Kronike
E rëndë në Fushë-Krujë/ 16-vjeçari vdes në ashensorin e lokalit, u shty nga kolegu
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Arrameras, në Fushë-Krujë, ku një 16-vjeçar, i punësuar si kamerier në një restorant, ka humbur jetën pas një aksidenti me ashensorin.
Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur më 11 tetor 2026, në një restorant në pronësi të shtetasit A. V., në fshatin Arrameras.
Si pasojë e shkëputjes së ashensorit, i mituri ka humbur jetën.
Pas ngjarjes, specialistët e Komisariatit të Policisë Krujë kanë arrestuar 26-vjeçarin Endri Stafuka, i dyshuar për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”.
Në pranga ka përfunduar edhe pronari i restorantit, 62-vjeçari Afrim Vathi, i dyshuar për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.