Connect with us

Ekonomi

“EKONOMIA NË FOKUS” Prioritetet e buxhetit 2021

 

Kryeministri Edi Rama: Është fakt dhe jo opinion, që buxheti i vitit të ardhëm garanton një volum të konsiderueshëm mbështetjeje financiare për ata që janë më në nevojë. Kini parasysh vetëm faktin që familjet me ndihmë ekonomike do të marrin dyfishin deri në përfundim të kësaj lufte që na ka zënë të gjithëve si pjesë e njerëzimit me armikun e padukshëm.

Mbani parasysh që mjekët, infermierët, bluzat e bardha në tërësi do të kenë një rritje jashtëzakonisht të qenësishme të pagës së tyre. Po të kthehemi në kohë dhe jo përpara 70 vjetësh, por përpara 7 vjetësh dhe të shohim që infermierët paguheshin me 360 mijë lekë të vjetra, atëherë kuptojmë qartësisht se për çfarë flasim.

Mbani parasysh që do të rritet paga e mësuesit.

Mbani parasysh që do të rritet volumi i investimeve në shëndetësi dhe në infrastrukturë.

Transformimi i qenësishëm i infrastrukturës me standarte europiane do të vazhdojë nga veriu në jug.

Mbani parasysh ndërkohë që kemi një front jashtëzakonisht sfidues me luftën kundër armikut të padukshëm, për të cilët do të na dueht të financojmë masivisht për të garantuar vaksinimin e të gjithë shqiptarëve falas, natyrisht jo me detyrim, nuk do të jetë e detyrueshme që të vaksinohen, por për çdo qytetar që do dëshirojë të vaksinohet, vaksina do të jetë falas dhe nuk bëhet fjalë për shifra të vogla.

Nga ana tjetër, mbani parasysh që do të vazhdojmë të kthejmë në shtëpi njerëzit, deri kur familja e fundit në pritje të shtëpisë së re të jetë kthyer në shtëpinë e re. Njësitë individuale dhe apartamentet do të jenë më të mira, më të forta, më të bukura sesa ato që kishin njerëzit kur i humbën, për fat të keq, në tragjedinë e 26 nëntorit.

Mbani parasysh shkollat dhe i keni parë që po ndërtohen shkolla që janë pa asnjë dallim me shkollat në Francë, Gjermani, Angli e ku të doni ju në Europë, pavarësisht se ku ndodhën. Edhe në njësi administrative të vogla, edhe kopshtet janë të një niveli totalisht tjetër.

Mbani parasysh që ka dhe një mori strukturash shëndetësore, duke filluar nga spitali i ri në Kurbin, që do të rindërtohet paralelisht me çfarë do të vazhdojë të ndërtohet në shëndetësi përtej rindërtimit në zonën e prekur nga tërmeti.

E fundit është që në ndërkohë, ne po përgatisim aktin normativ, dhe pavarësisht gjithë këtyre shtrëngesave dhe pengesave të befasishme me të cilat na ka ndeshur tërmeti dhe pandemia, ne do të vendosim 34 milionë dolalrë tani për pensionistët për Vitin e Ri. Nuk do t’ju heqim asnjë qindarkë nga ajo që kishim planifikuar t’u jepnim pa rënë tërmeti e pa ardhur COVID-i.

Nuk janë pak të gjitha këto dhe në kushtet për të cilat flasim, janë shumë. Mund ta them me plot gojën, janë shumë nga pikëpamja e angazhimit tonë, jo nga pikëpamja e shumave që asnjëherë nuk mjaftojnë, patjetër. Qëllimi ynë është që të vazhdojmë t’i rrisim në funksion të qytetarëve.

Një gjë dua ta them. Kush i thotë kësaj qeverie që është qeveri e një pakice, është qeveri e 10 oligarkëve, është qeveri e të pasurve, i merr të keqen, sepse e kundërta është e vërtetë. Është dashur të vijë kjo qeveri, – kjo shumicë qeverisëse më saktë, – përpara 7 vjetësh e dy muajsh të ulej në tryezë për të bërë detyrën, që të pasurit të paguajnë më shumë dhe ata që fitojnë më pak të paguajnë më pak. Kjo është pak, por e sigurtë. Ashtu sikundër kush thotë që në Shqipëri e mori flama biznesin e vogël, nuk di se ç’flet sepse sot që flasim kemi 3-fishin e të punësuarve në biznesin e vogël, krahasuar me 7 vjet e dy muaj më pare dhe kemi 3-fishin e bizneseve të vogla sot, në Shqipëri.

