Aktualitet
‘Edibles’, karamelet me kanabis/ Policia ngre alarmin: Shkaktojnë çrregullime, kujdesni fëmijët
Policia e Shtetit ka dhënë alarmin mbi një formë të re të shpërndarjes së lëndëve narkotike në vend. Bëhet fjalë për substanca me përmbajtje të lartë THC ,përbërësi kryesor psikoaktiv i kanabisit, të cilat po qarkullojnë të maskuara në formën e produkteve ushqimore, të njohura ndërkombëtarisht si “Edibles”.
Në një shkresë zyrtare dërguar Ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, bën me dije se Njësia e Sistemit Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm për substancat e reja psikoaktive ka identifikuar raste konkrete të përpunimit të kanabisit në formë xheli dhe karamelesh.
Këto produkte janë përgatitur pas ekstraktimit të THC-së nga materiali bimor i kanabisit dhe më pas janë përpunuar në formën e xhelatinave. Policia thekson se ngjashmëria e tyre me karamelet dhe produktet e tjera ushqimore e bën të vështirë identifikimin vizual dhe rrit ndjeshëm rrezikun e konsumimit aksidental, veçanërisht nga të miturit.
Përqendrimi i lartë i THC-së në këto produkte mund të shkaktojë pasoja serioze për shëndetin, duke përfshirë efekte toksike akute, çrregullime neurologjike dhe reaksione të rënda psikoaktive, sidomos tek fëmijët dhe grupet më të ndjeshme.
Për këtë arsye, Policia e Shtetit i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit rritjen e ndërgjegjësimit në institucionet arsimore, si në nivel qendror ashtu edhe vendor, duke informuar stafet pedagogjike, nxënësit dhe prindërit mbi rrezikun që paraqesin këto produkte, të cilat konsiderohen një kërcënim serioz për shëndetin publik.
