Kosova
Dronë kamikazë dhe komanda e KFOR/ Kosova nën “krahun mbrojtës” të Turqisë
Furnizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës me teknologji moderne ushtarake turke, krahas rimarrjes së komandës së KFOR-it, nuk reflekton vetëm thellimin e partneritetit strategjik mes Kosovës dhe Turqisë – në kohën e ndryshimit të qëndrimit perëndimor ndaj Prishtinës zyrtare, por edhe zgjerimin e detyrave mbrojtëse të Turqisë në Ballkanin Perëndimor në kontekstin e ri gjeopolitik të krijuar pas fillimit të luftës në Ukrainë.
Jamie Shea, profesor i çështjeve të sigurisë në Institutin e Strategjisë dhe Sigurisë në Universitetin e Exeterit në Britaninë e Madhe, vlerëson se Turqia është ndoshta opsioni më i mirë për Kosovën, jo vetëm për faktin se Turqia është një furnizues i besueshëm i armëve, por edhe duke pasur parasysh ndryshimet në qëndrimet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian ndaj Qeverisë së Kosovës.
Ai gjithashtu theksoi se bashkëpunimi me Turqinë nuk synon të zëvendësojë integrimin e Kosovës në NATO, por synon të ofrojë mbështetje strategjike dhe teknike afatgjatë, duke siguruar që vendi të ketë kapacitete të qëndrueshme ushtarake, ndërsa vazhdon të lëvizë drejt plotësimit të standardeve për anëtarësim në NATO.
Blerja e dronëve kamikazë turq vjen në paralelisht me rimarrjen e komandës së KFOR-it nga Turqia – një hap që, sipas njohësve, pozicionon Turqinë si një lojtar kyç.
Bulent Durgun, profesor i sigurisë në Universitetin “Arel” në Stamboll, tha se rimarrja e komandës se KFOR nga ana e Turqisë, është shumë më tepër sesa një rotacion rutinë, duke përfaqësuar një manovër strategjike në nyjën e parandalimit, besueshmërisë dhe ndikimit diplomatik në një epokë të kontestimit të vazhdueshëm global.