Kosova
Dialog në ajër prej dy vitesh/ Toby Vogel: Komisioni Evropian nuk ka as dëshirë e as gadishmëri
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur pezull për më shumë se dy vjet, për shkak të ngërçit politik në Prishtinë dhe zhvillimeve dramatike në Beograd. Kosova është drejtuar sërish kah zgjedhjet e reja nacionale, kurse protestat anti-qeveritare nëpër rrugët e Beogradit vazhdojnë të thellojnë çarjen në themelet e regjimit në Serbi.
Për vëzhguesit, në këtë moment nuk ekzistojnë faktorët e nevojshëm për të rifilluar dialogun Kosovë–Serbi. Dhe kjo, sipas tyre, mund t’i shërbejë edhe udhëheqësve të Bashkimit Evropian për të “mbuluar mangësitë” në dialogun Prishtinë-Beograd.
Toby Vogel, ekspert i politikës së jashtme të BE-së, përmend disa faktorë që kanë ndikuar në bllokimin e procesit, dhe disa prej tyre mund t’i atribuohen vetë BE-së. Ai thekson se një prej problemeve kryesore është mosgatishmëria e Komisionit Evropian për të hapur negociatat zyrtare të anëtarësimit me Kosovën.
Gjithashtu, ai e konsideron të gabuar edhe kursin e emisarit të ri të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Peter Sorensen, i cili nuk ka arritur të ndërmjetësojë ndonjë takim të nivelit të lartë në Bruksel mes udhëheqësve të të dyja shteteve në vitin 2025.
Ndryshe, janë shtuar zërat kritikë që kanë paralajmëruar se pa një ndryshim të kursit nga ana e BE-së, dialogu Kosovë–Serbi nuk do të shënojë progres – pa angazhim serioz nga të gjitha palët, asgjë nuk mund të ndryshojë rrjedhën aktuale të dialogut.
E përderisa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë përballë mungesës së besimit të ndërsjellë dhe pasigurive që rrethojnë Evropën, krahas ngjyrimeve të reja gjeopolitike, mbetet për t’u parë kursi i BE-së në procesin e dialogut.