✦
Thinking ...
Connect with us

Shkrime

DOSJA HYSENI HAP DEBATIN PËR RAMËN/ NGA GARANCI E PLOTË, TE ARRESTI NË SHTËPI

Arresti shtëpiak i drejtores së SHISH-it, Vlora Hyseni, nuk ka hapur vetëm një çështje penale, por edhe një debat mbi përgjegjësinë politike për mënyrën se si ajo u përzgjodh në krye të shërbimit sekret shqiptar.

Nga Nju Jorku, ku ndodhej për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kryeministri Edi Rama e cilësoi çështjen e Hysenit si individuale dhe theksoi parimin e prezumimit të pafajësisë.

Rama tha se nuk do të komentonte mbi themelin e hetimit, ndërsa njoftoi edhe lirimin e Hysenit nga detyra.

“Është e pashmangshme mesa duket, që çdo hetim apo masë e marrë nga drejtësia në adresë të personave publikë, të kthehet në një motivim për të grirë mish njeriu në mexhelisin politik e mediatik dhe për të thirrur ‘litarin’ si në sheshet e ekzekutimit mesjetar, kohë përpara sesa gjykata të thotë fjalën e saj,” shkroi Rama në rrjetin social “X”.

Por reagimi i kryeministrit ka sjellë një tjetër pyetje në debatin publik: ku nis përgjegjësia politike e kryeministrit për një drejtues të një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë së vendit?

Neni 92 i Kushtetutës përcakton se propozimi për emërimin e Drejtorit të SHISH-it bëhet nga Kryeministri, ndërsa emërimi formalizohet nga Presidenti.

Avokati dhe aktivisti i shoqërisë civile, Gentian Serjani, e lidh pikërisht me këtë kompetencë përgjegjësinë politike të Ramës.

“Përgjegjësia personale e një zyrtari për veprimet e tij nuk e përjashton përgjegjësinë politike të autoritetit që e ka përzgjedhur dhe propozuar atë për një detyrë të lartë shtetërore,” tha Serjani.

Sipas tij, kryeministri duhej të kishte vlerësuar edhe elementët e mëparshëm të karrierës së Hysenit përpara propozimit të saj.

Në të njëjtën linjë, sociologu dhe analisti politik Ergys Mërtiri e sheh çështjen përtej përgjegjësisë individuale.

“Kreu i shërbimeve sekrete nuk është një pozicion çfarëdo, pasi lidhet me sigurinë kombëtare dhe këtu do të duhet të zgjidhen njerëz me nivel të lartë besueshmërie,” deklaroi Mërtiri.

Ai shtoi se rasti ngre pikëpyetje edhe për mënyrën se si funksionojnë mekanizmat e kontrollit dhe verifikimit të institucioneve të sigurisë.

“Nëse kreu i këtij institucioni rezulton në një lidhje kaq të ngushtë dhe kaq të dukshme me eksponentë të krimit të organizuar dhe askush në këtë shtet nuk di dhe nuk raporton gjë, kjo tregon se shteti në tërësi është në gjendje katastrofike,” tha Mërtiri.

Ndërsa gazetari dhe analisti politik Lutfi Dervishi e përmbledh debatin në tri pyetje: Çfarë dinte kryeministri? Çfarë duhej të dinte? Dhe çfarë bëri kur u shfaqën sinjalet?

“Drejtuesi i SHISH-it nuk vjen nga qielli. Kryeministri ka detyrimin politik të shpjegojë jo çfarë ka bërë apo nuk ka bërë penalisht Hyseni, por si ka funksionuar kontrolli dhe mbikëqyrja politike e institucionit më sensitiv të sigurisë kombëtare,” u shpreh Dervishi.

Hyseni u vendos në arrest shtëpie dhe u pezullua nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme. Sipas akuzës së Prokurorisë së Posaçme, ajo dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror ose të shërbimit.

Hetimi lidhet me dosjen ndaj biznesmenit Ergys Agasi.

Në vitin 2023, kur propozoi Hysenin për drejtimin e SHISH-it, Rama e kishte cilësuar eksperiencën dhe reputacionin e saj si “garanci të plotë”.

Sot, pas masës së arrestit dhe pezullimit nga detyra, kjo deklaratë është rikthyer në qendër të debatit.

Pyetja politike tashmë është: kush e verifikoi kandidaturën e Hysenit, si funksionuan mekanizmat e kontrollit dhe çfarë ndodhi me sinjalet që mund të kenë ekzistuar përpara emërimit të saj?

/ Burimi: BIRN

Advertisement