Pinknews
E papritur! Bes Kallaku dhe Xhensila bëhen bashkë, protesta e studentëve “i bashkon”
Bes Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj kanë shprehur publikisht mbështetjen e tyre për protestat e studentëve në Tiranë.
Edhe pse prej kohësh kanë ndarë rrugët në jetën personale, dy artistët kanë zgjedhur të reagojnë ndaj zhvillimeve të fundit në kryeqytet, duke shpërndarë në rrjetet sociale materiale që lidhen me protestën.
Aktori Bes Kallaku ka publikuar në Instagram videon e një studenteje, e cila mes lotësh fliste për vështirësitë ekonomike dhe kushtet e jetesës në Shqipëri.

E reja ngriti shqetësimin për kontrastin mes pasurive të politikanëve dhe të ardhurave të qytetarëve, duke përmendur pagat prej rreth 500 eurosh, të cilat shpesh nuk mjaftojnë as për të mbuluar qiranë dhe shpenzimet bazë.
“Nuk e di kush je, por hallall qumështi i nënës”, shkroi Kallaku krahas videos, duke vlerësuar publikisht fjalët e studentes.
Nga ana tjetër, edhe këngëtarja Xhensila Myrtezaj ka reaguar përmes një postimi në Instagram, ku ka shpërndarë pamje të publikuara nga emisioni investigativ “Piranjat”.
Në video shfaqet momenti kur disa persona, të cilët në material përshkruhen si të paidentifikuar, fusin një vajzë në një furgon në Tiranë. Pamjet janë shoqëruar me mbishkrimin: “Alarm! Mbroni vajzat! Mos i prekni vajzat! Çfarë po ndodh në këtë vend?!”.

Përmes rishpërndarjes së këtij materiali, Xhensila ka tërhequr vëmendjen ndaj mënyrës së ndërhyrjes së personave të shfaqur në video.
Kështu, ndonëse me postime të ndryshme, Bes Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj kanë zgjedhur të mos qëndrojnë indiferentë ndaj protestave dhe ngjarjeve që i kanë shoqëruar ato, duke përdorur profilet e tyre për t’u dhënë më shumë vëmendje shqetësimeve të ngritura publikisht.