Connect with us

Politike

Dhuka i përgjigjet Serbisë për Ibërin: Uji nuk mund të shndërrohet në presion politik

Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë, Majlinda Dhuka, i është përgjigjur deklaratave të ministrit serb për Integrimin Evropian, Nemanja Starović, në lidhje me Kosovën, lumin Ibër dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Dhuka ka kundërshtuar interpretimin e Starović për Rezolutën 1244, duke argumentuar se dokumenti nuk rivendosi sovranitetin serb mbi Kosovën, por vendosi administrimin ndërkombëtar dhe krijoi një proces politik për përcaktimin e statusit të saj.

Sipas Dhukës, Rezoluta 1244 nuk e paracaktoi rezultatin e këtij procesi. Ajo iu referua gjithashtu opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, e cila arriti në përfundimin se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

“E drejta ndërkombëtare nuk bëhet më e leverdishme duke u cituar me zgjedhje”, deklaroi Dhuka, duke kritikuar atë që e cilësoi si interpretim selektiv të dokumenteve ndërkombëtare nga pala serbe.

Në reagimin e saj, kryenegociatorja shqiptare hodhi poshtë gjithashtu narrativat për “Shqipërinë e Madhe” dhe “Serbinë e Madhe”, duke theksuar se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë dhe se synimi duhet të jetë integrimi i vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

Dhuka u ndal edhe te dialogu Kosovë-Serbi dhe Marrëveshja e Brukselit, duke theksuar se Shqipëria mbështet trajtimin e çështjeve të dakordësuara, përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, në kuadër të dialogut dhe në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.

Por pika kryesore e reagimit të saj ishte sërish lumi Ibër. Dhuka tha se debati kishte nisur nga deklaratat për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit dhe se Shqipëria kundërshton përdorimin e ujit si instrument presioni politik.

“Ibri duhet të mbartë ujin, jo pakënaqësi gjeopolitike”, u shpreh Dhuka.

Reagimi i plotë:

Më ndjeni për ndërhyjen, por, duke qenë se jam pashmangshmërisht juriste, nuk mund të rri “duarkryq” teksa shoh nevojën e qartë për një rifreskim të kujtesës, ndërkohë që kolegu im, Ministri i Serbisë për Integrimin Evropian tani sjell metaforën e kështjellës prej rëre në një diskutim që nisi mbi një lumë.

Metaforë e këndshme, me një të metë të vogël strukturore: ajo mbështetet mbi një lexim aq selektiv të Rezolutës 1244, saqë bëhet dhe vetë porsi një kështjellë prej rëre.

Pra, për ta kujtuar:

Rezoluta 1244 nuk rivendosi sovranitetin serb mbi Kosovën. Ajo vendosi administrimin ndërkombëtar, largoi Forcat e Sigurisë Serbe, krijoi një proces të veçantë politik për statusin e ardhshëm të Kosovës dhe, ç’është më thelbësore, nuk e paracaktoi rezultatin e atij procesi.

Kjo është arsyeja pse, kur vetë Serbia e pyeti Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nëse deklarata e pavarësisë së Kosovës shkelte të drejtën ndërkombëtare, Gjykata u përgjigj se nuk e shkelte.

Dikujt mund të mos i pëlqejë kjo përgjigje. Mund të kalojnë edhe një apo dy breza duke debatuar mbi të. Por, e drejta ndërkombëtare nuk bëhet më e leverdishme duke u cituar me zgjedhje, dhe historia nuk kthehet pas thjesht sepse Beogradi vazhdon të presë që ajo ta bëjë këtë.

Sa i përket integritetit territorial, të gjithë mund të biem lehtësisht dhe plotësisht dakord se kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë. Pikërisht për këtë arsye, përmendja e Ukrainës ndërsa diskutohet Kosova, nuk është thjesht një zgjedhje e papërshtatshme. Është madje një argument kundër vetvetes. Kosova nuk u aneksua. Shqipëria nuk ka absolutisht asnjë pretendim territorial ndaj Serbisë, dhe as ndonjë agjendë për ndonjë gjë “Më të Madhe”, përveç një Evrope të Madhe, me Shqipërinë, Kosovën dhe, po, edhe Serbinë, së bashku brenda saj. Le t’i lëmë fantazmat e “Shqipërisë së Madhe” dhe “Serbisë së Madhe” e të shijojmë daljen e tyre të merituar në pension.

Kosova shpalli pavarësinë pas lufte, spastrimit etnik, ndërhyrjes së NATO-s, viteve të administrimit nga OKB-ja dhe një procesi të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht për statusin e saj.

Që prej asaj kohe, ajo është njohur nga më shumë se njëqind shtete anëtare të OKB-së, përfshirë shumicën dërrmuese të anëtarëve të BE-së dhe NATO-s.

Dhe po, sigurisht që edhe Marrëveshja e Brukselit ka rëndësi. Ne nuk e vëmë atë në pikëpyetje. Ne vazhdojmë të besojmë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të trajtohet, ashtu siç duhet të trajtohen edhe detyrimet e vetë Serbisë, në kuadër të dialogut. Duke punuar ngushtë me BE-në, si kolegu im i dashur serb, ashtu edhe unë, kemi parë në jetën reale se marrëveshjet janë pak a shumë si fqinjësia e mirë: funksionojnë dukshëm më mirë kur reciprociteti nuk trajtohet si një shtesë fakultative.

Por, ka diçka pothuajse komike në faktin se sa larg kemi udhëtuar nga pika ku ky shkëmbim nisi në të vërtetë: uji.

U bë një kërcënim lidhur me rrjedhën e Ibrit. Shqipëria kundërshtoi vetë idenë se uji mund të shndërrohej në një instrument presioni politik. Nga ai parim mjaft elementar, disi kemi udhëtuar përmes Rezolutës 1244, integritetit territorial, Ukrainës, Kinës, Qipros dhe, më në fund, kemi mbërritur te kështjellat prej rëre.

Një udhëtim i gjatë për një lumë.

Prandaj, ndoshta mund t’ia lëmë kështjellat prej rëre plazhit, dhe seminaret e historisë një dite tjetër.

Ibri duhet të mbartë ujin, jo pakënaqësi gjeopolitike.

Dhe nëse vërtet duam ta ndërtojmë së bashku të ardhmen tonë evropiane, ekziston një themel ndërtimi dukshëm më i fortë se rëra:

REALITETI.

Advertisement