Kronike
Dhimbje pa fund/ Lamtumira e fundit për Edison Xhakën dhe Aleksandër Toçilën
Pak ditë pas aksidentit tragjik me motor në ishullin e Kretës, ku humbën jetën dy të rinjtë shqiptarë Edison Xhaka dhe Aleksandër Toçila, trupat e tyre janë nisur drejt Shqipërisë për t’u përcjellë në banesën e fundit.
Shoqata Shqiptare Kisamo “Kastel” bëri të ditur se trupi i Aleksandër Toçilës u nis nga porti i Sudas drejt Shqipërisë, ndërsa ai do të prehet në vendlindjen e tij, në Gramsh. Në një mesazh ngushëllimi, shoqata u bëri thirrje bashkatdhetarëve t’i japin lamtumirën e fundit të riut dhe shprehu ngushëllimet për familjen, të afërmit dhe miqtë e tij.
Ndërkohë, trupi i Edison Xhakës është dërguar në Njësinë Administrative Zavalinë, në Elbasan, ku do të prehet në vendlindjen e tij. Sipas informacioneve, ceremonia mortore për Edisonin zhvillohet këtë të diel, ndërsa për Aleksandër Toçilën ende nuk është konfirmuar data dhe ora e varrimit.
Humbja e dy të rinjve ka prekur thellë familjarët, miqtë dhe mbarë komunitetin shqiptar, duke shkaktuar reagime të shumta dhimbjeje pas tragjedisë që i mori jetën të dyve në Greqi.
Ntv.al i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve Xhaka dhe Toçila për humbjen e rëndë të njerëzve të tyre të dashur.