Connect with us

Aktualitet

Efekti domino i ndryshimeve klimatike

Dimri që po lëmë pas perceptohet gjerësisht si atipik. Ditë të ngrohta me diell në janar që u ngjajnë pranverës apo mungesa e reshjeve masive të borës krijon idenë se e gjithë kjo nuk është fort normale. I njëjti perceptim është vit pas viti edhe te stinët e tjera. Me verën e temperaturave të larta, thatësirave të zgjatura, zjarret e shumtë, reshjeve që bien në mënyrë intensive në një hark kohor të shkurtër, përmbytjet e shumë e shumë tregues të tjerë.

Ky perceptim mbi “kapriçiot” e stinëve nuk është i gabuar dhe mbështetet edhe nga shifrat që jepen zyrtarisht nga institucionet kombëtare, duke përforcuar idenë se ndryshimet klimatike nuk janë më “te dera”, por kanë nisur të manifestojnë dukshëm efektet e tyre.

Institucionet ndërkombëtare kanë rritur vëmendjen ndaj ndryshimeve klimatike, duke u kërkuar vendeve të jenë aktivë dhe vigjilentë për të reaguar dhe për të minimizuar pasojat. Efekti i klimës është ai domino dhe pasojat janë të jashtëzakonshme në sektorë jetikë, duke kërkuar që masat e reagimit apo zbutjes të merren seriozisht.

Po Shqipëria, në çfarë faze është? Sot, vendi ynë ka miratuar një ligj të veçantë “Për ndryshimet klimatike”. Bëhet fjalë për ligjin 155, i datës 17 dhjetor 2020, i cili rendit si qëllime të tij pesë pika.

Së pari, ulja e shkarkimeve të efekteve serrë.

Së dyti, përshpejtimi i përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike dhe zbutja e efekteve të dëmshme

Së treti, të kontribuojë në përpjekjet globale ndaj ndryshimeve klimatike nëpërmjet plotësimit të detyrimeve të Republikës së Shqipërisë ndaj Konventës.

Së katërti, të krijojë një kuadër gjithëpërfshirës ligjor dhe ndërinstitucional për ndërmarrjen e veprimeve ndaj klimës në nivel kombëtar, në përputhje me legjislacionin e BE-së për ndryshimet klimatike.

Së fundmi, t’u bashkohet shteteve që njohin emergjencën klimatike, sipas vendimit të Parlamentit Europian të 28 nëntorit 2019.

Shqipëria ka gjithashtu një Plan Kombëtar për Energjinë dhe Klimën. Plani parashikon të gjithë politikat dhe objektivat që do të ndërmerren në funksion të klimës dhe energjisë nga ana e vendit tonë deri në vitin 2030.

Sigurisht, në aspektin teorik, si një vend që për vite të tëra ka qenë indiferent ndaj ndryshimeve klimatike, plotësimi i kuadrit është diçka pozitive. Mbajtja e ritmit të duhur për zbatimin dhe arritjen praktike të objektivave është krejt tjetër gjë dhe kjo ka rëndësi të veçantë në kushtet kur ndryshimet klimatike kanë nisur të prekin jetën e të gjithëve.

IGJEO: Reshjet, rënie me 20% në dy dekada, rritet temperatura mesatare vjetore

Instituti i Gjeoshkencave, më i rëndësishmi në vend për monitorimet që lidhen me klimën, në buletinet periodike që publikon, konfirmon efektin e ndryshimeve në Shqipëri. Anira Gjoni, eksperte në IGJEO, shprehet se klima e Shqipërisë nga vrojtimet e viteve të fundit ka ndikime të klimës subtropikale, pra klimë më e ngrohtë.

“Dimrat janë më të ngrohtë dhe më të shkurtër, ndërsa stina e verës është më e gjatë dhe me temperatura më të larta. Ashtu si me shumicën e problemeve socio-ekonomike në botë, ndryshimi i klimës është një çështje që do të prekë më shumë shtresat në nevojë dhe me probleme ndaj përshtatjeve të menjëhershme.

Askush nuk është imun ndaj ndryshimeve klimatike – duke e bërë atë një problem me të vërtetë global”, – shprehet znj. Gjoni. Ajo i referohet vitit të shkuar 2022, duke nënvizuar se u vu re një rritje e numrit të ditëve me temperaturë mbi 40 Gradë Celsius.

“Gjatë vitit 2022 jemi përballur në korrik dhe gusht me vlera të temperaturave mesatare maksimale përkatësisht: korriku +3.6 °C dhe gushti +2.6 °C (referuar të dhënave IGJEO). Muaji korrik u karakterizua me tre valë të të nxehtit, të cilat shkaktuan ditë të njëpasnjëshme me temperaturë të lartë dhe për pasojë thatësira.

Nëse flasim për periudhën e ftohtë të vitit, dimri u shoqërua me situata përmbytjesh. Ajo çfarë vihet re është se sasia e reshjeve që duhej të shpërndahej në harkun kohor të një muaji, tani na rezulton që bie në 4-5 ditë dhe ka intensitet të shtuar”, – nënvizon znj. Gjoni.

