Bota
Egjeu në alarm, re të zeza mbi Mesdhe, Athina armatos ishujt, Ankaraja reagon me raketa
Tensionet mes Turqisë dhe Greqisë janë rikthyer në qendër të vëmendjes, pasi Ankaraja i ka dorëzuar Athinës një notë verbale diplomatike, duke kundërshtuar disa prej nismave greke në Egje dhe Mesdheun Lindor.
Sipas gazetës turke “Milliyet”, Turqia paralajmëroi se nuk do të pranojë ndryshime të njëanshme të status quo-së në Egje, ndërsa kundërshtoi edhe iniciativa greke në planifikimin hapësinor, turizëm, energji dhe industri.
Nga ana tjeter, Athina i konsideron nismat të paligjshme.
Paralelisht, Greqia po forcon mbrojtjen ajrore përmes projektit “Mburoja e Akilit”, me sisteme izraelite.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i ka kërkuar Greqisë të ndalojë armatosjen e ishujve me status të çmilitarizuar, duke lëshuar një paralajmërim të drejtpërdrejtë.
“Greqia duhet të tërhiqet nga kjo rrugë e gabuar dhe të ndalojë armatosjen e ishujve me status të çmilitarizuar”, deklaroi Erdogan, duke shtuar: “Kushdo që e lexon qasjen e qetë dhe të matur të Turqisë si dobësi, po bën një gabim të rëndë”.
Erdogan theksoi se Ankaraja nuk kërkon territore të vendeve të tjera, por nuk do të lejojë, sipas tij, cenimin e të drejtave të Turqisë.
Në të njëjtën deklaratë, presidenti turk foli edhe për takimin me Vladimir Putinin në Bishkek, marrëdhëniet me Rusinë, luftën në Ukrainë dhe përpjekjet për paqe. Ai konfirmoi gjithashtu se Turqia do të vijojë zhvillimin e avionit luftarak KAAN dhe sistemeve kombëtare të mbrojtjes ajrore.