Connect with us

Kosova

“Edhe unë jam UÇK”/ Pas Prishtinës e Hagës, protesta do të organizohet në Tiranë, zbulohet data

Në Tiranë të Shqipërisë do të protestohet më 17 tetor me kërkesën për drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Protestat do të vijojnë në kryeqytetin shqiptar, pasi atyre në Prishtinë dhe Hagë. Lajmi u bë e ditur në një konferencë për media të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një grup shoqatash të veteranëve të luftës, nën koordinimin e ish-deputetit Azgan Haklaj, do të mblidhen të premten e 17 tetorit, në sheshin Skënderbej, nën moton “Edhe unë jam UÇK”

“Motoja jonë është: ‘Edhe unë jam UÇK. Drejtësi dhe liri për çlirimtarët.’ Besoj dhe uroj që në datë 17 tetor, në sheshin Skënderbej, të gjithë shqiptarët do të vijnë të japin një mbështetje të fuqishme. Imagjinoni çfarë do të ndodhte nëse do të akuzohej Garibaldi, George ëashington-i? Pra, edhe çlirimtarët tanë kanë kryer një mision!”, thotë Haklaj.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Guçati, gjithashtu ka bërë thirrje edhe partive politike, duke theksuar se kjo nuk është çështja e disa individëve, por është çështje e dinjitetit, sakrificës dhe të vërtetës historike.

“Ju bëj thirrje të gjitha partive politike, të gjithë shqiptarëve anekënd, pa dallim feje. Ne jemi të gjithë shqiptarë që duhet të reagojmë në datë 17 tetor, në orën 17:00, të gjithë së bashku. Kjo nuk është thjesht çështja e disa individëve, por është çështje e dinjitetit, sakrificës dhe të vërtetës historike!”, tha Guçati.

Zgjedhja e Tiranës për protestën e radhës vjen në një moment kur, sipas organizuesve, Shqipëria ka treguar se është me Kosovën në çdo hap. Për protestuesit, kjo nuk është thjesht thirrje për të ndalur padrejtësitë ndaj gjykimit të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por kërkojnë të marrin fund përpjekjet për baltosjen e luftës në Kosovë.

Advertisement