Lidhur me treguesit kryesorë, si temperatura dhe reshjet, IGJEO konstaton se temperatura mesatare vjetore në vitin e fundit ka shënuar rritje prej 1.8 °C, ndërsa sasia vjetore e reshjeve në formë bore dhe shiu, në dy dekadat e fundit ka pësuar rënie rreth 20%./Monitor

Aktualitet

Kryepiskopi Anastas uron Pashkët: Të mposhtim hidhërimet me fuqinë e Ngjalljes

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastas Janullatos ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë në prag të Pashkëve.

Ngjallja e Krishtit kulmon këtë vit në mesnatën mes 4 dhe 5 majit për besimtarët ortodoksë që gjenden në javën e Madhe dhe të Shenjtë. Në përkujtimin e vuajtjeve të Jisu Krishtit dhe kryqëzimin e më pas Ngjalljen, Kryepiskopi Anastas vë theksin te konfliktet në Ukrainë, Gaza apo edhe në Sudan e Haiti.

Kryepiskopi flet edhe për më shumë dashuri në vendin tonë, ‘të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme. Besimi i krishterë na fuqizon me një siguri të plotë’, thekson Fortlumturia e tij në mesazhin e Pashkëve.

Mesazhi i plotë:

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Mposhtja E Hidhërimeve Me Fuqinë E Ngjalljes

“Të njoh atë me fuqinë e Ngjalljes së tij” (Fil. 3:10)

Ηimni ngjallësor: “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli…”, ende kumbon ngadhënjyes dhe ngushëllues në mes të errësirës së melankolisë, të shkaktuar nga ngjarjet e dhimbshme në Ukrainë, Gazë, Sudan, Haiti dhe në vende të tjera të botës, madje edhe këtu, në mjedisin tonë, të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme. Besimi i krishterë na fuqizon me një siguri të plotë. Ne e dimë se jemi të brishtë, që e mbajmë “këtë thesar (të besimit) në enë prej balte” (2 Kor. 4:7-8), por kjo ndodh “që të dalë në pah se kjo fuqi tejet e madhe vjen nga Perëndia, jo nga ne”.

Periudha e Pashkës, me një mënyrë të veçantë dhe përmes një përjetimi personal, na fton t’i afrohemi Krishtit, që pëson dhe ngjallet: “Që ta njoh atë dhe fuqinë e Ngjalljes së tij, të marr pjesë në pësimet e tij dhe të bëhem i ngjashëm me të në vdekjen e tij” (Fil. 3:10). Dy të vërteta na e ndriçojnë udhën drejt një marrëdhënieje më të ngushtë me atë që pësoi dhe u ngjall: Pranimi për të marrë pjesë në pësimet e Tij dhe të qenit i ngjashëm me të në vdekjen e Tij. E kemi theksuar edhe herë tjetër se Ngjallja nuk është diçka që vjen më vete, që vjen pas Kryqit, por gjendet brenda Kryqit, brenda pësimit, kur e pranojmë atë ashtu siç e pranoi edhe Krishti. Dhe anasjelltas, përjetimi i Ngjalljes kërkon gjithnjë si kusht paraprak të bëhemi të ngjashëm me Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur.

Kjo pjesëmarrje në Pësimet dhe Ngjalljen e Tij forcon qëndresën tonë, në mënyrë që të mos na përpijë depresioni dhe dëshpërimi. Himni triumfal themelor, që kumbon fort brenda nesh – “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli…” – është shpallja kryesore e besimit të krishterë orthodhoks dhe përmbledh domethënien më të thellë të Mishërimit të Birit dhe Fjalës së Perëndisë. Këtë përvojë të dyfishtë, të Kryqit dhe të Ngjalljes, e përjetojnë dëshmorët e Kishës sonë ndër shekuj. Edhe ne “le të ecim me durim në betejën që na pret, duke soditur Jisuin, që është kreu i besimit tonë dhe ai që e bën atë të përsosur” (Heb. 12: 1-2).

Duke lavdëruar me mirënjohje Perëndinë Triadik gjatë periudhës paskale, le ta shtojmë përpjekjen tonë, në mënyrë që ta përjetojmë këtë bindje dhe le të përçojmë ngushëllim në mjedisin tonë me dhembshuri.

Krishti u Ngjall, vëllezërit e mi!

Pashkë të bekuara, me shëndet, durim dhe mendësi kryqngjallësore!

Continue Reading

Aktualitet

Ermal Hasimja: Dyshimi i madh, skenari kush mund të marrë në dorë drejtimin e Shqipërisë

Analisti Ermal Hasimja ka komentuar situatën politike në Shqipëri dhe rolin e SPAK.

Sipas tij  sistemi politik në Shqipëri ka një logjikë shumë të brishtë. Mes tjerash ai tregoi dyshimin që ka për të ardhmen e Shqipërisë.

“Mentaliteti i popullit shqiptar është i tillë. Në momentin që të sheh se bie nga fiku aty të shkel më këmbë. Ky është një sistem që funksionon brenda kësaj logjike që është shumë e brishtë.

