LAJMI I FUNDIT
Dreçun: S’ka kurrfarë progresi në Bruksel – Asociacioni veç me pushtet ekzekutiv
Shefi i të ashtuquajturit “Komision për Kosovën” në Parlamentin e Serbisë, Millovan Dreçun, në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, ka thënë se kurrfarë progresi nuk është arritur në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, janë thirrur në takime të ndara me shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe Emisarin Special për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pas përfundimit të takimeve që dy udhëheqësit ballkanikë kanë pasur me liderët e shteteve kryesore evropiane. Dreçun ka pretenduar se “nuk pritet” ndonjë progres në takimet intensive që palët janë duke zhvilluar në Bruksel, ndërsa ka shtuar edhe se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të ketë “pushtet ekzekutiv” dhe se shteti serb nuk do ta njoh “as de jure as de facto” pavarësinë e Kosovës. “Në takimet e ndara të liderëve evropianë nuk është arritur asnjë marrëveshje dhe po kërkohet një zgjidhje për të sjellë qëndrimet e të dyja palëve më afër njëra-tjetrës, një mundësi për të arritur një lloj progresi dhe të pajtohemi për vazhdimin e dialogut dhe zbatimin. Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, përsa i përket Serbisë dhe popullit serb në Kosovë, duhet të ketë pushtet ekzekutiv, sepse përndryshe ne nuk e pranojmë…Kjo do të thotë se ne nuk do të pajtohemi me asgjë tjetër, dhe siç ka thënë edhe presidenti Vuçiç, nuk do ta njohim as de jure as de facto shtetin e rremë të Kosovës”. Cikli i takimeve pritet të vazhdojë akoma në kryeqendren evropiane në Belgjikë në përpjekje për ripërtëritjen e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, teksa përfaqësuesit e BE-së janë të vendosur të rrisin presionin ndaj palëve për të arritur progres e për t’i ulur së bashku dy liderët në të njëjtën tryezë.