Aktualitet
Dhimbja e pensionistëve, pensionet nuk iu dalin për ilaçe, faturat të papërballueshme
Për shumë pensionistë shqiptarë, përballimi i shpenzimeve shëndetësore dhe medikamenteve mbetet një nga sfidat kryesore të përditshmërisë. Një pjesë e madhe e të ardhurave mujore shkon për barna, ndërsa shumë të moshuar detyrohen të mbështeten te familjarët për të përballuar kostot e trajtimeve.
Të dhënat u bënë publike në emisionin “Diagnozë” nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, ku dr. Romina Radonshiq, doktore e shkencave në ekonomi, prezantoi gjetjet mbi vështirësitë e pensionistëve në aksesin ndaj kujdesit shëndetësor.
Sipas saj, pensionistët janë ndër grupet më të prekura, pasi për shkak të moshës dhe sëmundjeve kronike kanë nevojë të vazhdueshme për medikamente.
“Pjesa më e madhe e pensionit shkon për konsum dhe për medikamente. Pensionistët janë më vulnerabël për shkak të sëmundjeve dhe nevojës për kujdes të vazhdueshëm shëndetësor”, u shpreh Radonshiq.
Sipas të dhënave të prezantuara, rreth 80% e pensionistëve kërkojnë zgjerimin e listës së barnave të rimbursueshme, pasi çmimet e larta të medikamenteve e bëjnë të vështirë përballimin e trajtimeve.
Një tjetër problem i evidentuar është varësia nga ndihma e familjes. Rreth 80% e pensionistëve deklarojnë se marrin mbështetje financiare nga fëmijët, ndërsa 40% kanë kaluar situata të vështira ku kjo ndihmë ka qenë e domosdoshme për të përballuar shpenzimet shëndetësore.
Vështirësitë janë edhe më të mëdha në zonat rurale, ku të moshuarit përballen me mungesë shërbimesh pranë banesës dhe kosto shtesë për udhëtimet drejt qyteteve për kontrolle mjekësore.
Sipas Radonshiq, pensioni mesatar në zonat rurale është rreth 11 mijë lekë të reja, ndërsa mungesa e aksesit të afërt në shërbime shëndetësore rëndon më tej situatën ekonomike të të moshuarve.
Një nga zgjidhjet e propozuara është krijimi i një linje telefonike falas 24 orë me mjekë, ku pensionistët të mund të marrin këshillim dhe orientim për problemet shëndetësore. Sipas të dhënave, mbi 90% e pensionistëve e konsiderojnë një shërbim të tillë shumë të nevojshëm.
Ekspertja thekson gjithashtu nevojën për më shumë staf mjekësor, veçanërisht në zonat rurale, si dhe për një rol më aktiv të familjeve në mbështetjen e të moshuarve.LAJMI