Connect with us

Politike

“E përulur, besnike, profesioniste”/ Rama zbulon 3 arsyet pse zgjodhi Klodiana Spahiun si ministre

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditura tre arsyet që, sipas tij, kanë ndikuar në zgjedhjen e Klodiana Spahiut në krye të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

I pyetur nga “Tirana Examiner” se çfarë e rekomandoi Spahiun për këtë detyrë, Rama e përmblodhi përgjigjen në tre fjalë: “E përulur, besnike, profesioniste.”. Spahiu merr drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë pas dorëheqjes së Evis Salës. Emërimi i saj sjell në krye të dikasterit një figurë me profil të veçantë, pasi përvoja e saj nuk kufizohet vetëm te politika, por shtrihet edhe në sistemin shëndetësor.

E lindur në Durrës në vitin 1973, Spahiu ka përfunduar studimet për Mjekësi të Përgjithshme në Universitetin e Tiranës në vitin 1997 dhe më pas është specializuar në kardiologji. Ajo ka kryer edhe specializime profesionale në Itali, përfshirë në Romë dhe Pisa.

Karrierën në sistemin publik shëndetësor e nisi si mjeke dhe kardiologe. Nga viti 2003 deri në vitin 2009 punoi në repartin e Mjekësisë Interne të Spitalit Rajonal të Durrësit, institucion të cilin më pas e drejtoi për një periudhë. Në vitin 2009, Spahiu hyri në Kuvend, duke nisur një karrierë të gjatë politike.

Pikërisht eksperienca në terren, brenda një spitali rajonal, përbën një nga elementët që e veçon profilin e saj. Spahiu ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me problematika që lidhen me funksionimin e spitaleve publike, prokurimet, furnizimet, mirëmbajtjen, kontratat e shërbimeve, diagnostikimin dhe ofrimin e shërbimeve të specializuara.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e profilit të saj politik lidhet me koncesionet në shëndetësi. Në vitin 2024, si deputete e Partisë Socialiste, Spahiu ishte pjesë e komisionit hetimor parlamentar për koncesionet e sterilizimit dhe check-up-it.

Gjatë punës së komisionit, ajo mbrojti qëndrimet e mazhorancës dhe pati përplasje me përfaqësuesit e opozitës. Përvoja e fituar në këtë proces e vendos tashmë në një pozicion të veçantë, pasi si ministre do të ketë përgjegjësinë për një sektor ku kontratat koncesionare dhe mënyra e menaxhimit të fondeve publike kanë qenë prej vitesh objekt debati politik.

Në këtë kontekst, një nga sfidat kryesore të Spahiut do të jetë pikërisht mënyra se si do të menaxhojë kontratat, shpenzimet dhe fondet e sektorit të shëndetësisë. Pyetja që shtrohet është nëse njohja e saj e sistemit do të shërbejë për reforma dhe kontroll më të fortë të kostove, apo do të vijojë linjën e politikave të ndjekura deri më tani.

Edhe përkufizimi i Ramës, “besnike”, merr peshë politike në këtë situatë. Drejtimi i Ministrisë së Shëndetësisë e vendos Spahiun përballë vendimmarrjeve që prekin drejtpërdrejt financat publike dhe politikat e qeverisë. Spahiu ka një eksperiencë të gjatë në politikë. Ajo është deputete që prej vitit 2009 dhe së fundmi ka mbajtur edhe postin e nënkryetares së Kuvendit.

Me një profil që ndërthur mjekësinë, drejtimin e një spitali rajonal dhe një karrierë të gjatë politike, Klodiana Spahiu tashmë përballet me një nga detyrat më të rëndësishme të karrierës së saj: të drejtojë sistemin shëndetësor dhe të japë përgjigje konkrete mbi mënyrën se si menaxhohen fondet publike dhe cilësinë e shërbimeve që marrin qytetarët.

Advertisement