Connect with us

Kronike

Dyshime për tjetërsim pronash, arrestohet zv.drejtori i Kadastrës në Dibër

Është vënë në pranga mbrëmjen e djeshme zëvendësdrejtori i Kadastrës Dibër, Daniel Gjura, i dyshuar si pjesë e një skeme mashtrimi për tjetërsim pronash.

Më herët, Gjura mbante pozicionin e drejtorit të ASHK-së Dibër dhe ka qenë ish-kandidat i Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Sot ai akuzohet për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.

Zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Dibër dyshohet se janë përfshirë në skemë mashtrimi.

Përmes dokumenteve të falsifikuara, ata kanë regjistruar prona shtetërore në emër të Teshar Doçit dhe familjarëve të tij.

Pas hetimit 7-mujor të prokurorisë, gjykata caktoi masat e sigurisë për 14 persona.

Për Teshar Doçin, i konsideruar nga hetuesit si përfituesi i pronës, Gjykata ka vendosur masën “arrest në burg”. E njëjta masë është edhe për Fatjon Çakrrin, familjar i tij.

Ata dyshohen për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh, kryer në bashkëpunim.

Në kërkim është shpallur noterja e përfshirë në skemë, per te cilen gjykata ka caktuar masën “arrest në shtëpi”.

Dy ish-funksionarë të Kadastrës së Dibrës janë lënë në ‘arrest shtëpie’, ndërsa 6 punonjës aktualë po hetohen me masën “detyrim paraqitjeje”.

Dhe një tjetër familjar i Doçit është me mase sigurie “detyrim paraqitje”.

Advertisement