Connect with us

Politike

Dosja “Partizani”, ish-ministri Genc Ruli shkon në GJKKO për të dëshmuar

Në seancën e sotme në GJKKO, duke filluar nga ora 11, pritet të disa personazhe të rëndësishëm të dosjes së Aferës “Partizani”, me të pandehur Sali Berishën, Jamarbër Malltezin dhe të tjerë. Për të dëshmuar është thirrur ish ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, roli i të cilit ka qenë kryesor për privatizimin e ish kompleksit “Partizani”.
Ai ka qenë aty që ditët e para që Berisha mori pushtetin në vitin 2005 dhe së bashku me ish ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu filluan procedurat e privatizimi në kohë rekord. Një hap i rëndësishëm ishte kalimi në qeveri i ndryshimeve në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronës, duke e vendosur këtë strukturë nën kontrollin e plotë të Kryeministrit Berisha dhe duke ndryshuar disa kushtet për privatizime.
Para togave të zeza të GJKKO, Ruli do të duhet të përgjigjet se pse u desh nisja me urgjencë e procedurave të privatizimit të qendrës më të madhe sportive në zemër të kryeqytetit, me përmasa 26.000 metra katrorë, qe në fund u pagua vetëm 14.000 euro.
Ka një moment interesant në dosjen e SPAK për aferën “Partizani” që lidhet pikërisht me mënyrën se si është bërë pagesa e privatizimit. Më 17 dhjetor 2008 në mbledhje e qeverisë Genc Ruli i lavdëron Berishës një VKM për ndryshimin e metodologjisë së pagesës së vlerës së objektit, i cili më parë bëhej vetëm në lekë, ndërsa tani parashikohet të bëhet 20% në lekë dhe 80% në bono privatizimi dhe letra me vlerë. Berisha nuk ia kursen një “bravo” vartësit të tij.
Dëshmitarë të tjerë që pritet të dëshmojnë sot në gjyqin “Partizani” janë ish drejtoresha e sporteve në Ministrinë e Sportit, Violeta Shqevi, që do të japë sqarime për ndryshimet disa herë të ligjeve, Tetis Lubonja, përgjegjëse në sektorin juridik te Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të pronave, që ka deklaruar në SPAK njohjen e vjetër me Jamarbër Malltezin. Ajo së bashku me dëshmitarin tjetër të thirrur për më 8 qershor, Altin Ceni, specialist në AKKP, ishin pjesë e grupit të punës që vlerësuan të ligjshëm kthimin e ish kompleksit “Partizani” Malltezit dhe ish pronarëve të tjerë.
I fundit i thirrur nga GJKKO më 8 qershor por jo më pak i rëndësishmi është Paro Laçi, ish drejtues i Partizanit, për të cilin në dosjen e SPAK thuhet se ka dëshmuar se i është ofruar një pazar nga njerëzit e Berishës për të liruar ambientet e klubit. Në intervista televizive Laçi ka thënë se është kërcënuar nga Berisha dhe Malltezi, e madje i kanë ofruar edhe 500 mijë euro që të mbyllte gojën për këtë çështje

Advertisement