Natyrisht, nuk bëjnë lajm këto. Lajm bëjnë të tjera gjëra dhe këtë ne nuk e korrigjojmë dot, nuk kemi si e bëjmë, megjithëse ju kemi xhan shumë, por hall i madh na ka zënë me të gjithë ju që jeni këtu në ekran.

Merrni fjalën dhe bëni çfarë pyetje dëshironi. Mendoj që Elias i takon fjala si veterane mes gjithë këtij grupi të rinjsh.

– Faleminderit Kryeministër. Duke qenë se ministrat ishtin shterues, veçanërisht ministri i Rindërtimit e më pas këmi pasur dy javë kohë të përgatiteshim, duke ju përmbajtur gjithashtu dhe marrëveshjes që kemi, për të bërë dy kronika, nëse ka shumë tema, unë desha të bëja një pyetje që ka lidhje me situatën aktuale sociale, politike. A mendoni ju t’u përgjigjeni pozitivisht thirrjes së protestuesve që sot kanë hyrë në ditën e tyre të 7, për të larguar nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit?

A e shikoni këtë protestë thjesht si zemëratë ndaj policit që qëlloi ndaj 25-vjeçarit, apo ashtu siç mendon një pjesë e opinionit publik, si një akumulim, si një revoltë e akumuluar kundër qeverisë tuaj?

Po merrni kohë për emrin e ministrit të Brendshëm, që të gjeni një emër, i cili të marrë dhe pëlqimin e Presidentit të Republikës, për të mos patur të njejtën situatë si me ministrin e Jashtëm, pra, të kemi një dekret për ministrin e Brendshëm nga Presidenti i Republikës?

Kryeministri Edi Rama: Me mirëbesimin që, Elia, do t’i qëndrosh paktit e do bësh kronika, një për buxhetin e një për aktualitetin, megjithëse unë mendoj që buxheti është pjesë e aktualitetit, unë do t’i jap përgjigjet.

Së pari, mendoj që është fatkeqësi e madhe që njerëz me eksperiencë, njerëz me prani publike, njerëz me përgjegjësi publike, si ata të cilët ashtëquhen analistë apo opinionistë, që shfaqen nëpër ekranet tuaja, apo shprehin opinionet e tyre nëpër portale, të jenë kaq të pandjeshëm, kaq të ndërkryer ndaj qeverisë dhe kaq të mbushur me një ndjenjë hakmarrjeje për njëmijë e një arsye të tyre, sa të mos e ngrenë zërin për një fakt tmerrësisht të trishtueshëm që është shfaqur këto ditë në Shqipëri, për faktin e abuzimit me të miturit. Ta interpretosh këtë shfaqje abuzimi me të miturit si shpërthimin e një zemërate popullore, si shembëllturën e një revolte genuine që vjen nga një frustrim i brendshëm i qeverisë, si një shembull për t’u marrë sa i përket vandalizmave, do të thotë që vërtetë duhet të ndjehemi të alarmuar, jo unë si kryeministër. Nuk flas fare për kryeministrin, nuk flas fare këtu për qeverinë. Qeveritë shkojnë e vijnë, kryeministrat shkojnë e vijnë. Dikush rri më apk, dikush më shumë, por në fund të ditës, askush nuk lind kryeministër dhe askush nuk vdes kryeministër. Përpara se të jesh kryeministër dhe pasi ke qenë kryeministër, je qytetar i këtij vendi, je prind në këtë vend, je edhe pasues i të tjerëve që kanë qenë përpara teje si banorë të këtij vendi dhe të tjerë pas teje do të vijnë. Është përtej skandalozës, është një turp i pashoq të shikosh njerëz që mund të kenë të gjithë arsyet e tyre, më pëlqen apo s’më pëlqen mua, më vjen mirë apo s’më vjen mirë mua, jam dakord apo s’jam dakord unë, janë të drejta apo të padrejta për të pasur të gjithë angazhimin e tyre me mish e me shpirt kundër meje dhe kundër qeverisë, por që të arrijnë deri në këtë pikë dhe ti’ riabuzojnë të miturit, duke i përdorur si argument për të vazhduar të pikturojnë një panoramë të një revolucioni latent, të cilin kanë kohë që e nxisin dhe e presin, është rënie në një nivel që nga pikëpamja humane është katastrofë. Nuk gjej fjalët për të arritur të arsyetoj analistë që predikojnë dhunën, komentatorë që relativizojnë vandalizmin, opinionistë që argumentojnë dobinë që ka për shoqërinë djegia e objekteve të pronës publike; Ҫfarë problemi ka se po thyejnë, se po djegin, se po prishin, kjo nuk është problem, përkundrazi, pak po bëjnë.

