Connect with us

Rajon

Dronët Bayraktar të Kroacisë rrethojnë Serbinë/ Lëvizja pas blerjes së avionëve francezë Rafale

Kroacia ka prezantuar zyrtarisht gjashtë dronë të armatosur Bayraktar TB2, duke u bërë vendi i tretë në rajon pas Kosovës dhe Shqipërisë që zotëron këtë teknologji të avancuar të Turqisë.

Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anusic, ambasadorja e Turqisë në Zagreb, Nurdan Erpulat Altuntaş, dhe zyrtarë ushtarakë kroatë gjatë një vizite në bazën e Forcave Ajrore të Kroacisë | 2 shtator 2025

Kroacia ka hedhur hapin e radhës drejt forcimit të flotës së saj ajrore, duke prezantuar zyrtarisht dronët Bayraktar TB2. Kjo lëvizje vjen pas blerjes historike të avionëve francezë Rafale, nëpërmjet të cilëve Kroacia ka përforcuar kapacitetet luftarake dhe ka vendosur një standard të ri për teknologjinë e Forcës Ajrore të Kroacisë.

Kompleti Bayraktar TB2 i dorëzuar për Kroacinë përfshin gjashtë dronë, një stacion komandimi dhe kontrolli, një simulator trajnimi, terminale të dhënash, pjesë rezervë, armë dhe dy vjet mbështetje teknike nga specialistët e Baykar të vendosur në Kroaci.

Kroacia, në nëntor të vitit 2024, nënshkroi kontratën për blerjen e luftarakeve pa pilot në vlerë prej 67 milionë eurosh. Kroacia është bërë vendi i tretë në mesin e shteteve të Bashkimit Evropian që posedojnë dronët e Turqisë, pas Rumanisë dhe Polonisë.

Në vitet e fundit, dronët pa pilot të prodhimit turk kanë tërhequr vëmendjen e vendeve të vogla ballkanike, duke ndikuar edhe në dinamikën e sigurisë rajonale. Bayraktar TB2 tashmë janë në dispozicion të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa Bosnje dhe Hercegovina aktualisht është duke negociuar blerjen e gjashtë fluturakeve Bayraktar TB2.

Kosova ka pranuar dronët në korrik të vitit 2023, megjithatë ende nuk është bërë e ditur se sa prej tyre janë integruar zyrtarisht dhe janë bërë pjesë e flotës operative të mjeteve ajrore pa pilot, ndërsa Shqipëria i ka pranuar tre dronë në mars 2024.

Serbia, megjithatë, ka shprehur pakënaqësi ndaj Turqisë rreth shitjes së dronëve për fqinjët rajonalë. Serbia ka qenë e interesuar për një kohë të gjatë në blerjen e Bayraktar TB2, megjithëse agjencitë turke të lajmeve kanë raportuar se Qeveria e Turqisë ka refuzuar t’i shesë dronë Serbisë, kryesisht për shkak të kërcënimeve ndaj Kosovës.

Bayraktar TB2 mund të qëndrojë në ajër deri në 27 orë, në varësi të ngarkesës, dhe mund të fluturojë deri në 150 kilometra. Ai mund të pajisjet me katër raketa të mikromunicioneve të mençura, që janë mjaft të sakta në shkatërrimin e automjeteve të blinduara nga disa kilometra distancë. Janë dërguar edhe në fushëbetejën e Ukrainës.

Advertisement