Connect with us

Pinknews

Dhuna ndaj Eduard Kuçit/ Prokuroria kërkon burg për Jozefin Markun

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për këngëtarin Jozefin Marku dhe Kristjan Nikollin, të dyshuar për përfshirjen në dhunimin e 26-vjeçarit Eduard Kuçi.

Burime bëjnë me dije për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, se prokurori i çështjes ka dorëzuar këtë të hënë në Dhomën Penale të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj dy të ndaluarve.

Jozefin Marku dyshohet për disa vepra penale. Aktualisht ndaj tij rëndon akuza për “Heqjen e paligjshme të lirisë”, ndërsa katër vepra të tjera penale janë ende në proces verifikimi nga grupi hetimor.

Ndërkohë, Kristjan Nikolli dyshohet se ka drejtuar automjetin tip “Land Rover”, i cili dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes. Përveç veprave penale që lidhen me dhunimin e Kuçit, ndaj tij rëndojnë edhe akuzat për “Përkrahjen e autorit të krimit” dhe “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, bombave ose minave dhe të municionit”.

Gjatë kontrollit në banesën e Nikollit, policia ka sekuestruar një sasi municioni. Gjithashtu, është sekuestruar edhe automjeti “Land Rover”, i cili dyshohet se është përdorur në ngjarjen e dhunshme.

Sipas policisë, Marku dhe Nikolli dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë dhunuar Eduard Kuçin, me pretendimin se 26-vjeçari kishte fyer Jozefin Markun në rrjetet sociale.

Në kuadër të hetimit, policia ka shpallur në kërkim edhe A. H., 48 vjeç, dhe K. V., 27 vjeç. Ndërkohë, vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në ngjarje.

Tashmë pritet vendimi i Gjykatës së Tiranës për masat e sigurisë. Sipas procedurës, seanca pritet të zhvillohet brenda 48 orëve nga paraqitja e kërkesës së Prokurorisë dhe do të zhvillohet me dyer të mbyllura.

Në vijim të hetimeve, Eduard Kuçi është marrë në pyetje nga policia lidhur me ngjarjen, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Advertisement