Kronike
Dosja e Antimafia-SPAK/ Bisedat e koduara të trafikantëve nga Kukësi: 4-5 copa mishi, a i ke aty…!
Nga Elton Qyno
Një përgjim ambiental i datës 24 korrik 2024, i kryer nga skuadrat operacionale të Prokurorisë së Barit, hedh dritë mbi mënyrën e komunikimit përmes kodeve mes trafikantëve të drogës.
Lënda narkotike në bisedat e zhvilluara cilësohej si “mish”. Madje, sipas komunikimeve, mishi duhet të ishte nga “…ai i Kukësit…”.
Një bisedë e kësaj natyre është zhvilluar mes njërit prej anëtarëve të grupit, i quajtur Shkëlzen Daci, i cili flet me Ergys Kastratin alias “Daja”, duke u interesuar për një sasi 4 apo 5 kg mish nga ai i cilësisë së Kukësit.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga gazetari Elton Qyno, identifikimi i Shkëlzen Dacit në këtë çështje penale është kryer nëpërmjet njohjes së zërit nga ana e përkthyeses së gjuhës shqipe, e cila më parë ishte zgjedhur për të kryer të njëjtën detyrë dhe i kalonte informacionin hetuesve në Shqipëri.
Nga analiza e përgjimeve ambientale të regjistruara në automjetet në disponueshmëri të Ergys Kastratit, dilte se ky i hetuar, thuajse në të shumtën e rasteve, apelohej me nofkën “Daja”.
Ky term përdoret në fushën kriminale për të treguar ata që mbajnë role të rëndësishme brenda një klani kriminal, ndërsa “mishi si ai i Kukësit”, i referohet qytetit shqiptar të Kukësit, në të cilin ai ka lindur.
Biseda është emblematike për shkak të lidhjes së termit “Daja” me personin Shkëlzen Daci, atëherë kur Kastrati bisedonte në telefon pikërisht me Shkëlzen Dacin, të cilin, në mënyrë kriptike, e pyeste nëse kishte substancë narkotike:
Shkëlzen Daci i thotë Ergys Kastratit në telefon: “Ehi… a të ka ngel pak mish atje ke shpia o”, duke vijuar të shtojë në bisedë se: “…po thoja… po që 4-5 kg copa mishi. I ke atje…?”.
E pasi merrte përgjigje konfirmuese nga Ergys Kastrati, Daci ka vijuar ta pyesë nëse i biri ishte aty për të bërë transportin:
“…dakord. Unë jam këtu jashtë, e ke aty çunin tat…?”.
Por pasi Shkëlzen Daci mësoi se kjo mënyrë transporti nuk mund të kryhej, ai vendosi ta takonte atë në shtëpinë e tij, pavarësisht kufizimeve të vendosura në bazë të masës së sigurisë “arrest shtëpiak”, së cilës i ishte nënshtruar në një dosje tjetër penale.
“…ec se hyj unë, hyj unë… nuk më plas k…i fare…”, duke shtuar: “…tani kaloj ke ty sa të gjej parking…”, e akoma: “…po që më jep numrin dhe i shkruaj unë. Sidoqoftë… ec, se erdha…!!”.
Një element tjetër, i cili me siguri identifikonte destinacionin e Ergys Kastratit drejt shtëpisë ku ishte mbyllur Shkëlzen Daci, doli nga aparatura GPS e instaluar në mjetin që drejtohej nga Kastrati, përmes së cilës rezultoi se makina ka ndaluar lëvizjen e saj në rrugën “Palmiro Togliatti”, në afërsi të shtëpisë ku banonte Shkëlzen Daci, në “Barletta”, në rrugën “Regina Margherita”. /Syri.net/