Shkrime
DIPLOMACIA AMERIKANE NE KAPSLLEK/ WELT: MIQTE E TRUMP TRAZOJNE MARREDHENIET ME ALEATET
Disa prej ambasadorëve të emëruar nga presidenti amerikan Donald Trump janë përfshirë në një seri polemikash diplomatike në vendet ku shërbejnë, shkruan gazeta gjermane “Welt”, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e përzgjedhjes së tyre dhe përvojën diplomatike.
Sipas “Welt”, administrata Trump ka zgjedhur në një numër rastesh miq, donatorë dhe njerëz të afërt me presidentin për poste ambasadorësh, ndërsa dhjetëra përfaqësi amerikane në botë ende nuk kanë një ambasador të konfirmuar nga Senati.
Gazeta gjermane citon të dhëna të American Foreign Service Association, sipas të cilave 92 përfaqësi diplomatike amerikane nuk kanë aktualisht një drejtues të emëruar me miratimin e Senatit. Ndër to përfshihen vende strategjike si Ukraina, Rusia, Gjermania dhe disa shtete të Lindjes së Mesme.
Por vëmendjen e “Welt” e tërheqin veçanërisht rastet ku ambasadorët e rinj janë përfshirë në përplasje publike me autoritetet vendase.
KINA – DEKLARATA QË DETYROI UASHINGTONIN TË REAGONTE
Një prej rasteve të përmendura është ambasadori amerikan në Pekin, David Perdue.
Sipas “Welt”, Perdue deklaroi në Fox News se Donald Trump i kishte ofruar presidentit kinez Xi Jinping mundësinë për të blerë armë amerikane gjatë vizitës së tij në Uashington.
Deklarata solli reagimin e Departamentit amerikan të Shtetit, i cili mohoi se ekzistonte një plan për shitjen e armëve Kinës.
Vetë Trump, i pyetur për këtë çështje, deklaroi se nuk kishte dijeni për një ofertë të tillë.
GREQIA – POLEMika PËR KIMBERLY GUILFOYLE
Në Greqi, në qendër të vëmendjes është ambasadorja amerikane Kimberly Guilfoyle, ish-partnerja e Donald Trump Jr.
“Welt” rikthen në vëmendje deklarata të saj të vitit 2015, gjatë krizës së borxhit grek, të cilat shkaktuan reagime në opinionin publik grek.
Por sipas gazetës gjermane, polemika është rikthyer së fundmi pas një raportimi të “Wall Street Journal”, sipas të cilit Guilfoyle gjatë një darke kishte kërcënuar me mundësinë e rrëzimit të qeverisë greke.
Avokatët e saj e kanë kundërshtuar këtë version të ngjarjes.
ITALI – PROTESTA KUNDËR AMBASADORIT
Edhe ambasadori amerikan në Itali, biznesmeni Tilman Fertitta, është përfshirë në polemika.
“Welt” shkruan se në korrik pati protesta në Venecia kundër tij, pas një vizite që ambasadori zhvilloi me superjahtin e tij 117 metra të gjatë.
Fertitta, i cili u emërua nga Trump në vitin 2025, është një biznesmen miliarder dhe, sipas raportimit, kishte organizuar udhëtimin në kuadër të aktiviteteve për 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara.
FRANCË – PËRPLASJA ME PARISIN
Në Francë, ambasadori amerikan Charles Kushner është përfshirë gjithashtu në një përplasje diplomatike.
Sipas “Welt”, Ministria e Jashtme franceze e ka thirrur dy herë për shpjegime, fillimisht pas kritikave të tij ndaj vendimit të presidentit Emmanuel Macron për njohjen e Palestinës dhe më pas pas një paralajmërimi amerikan për rritjen e “ekstremizmit të dhunshëm të krahut të majtë” në Francë.
Përplasja shkoi deri aty sa autoritetet franceze i kufizuan ambasadorit kontaktet me anëtarët e qeverisë.
BELGJIKË – AMBASADORI PËRBALLË MINISTRIT
Edhe ambasadori amerikan në Belgjikë, Bill White, sipas “Welt”, është përballur me reagimin e autoriteteve vendase.
White kishte akuzuar Belgjikën për “ngacmim të papranueshëm të komunitetit hebre”, ndërsa ministri i Jashtëm belg Maxime Prévot i kundërshtoi publikisht deklaratat.
Një tjetër përplasje ndodhi më vonë, pas një postimi të ambasadorit në Instagram, ku publikoi një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale që përfshinte ministrin belg të Shëndetësisë.
Sipas “Welt”, këto raste kanë ushqyer debatin nëse përzgjedhja e ambasadorëve politikë, ku besnikëria ndaj presidentit mund të ketë peshë të madhe, po sjell pasoja në diplomacinë amerikane.
Gazeta gjermane e vendos këtë situatë në kontekstin e politikës së Trumpit për emërimet diplomatike, duke vënë në dukje se presidentët amerikanë kanë përdorur tradicionalisht ambasadoritë edhe për të shpërblyer mbështetës dhe donatorë politikë, por sipas analizës së cituar nga “Welt”, në administratën aktuale kjo prirje është veçanërisht e theksuar.