✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

“Digje, digje”/ Përplasje mes policisë dhe studentëve, shoqërohen 10 persona

Studentët zhvilluan këtë të martë një protestë para Ministrisë së Arsimit, ku situata u tensionua dhe përshkallëzoi në përplasje me policinë. Në nisje të protestës, disa prej tyre hodhën vezë drejt godinës dhe përdorën sprej për të ngjyrosur muret e saj.

Më pas, protestuesit shkulën kangjellat metalike dhe tulla nga trotuari, duke i hedhur në drejtim të ministrisë dhe duke thyer xhamat e dritareve. Një pjesë e tyre hyri brenda rrethimit të godinës, ku u dëgjuan edhe thirrje “Digje, digje”. Protestuesit tentuan gjithashtu të shqyenin derën metalike për të hyrë në ambientet e brendshme, ndërsa hodhën edhe flakadanë.

Policia ndërhyri duke krijuar një kordon për të kufizuar lëvizjen e protestuesve. Gjatë ndërhyrjes pati përplasje fizike, ndërsa një prej protestuesve u kap nga efektivët për t’u shoqëruar. Sipas raportimeve, deri në atë moment kishte disa shoqërime, por numri i saktë nuk ishte bërë publik. Raportohej gjithashtu për arrestimin e një protestuesi.

Situata u rëndua më tej me ndërhyrjen e autobotit të ujit, i cili përdori presionin e ujit për të shpërndarë turmën. Gjatë protestës, një protestuese u pa e lënduar dhe me gjak në kokë. Sipas raportimeve, protestuesit u ndanë në dy grupe: një pjesë pranë autobotit të ujit dhe pjesa tjetër e kufizuar nga kordoni policor. Gjatë përplasjeve, të rinjtë hodhën vezë edhe në drejtim të efektivëve.

Advertisement