Connect with us

Bota

Do presë vdekjen në burgun e Hagës/ Gjykata refuzon kërkesën e kasapit Ratko Mlladiç

Mekanizmi Ndërkombëtar për Tribunalet Penale, gjykatë e Kombeve të Bashkuara e cila trajton rastet që kanë mbetur të papërfunduara nga Tribunali Ndërkombëtar për krime lufte në ish-Jugosllavi, ka hedhur poshtë kërkesën e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Serbe, Ratko Mlladiç, për lirimin e tij për shkak të shëndetit të dobët.

Pavarësisht se kryetarja e gjykatës, Graciela Gatti Santana, pohoi se Mlladiçi është “në prag të vdekjes” për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, ajo argumentoi se njësia e paraburgimit të OKB-së ofron kujdes mjekësor të cilësisë së lartë.

Mlladiç, i cili është duke e vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocidin e kryer kundër popullsisë boshnjake të Bosnjë dhe Hercegovinës në vitin 1995, së fundmi ka pësuar sulm në tru. Megjithatë, gjykata vlerësoi se kushtet në spitalin e burgut mundësojnë rehatinë maksimale të të dënuarit pa e përkeqësuar situatën e tij shëndetësore.

“Nuk ka asnjë trajtim shtesë të disponueshëm diku tjetër që nuk është i disponueshëm në Holandë”, thuhet në vendimin e fundit të Santanas, i cili sugjeron se krimineli që urdhëroi masakrimin e mijëra civilëve në Srebrenicë dhe terrorizoi për vite me radhë Sarajevën, do ta japë shpirtin brenda burgut të Hagës.

Gjykata e Hagës, gjithashtu, theksoi se 84-vjeçari përfiton nga një regjim i veçantë vizitash, që lejon kontakt të shpeshtë me familjarët, duke përfshirë mundësinë që ata të jenë pranë tij edhe në çastet e fundit të jetës.

Advertisement