Kronike
“E pashë viktimën të shtrirë me gjak në kokë”/ Banorja rrëfen tmerrin: Atë skenë s’do e harroj kurrë
Kozeta Shagla, banore e pallatit ku u vra 20-vjeçari Joan Zhuko në Korçë, ka rrëfyer momentet e para pas të shtënave dhe skenën që pa menjëherë pas ngjarjes.
Shagla tregon se ndodhej në banesë së bashku me nënën e saj kur dëgjoi një zhurmë të fortë. E shqetësuar, ajo doli nga apartamenti për të parë se çfarë kishte ndodhur.
Sipas dëshmisë së saj, sapo doli nga banesa pa 20-vjeçarin të shtrirë në tokë. Ajo thotë se viktima ndodhej disa metra larg dhe kishte gjak në pjesën e kokës.
“Unë isha brenda në shtëpi. Dëgjova një zhurmë të madhe, sikur plasi diçka. I thashë mamit se do të dilja të shikoja çfarë po bëhej, mos kishte rënë ndonjë njeri nga shkallët që ta ndihmoja. Ngjitem unë me vrap dhe shikoj një njeri të shtrirë poshtë në tokë, barkas. Nuk e mblidhja dot veten fare”, rrëfen ajo.
Banorja shprehet se nuk e njihte të riun dhe se ai nuk ishte banor i pallatit.
“Pashë djalin të shtrirë poshtë, rreth dy metra, dhe po i rridhte gjak nga koka. Nuk e harroj atë skenë”, tregon Shagla.
Ajo shton se ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe te banorët e pallatit, veçanërisht pasi në atë zonë luajnë çdo ditë fëmijë.
“Nuk e njohim fare. S’është i pallatit, nuk është i pallatit tonë. Nuk e njihja fare. Nuk e di as ku banonte. Është tmerr. Një tronditje e madhe. Është tmerr i Zotit. Ne këtu na luajnë fëmijët çdo ditë. Nuk e kuptoj çfarë po bëhet”, shprehet ajo.
Shagla sqaron gjithashtu se nuk e ka prekur viktimën dhe se skena e parë që pa pas ngjarjes i ka mbetur e fiksuar.
Sipas saj, në vendngjarje mbërriti fillimisht policia, ndërsa më pas u afruan edhe ekipet mjekësore.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes së 20-vjeçarit dhe motivit të konfliktit që çoi në ngjarjen e rëndë.