Connect with us

Rajon

“E vranë në Hagë”/ Familja e Mlladiçit ngre akuza, Vuçiç përplaset me kryeministrin kroat

Vetëm pak ditë para varrimit të Ratko Mlladiçit, familja dhe ekipi i tij mbrojtës kanë dalë me akuza të forta ndaj autoriteteve të paraburgimit në Hagë, duke pretenduar se ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Serbe nuk mori trajtimin e duhur mjekësor dhe se vdekja e tij ishte pasojë e neglizhencës.

“Qëndrimi ynë është se është kryer vrasja e gjeneralit në Hagë përmes trajtimit të pakujdesshëm mjekësor dhe administrimit të qëllimshëm të opiateve shumë të forta”, deklaroi Darko Mladiç, djali i Ratko Mladiçit.

Ai tha se babai i tij kishte marrë kujdes, por jo trajtimin e duhur.

“Njeriun mund ta vendosësh në një hotel me shtatë yje, t’i japësh ushqimin më të mirë dhe kujdesin më të mirë, por nëse e trajton gabim, nuk mund ta shpëtosh”, u shpreh ai.

Në të njëjtën linjë ishte edhe avokati i familjes, Dragan Ivetiç, i cili deklaroi se familja nuk ka marrë dokumentacionin mjekësor të Ratko Mladiçit, përveç certifikatës së vdekjes.

“Një njeri vdiq në paraburgim ndërkombëtar pasi iu refuzua lirimi humanitar urgjent. Familja e tij ka të drejtë të marrë përgjigje. Rrethanat e ditëve të fundit të jetës së tij nuk duhet të fshihen”, tha Ivetiç.

Sipas tij, mbrojtja kishte kërkuar disa herë që Ratko Mladiçi të transferohej në Serbi për trajtim mjekësor nën mbikëqyrje, me garanci nga shteti serb, por kërkesat ishin refuzuar.

Akuza edhe më të forta bëri mjeku Ognjen Gudelj, pjesë e ekipit mjekësor të mbrojtjes.

“Ratko Mladiçi u vra në Hagë nga mosveprimi i mjekëve dhe personelit mjekësor”, pretendoi ai.

Gudelj deklaroi se, sipas dokumentacionit që ka parë, gjatë javëve të fundit nuk ishin kryer kontrolle të rregullta të tensionit dhe analizave laboratorike, ndërsa pretendoi se Mlladiçit i ishte administruar edhe fentanil. Ai tha se këto veprime, sipas vlerësimit të tij, ndikuan në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të ish-komandantit. Këto mbeten pretendime të ekipit mbrojtës dhe familjes.

Ndërkohë janë bërë publike edhe detajet e ceremonisë mortore.

Darko Mladiç njoftoi se ceremonia përkujtimore do të mbahet të shtunën në orën 12:00 në Shtëpinë e Ushtrisë së Serbisë në Beograd, ndërsa varrimi do të zhvillohet të hënën, më 7 shtator, në varrezat e Topçiderit.

Arkivoli me trupin e Ratko Mlladiçit do të vendoset në Kishën e Shën Lukës në Košutnjak nga ora 07:00 deri në 12:00, përpara nisjes së kortezhit drejt varrezave.

Darko Mladiç u bëri thirrje mbështetësve të shmangin provokimet.

“Dua që varrimi i babait tim të jetë dinjitoz dhe të mos bëhet shkak për përplasje”, tha ai, duke shtuar se pret pjesëmarrje të madhe nga Serbia, Republika Srpska dhe vende të tjera europiane.

Në konferencën për shtyp, ai falënderoi publikisht presidentin serb Aleksandar Vuçiç për mbështetjen që, sipas tij, i ka dhënë familjes gjatë viteve.

“Sa herë që kishim nevojë, presidenti ishte aty për ne. E falënderoj publikisht për mbështetjen që na ka dhënë në mbrojtjen e gjeneralit Mlladiçit “, deklaroi Darko Mlladiç.

Edhe ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiç, tha se Serbia do të respektojë dëshirën e familjes dhe do të garantojë që ceremonia të zhvillohet në mënyrë të qetë, të sigurt dhe me dinjitet.

Sipas tij, institucionet serbe bënë gjithçka për të siguruar lirimin e Ratko Mlladiçit për trajtim në Serbi, por kërkesat drejtuar Mekanizmit Ndërkombëtar për Gjykatat Penale u refuzuan.

Ndërkohë, presidenti Aleksandar Vuçiç reagoi ndaj deklaratave të kryeministrit kroat Andrej Plenkoviç, i cili tha se kushdo që lavdëron Ratko Mlladiçin”duhet të kthehet në klasën e parë për të mësuar vlerat themelore”.

“Ndoshta Kroacia duhet të shtojë edhe disa orë mësimi për të mësuar si të mos pranojë nazizmin si vlerë. Le të shohin fillimisht veten në pasqyrë”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se organizimi i varrimit është zgjedhje e familjes.

“Familja vendosi që trupi të vendosej në kishë dhe përcaktoi vendin e varrimit. Çfarë duan, të mos dihet ku është varrosur dikush? Kjo nuk do të ndodhë për sa kohë të jem president”, deklaroi ai.

Vuçiç bëri të ditur se nuk do të marrë pjesë në varrim për shkak të një vizite zyrtare të planifikuar më herët.

Në mes të polemikave reagoi edhe Këshilli i Europës.

Komisioneri për të Drejtat e Njeriut, Michael O’Flaherty, dënoi publikisht lavdërimin e Ratko Mladiçit, të dënuar për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime kundër njerëzimit.

“Dënoj me forcë lavdërimin publik të Ratko Mlladiçit, përfshirë deklaratat e zyrtarëve në Republikën Srpska dhe në Serbi”, tha ai.

Sipas O’Flaherty, glorifikimi i një personi të dënuar për gjenocid nuk mbrohet nga liria e shprehjes dhe autoritetet duhet të veprojnë për të garantuar zbatimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të viktimave dhe vendosjen e drejtësisë.

Varrimi i Ratko Mlladiçit do të mbahet të hënën në Beograd, mes masave të shtuara të sigurisë dhe një klime të tensionuar politike që ka nxitur reagime në Serbi, Kroaci dhe në institucionet europiane.

Advertisement