Kronike
Dubai sjell në pranga kuksianin me dy identitete, ishte i kërkuar për dy akuza dhe me masë nga Gjykata!
Një 30-vjeçar nga Kukësi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare, është ekstraduar nga Dubai drejt Shqipërisë, pas bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Interpol Tirana njoftoi se procedura e ekstradimit të Bamir Halilit (Axhami) u finalizua gjatë fazës së operacionit të koduar “The Wanted”, në kuadër të koordinimit informativ dhe operacional me specialistët e Interpol Abu Dhabit.
Sipas autoriteteve shqiptare, Halili, 30 vjeç, lindur në Kukës, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”.
Vendimi ishte marrë në vitin 2024 nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, lidhur me dy vepra penale.
Ai akuzohet për “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe për veprën penale “Dhuna në familje”.
Pas lokalizimit dhe ndalimit të tij në Dubai, autoritetet shqiptare dhe ato të Emirateve zhvilluan procedurat përkatëse, duke finalizuar ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Halili tashmë do të vihet në dispozicion të autoriteteve shqiptare për vijimin e procedurave gjyqësore lidhur me akuzat për të cilat ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Operacioni “The Wanted” është pjesë e bashkëpunimit të Interpol Tiranës me autoritetet homologe jashtë vendit për lokalizimin dhe kthimin në Shqipëri të personave të kërkuar nga drejtësia.