa shtesë për mbrojtjen e ambienteve të tyre. Ndërkohë, dëmtimi i filialeve bankare ka ngritur pikëpyetje për vazhdimësinë e shërbimeve dhe reagimin e institucioneve për mbrojtjen e aktivitetit ekonomik gjatë protestave.
Për situatën ka reaguar edhe Delina Ibrahimaj, e cila ka konfirmuar se janë dëmtuar më shumë se 15 filiale bankash. Ajo ka garantuar qytetarët se depozitat e tyre janë të sigurta dhe se sistemi bankar shqiptar mbetet i mirëkapitalizuar dhe nën mbikëqyrje.
“Mbi 15 filiale bankash janë dëmtuar nga aktet e dhunës së ditëve të fundit, duke goditur hapësirat ku qytetarët marrin pagat, kryejnë transaksione dhe përmbushin detyrimet e tyre të përditshme. Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët se depozitat e tyre janë të sigurta. Sistemi ynë bankar është i shëndoshë, i mirëkapitalizuar dhe i mbikëqyrur”, deklaroi Ibrahimaj.
Ndërsa siguria e depozitave mbetet e garantuar sipas deklaratës së saj, dëmtimi i degëve dhe kufizimi i shërbimeve ngrenë një tjetër çështje: mbrojtjen e bizneseve dhe reagimin e strukturave përgjegjëse në raste emergjence. Përfaqësuesit e bizneseve kërkojnë më shumë siguri në zonat me aktivitet ekonomik, ndërhyrje në kohë ndaj njoftimeve për rrezik dhe masa që parandalojnë përsëritjen e dëmeve të tilla.