Mund të ndodh që të ketë diçka të fortë ndaj sistemit të drejtësisë dhe mund të ketë një bërthamë që ndoshta në të ardhmen funksionojnë realisht. Në këtë  vend që është Shqipëria terreni për dyshime është jashtëzakonisht pjellor”-tha Hasimja.

Continue Reading

Aktualitet

Axhami: Filozofia Zogiste në kohë moderne, nën moton “Atdheu mbi të gjitha”

PARTIA LËVIZJA E LEGALITETIT ALTERNATIVË E DJATHTË ME PLATFORMË ELEKTORALE BINDËSE:
Gjatë një interviste në NTV-me gazetarin e mirënjohur Red VARAKU, ndër të tjera.
👉Partia Lëvizja e Legalitetit, hap pas hapi, në pregatitje të infrastrukturës për marrjen pjesë në zgjedhjet e ardhshme si një alternativë e djathtë me platformë elektorale të qartë bindëse.
👉Të kthejmë krenarinë kombëtare nëpërmjet forcimit të institucioneve shtetërore brenda një shteti të fortë të së drejtës ligjore, kryerjes së reformave që rrisin nivelin e shërbimeve në interes të qytetarve si dhe të forcojmë bashkëpunimin unifikues të çdo faktori rajonal shqiptar në interes të bashkimit kombëtar.
👉Filozofia Zogiste në kohë moderne;
Me besim në Zot, ku primara mbetet Familja, prona, Atdheu dhe Kombi, nën moton “Atdheu mbi të gjitha”, në Shqipëri bërja e shtetit të së drejtës bëhet lehtësisht me një sistem qeverisës Monarki Kushtetuese.
👉Mbreti Zog, burrështetas, strateg, diplomat dhe politikan shumëdimensional, i rrallë në llojin e vet, i cili Shpalljen e Pavarsisë e ktheu në realitet duke u bërë shtetformuesi i shtetit të parë modern shqiptar nën moton “Atdheu Mbi të Gjitha”
Mbreti Zog dhe trashigimtarët e Kurorës Mbretërore, Mbreti Leka dhe sot Princ Leka, gjithmonë në plan të parë kanë vënë interesin kombëtar ku Shqipërinë dhe shqiptarët i kanë parë NJË dhe të bashkuar si komb, ata mbeten unifikuesit e kombit tonë në më të mirën e mundshme sipas çdo të drejte.
Continue Reading

Aktualitet

Vdekja e mistershme e të moshuarve në Dropull, lirohen personat e shoqëruar në polici

Ditën e sotme, u përcollën në banesën e fundit, dy të moshuarit që u gjetën të vdekur dhe me shenja dhune në banesën e tyre. Të afërmit e ardhur nga Greqia dhe bashkëfshatarët në Bodrisht të Dropullit i dhanë lamtumirën e fundit Kosta Ilia, 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia, 88 vjeçe.

Lidhur me ngjarjen e rëndë, e cila vijon ende e pazbardhur, policia ka shoqëruar mbi 10 persona. Ndërkohë pasi kanë dhënë deklarimet e tyre, personat e shoqëruar janë lënë të lirë. Disa pista hetimi janë ngritur për vdekjen e tyre, ku deri tani, nga policia dhe prokuroria është lënë në hije pista e një grabitje të mundshme. Kjo pasi edhe pensioni që i moshuari kishte marrë pak ditë më parë në Greqi iu gjet në portofol. Gjithashtu është hedhur poshtë dhe versioni se çifti mund të ketë vrarë njëri- tjetrin.

Kryefamiljari i cili kishte marrë një plagë në kokë kishte ndërruar jetë në oborrin e shtëpisë ndërsa pak metra larg tij, në brendësi të banesës u gjet e vdekur edhe bashkëshortja gjithashtu me shenja dhune në trup. Sipas policisë të moshuarit u goditën me mjete të forta rrethanore por burime thanë se në vendngjarje nuk është gjetur asnjë mjet i tillë. Për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, grupi hetimor është rikthyer sërish në banesën e të moshuarve. Ekspertët kriminalist janë në pritje të ekzaminimeve të disa provave materiale të marra në brendësi të banesës së çiftit të viktimave.

Continue Reading

Aktualitet

E pazakontë/ Mjeti përplas biçikletën, motorin, makinën, këmbësorin dhe përfundon në lavazh

Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar këtë të premte në rrugën e ish-Kënetës që lidhet me Unazën e qytetit të Durrësit.

Mësohet se një automjet, i cili po udhëtonte me shpejtësi ka humbur kontrollin duke kaluar trafikndarësen e rrugës për të përfunduar në krahun e kundërt.

Gjatë devijimit, automjeti fillimisht ka aksidentuar një biçiklist, një këmbësor, një motor dhe një automjet të parkuar, për t’u përplasur më pas me fasadën e një lavazhi automjetesh.

Burime bëjnë me dije se drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri në automjet kanë marrë dëmtime dhe janë dërguar në spital, ndërsa personat e tjerë të përfshirë në aksident nuk kanë lëndime serioze.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektivë të policisë, të cilët teksa kanë rrethuar vendin e aksidentit deri në përfundim të hetimit, po punojnë për zbardhjen e shkaqeve.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING