Politike
Durrësi fundoset, Vlora përplaset, Zvërneci bllokohet/ Fatura e ëndrrave të mëdha të Ramës
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka kritikuar disa prej projekteve më të rëndësishme të qeverisë Rama, duke pretenduar se investimet e prezantuara si suksese të mëdha po përballen me probleme serioze.
Në një reagim publik, Këlliçi u ndal te disa projekte strategjike, mes tyre projekti turistik në Durrës, zona e Zvërnecit dhe Aeroporti i Vlorës, duke argumentuar se ato janë shoqëruar me vonesa, debate dhe pasiguri për të ardhmen.
Sipas tij, projekti në Durrës është përballur me probleme teknike, ndërsa ai në Zvërnec me kundërshtime mjedisore dhe reagime nga komuniteti. Ndërkohë, për aeroportin e Vlorës, Këlliçi pretendon se situata mund të përfundojë në një përplasje ligjore me pasoja financiare për shtetin shqiptar.
Ai deklaron se këto projekte kanë një të përbashkët: sipas tij, janë ndërmarrë pa transparencë të mjaftueshme dhe pa një konsultim të gjerë publik.
“Këto investime janë nisur si projekte personale të Edi Ramës dhe jo si politika kombëtare të ndërtuara mbi konsensus”, është qëndrimi i Këlliçit.
Deputeti demokrat argumenton se problemet e këtyre projekteve janë pasojë e mënyrës së qeverisjes dhe se kriza politike po reflektohet edhe mbi investimet e mëdha të vendit.
Sipas tij, në fund të fundit, çdo kosto financiare e dështimeve të mundshme do të rëndojë mbi qytetarët shqiptarë.
Deklaratat e Këlliçit vijnë në një kohë kur disa prej projekteve të mëdha infrastrukturore dhe turistike të qeverisë vijojnë të jenë pjesë e debatit politik, ekonomik dhe publik në Shqipëri.
Reagimi I plote
Nga Belind Këlliçi
Të shpallura me bujë e pompë të madhe mediatike, disa prej projekteve kryesore të Edi Ramës janë në krizë të thellë.
Dubai i Durrësit ka ngecur. Është zhytur zyrtarisht 18 centimetra, çka tregon mungesë cilësie e sigurie. Vetë Alabar tha së fundmi se e gjitha ishte një gabim.
Zvërneci dihet tanimë. Përveç protestave e revoltës popullore, është Brukseli që kërkon kthimin e mbrojtjes për të tilla zona. Dukshëm nuk ka asnjë hap më tutje.
Tani kemi aeroportin e Vlorës që jo vetëm nuk u hap për fluturime sipas afateve, por po prodhon një konflikt që, me gjasë, do t’u kushtojë rëndë taksapaguesve shqiptarë. Prishja e kontratës do të shoqërohet me arbitrazh. Dhe investitori Pacolli ka bërë të ditur sot se do të kërkojë më shumë se 320 milionë euro që janë fatura. Do të kërkojë dhe kostot ligjore dhe fitimin e munguar.
Të gjitha këto projekte kanë në thelb një të përbashkët. Ato janë nisur e kanë marrë jetë si plane personale të Edi Ramës, pa transparencë, pa konsultë publike, pa u përpjekur të marrë konsensus.
Kanë nisur me arrogancë dhe si të ishin punë në kopshtin privat të Kryeministrit. Sigurisht, në secilin rast, fshihen interesat personale të kreut të organizatës, për përfitim.
Akte të tilla dhe një qeverisje si kjo kanë sjellë krizë politike, për shkak të shpërthimit të revoltës. Dhe krizë të thellë legjitimiteti për Kryeministrin. Investime të tilla që burojnë nga kjo lloj sjelljeje prej monarku s’mund të jenë imune kur kriza përfshin iniciuesin. Ajo krizë transferohet tek projektet.
Ndaj dhe ato që ishin mburrje e propagandë shtypëse janë sot kantiere të shkreta që nuk dihet çfarë fati do të kenë. Me shumë mundësi, fatin e atij që po numëron ditët.
Problemi është se koston e paguan qytetari, e paguajnë shqiptarët. Ndaj dhe sheshet janë plot dhe njerëzit janë në këmbë. Në çdo rast, dalja më e shpejtë nga kriza është largimi i atij që i ka shkaktuar këto trauma.