Aktualitet
Dy kulla, 200 mln € dhe Aruba/ Kush do të përfitonte?
Një deklaratë e fortë e gazetarit Artan Hoxha rikthen në vëmendje dosjen e njohur si “Aruba” dhe ngre pikëpyetje mbi investime me vlera marramendëse që pretendohet se janë diskutuar për Tiranën.
Sipas Hoxhës, në takimin e zhvilluar në Aruba është diskutuar edhe për një projekt që parashikonte ndërtimin e dy kullave në Tiranë, me vlerë rreth 100 milionë euro secila.
Pra, bëhet fjalë për një investim potencial prej rreth 200 MILIONË EURO.
Hoxha pretendon se projekti nuk u realizua dhe se zona për të cilën ishte diskutuar më pas përfundoi e kthyer në hapësirë publike.
Ky është një pretendim i gazetarit dhe nuk duhet konsideruar ende fakt i provuar nga SPAK.
Megjithatë, dosja “Aruba” ka marrë rëndësi për shkak të hetimeve dhe materialeve që lidhen me takime mes personave të hetuar për trafik droge e pastrim parash dhe diskutimeve për investime e prona në Shqipëri.
Një nga pistat e raportuara lidhet edhe me një pronë në rrugën “Dervish Hima” në Tiranë, mbi të cilën janë shqyrtuar veprime pronësie dhe zhvillimi. Trualli më pas është shpronësuar nga shteti për projektin “Shkolla e Biçikletave”.
Por pikërisht këtu lind pyetja:
CILAT ISHIN DY KULLAT, KU DO TË NDËRTOHESHIN DHE KUSH DO TË PËRFITONTE NGA INVESTIMI PREJ RRETH 200 MILIONË EUROSH?
Nëse projekti ka ekzistuar realisht, duhet të ketë gjurmë: pronësi trualli, marrëveshje zhvillimi, projekte arkitekturore, aplikime, komunikime apo procedura administrative.
Dhe nëse trualli për të cilin diskutohej përfundoi më pas i shpronësuar nga shteti, mbetet një tjetër pyetje që kërkon përgjigje:
ÇFARË NDODHI MES TAKIMIT TË ARUBËS DHE VENDIMIT QË KULLAT TË MOS NDËRTOHESHIN?