Kronike
Durrësi tronditet nga shpërthimet/ Panik te banorët, kush ishin shenjestra
Dy shpërthime me lëndë eksplozive kanë tronditur Durrësin në orët e para të mëngjesit, duke shkaktuar dëme materiale dhe alarm te banorët.
Shpërthimi i parë u regjistrua rreth orës 03:50 në lagjen nr. 11, pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve.
Lënda plasëse u hodh në derën e jashtme të një lokali në pronësi të Gëzim Kajnos, duke shkaktuar dëme të lehta materiale.
Kajno ishte dënuar me 10 vite burg për vrasjen me armë të Asllan Kërtushës, ngjarje e ndodhur në vitin 2016, pranë lokalit të tij.
Ai u arrestua sërish në vitin 2024, pasi rezultonte se kishte ende vite dënimi për të vuajtur.
Pas përfundimit të dënimit, Kajno kishte nisur sërish aktivitetin në një bar-kafe.
Policia po heton nëse shpërthimi lidhet me të kaluarën e tij kriminale apo me ndonjë konflikt tjetër.
Rreth 40 minuta më vonë, në orën 04:30, një tjetër shpërthim ndodhi në zonën e Shkallnurit, në anë të rrugës Plepa–Ndroq.
Sasia e lëndës plasëse ishte hedhur në derën e garazhit të një automjeti dhe shkaktoi dëme materiale.
Grupet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, po mbledhin provat për të zbardhur rrethanat e dy ngjarjeve dhe për të identifikuar autorin ose autorët.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse dy shpërthimet kanë lidhje me njëri-tjetrin.

GEZIM KAJNO – FOTO