Ky është fundi. Nuk e kam gjetur as tek filozofët dhe teoricienët e ekstremit të majtë në Francë, që janë të mirënjohur për teorizimin e dhunës si mënyrë për t’u bërë zotërues i fatit tënd në kushte humbje lirie që në protestat denbabaden të Francës, të nxjerrin një fjalë për ta amnistuar dhunën. Nuk e kam gjetur.

Kush është shqetësimi im sot, meqë më pyete, dhe po flas shumë i zhveshur nga pozicioni. Shqetësimi im është si mund të arrihet deri këtu. Boko Haram është një organizatë famëkeqe terroriste që sot ka marrë stafetën e të tjera forcave që në histori kanë shfrytëzuar të miturit. Si mund të ndodhë kjo në Shqipëri?! Nuk janë ata fëmijë të vetëdijshëm për atë që bëjnë, nuk janë ata fëmijë të motivuar nga politika në qenien e tyre, apo nga ideja e një drejtësie. Ata fëmijë janë të abuzuar. Janë të përdorur si mish për top. Si mund të them unë që ata minorenë që vandalizuan selinë e Partisë Socialiste në Shkodër janë fajtorë? Ata nuk janë as fajtorë dhe nuk janë as të vetëdjshëm për atë që bëjnë. Sigurisht që ata janë fëmijë me familje që kanë problematikat e tyre, por ata që janë pas tyre janë kriminelë. Ata që e teorizojnë nëpër televizorë, nëpër debate, nëpër komente këtë konvulsion të stimuluar me fëmijët, bëjnë një akt kriminal, moralisht kriminal. Si mundet!

Ҫfarë i thonë këta të rinjve të Shqipërisë? Ҫfarë i thonë këta popullit shqiptar?

Dilni e bëni kështu, sepse kjo është rruga për të përmbysur regjimin? Cilin regjim? Qeveria jonë mund të ketë njëmijë e një arsye për t’u kontestuar, por kontestimi bëhet me protestë paqësore dhe bëhet me votë.

Kthehuni pak në historinë e qeverisjes sonë.

Cilat janë protestat që kanë funksionuar në arritjen e qëllimeve të tyre? Protestat e dhunshme, appo protestat paqësore?

Po të ishte kjo një protestë, siç përpiqen ta teorizojnë, të jenë të sigurt që do ishin aty të gjithë gjimnazistët e Shqipërisë, siç ishin për armët kimike. Të jenë të sigurtë, do ishin aty të gjithë studentët e Shqipërisë, siç ishin për armët kimike. Nuk kanë djegur asnjë fije bari, nuk kanë qëlluar asnjë guralec. Kanë dalë në protestë dhe e kanë kthyer mbrapsht një nismë që pa ata mund të kishte shkuar në drejtim tjetër. Sepse kjo qeveri mund të ketë shumë të meta, por nuk ka të metën që të jetë shurdhe dhe e pavëmendshme ndaj protestës.

E njëjta gjë, protesta e studentëve. Në protestën e studentëve, përjashto disa eksese të shkaktuara nga disa ndotës të mjedisit demokratik që u infiltruan në protestë, ishte paqësore nga fillimi deri në fund, por arriti qëllimin. Pse, se u trembëm ne nga gurët? U trembëm nga zjarri? U trembëm nga thyerjet e semaforëve?

Jo, por sepse vetëdija ime dhe qasja jonë është që të jemi të vëmendshëm, të dëgjojmë, të reflektojmë dhe qeveria nuk është e fortë kur thotë gjithmonë që unë kam gjithmonë të drejtë. Qeveria është e fortë kur bën gjënë e drejtë. Nëse gjënë e drejtë të ndihmojë ta kuptosh e pastaj ta bësh, ata që dalin kundër për diçka që ti e ke bërë ndryshe, apo do ta bësh ndryshe, nuk ka problem, aq më mirë, rëndësi ka të bëhet gjëja e drejtë.

Disa mendojnë që në Kukës, ne na zmbrapsen ata që ishin pjesë e një falange të nxitur për të djegur. Jo, nuk është absolutisht e vërtetë. Jo një herë dhe jo një grup njerëzish, por shumë më tepër se aq të ngrihen e të hidhen përpjetë, nëse nuk kanë të drejtë e nëse nuk kanë argument, nuk ndodh ta zmbrapsin qeverinë për sa kohë unë do jem në krye të saj. Por ne reflektuam sepse të gjithë banorët e Kukësit kishin të drejtë, sepse ai komunitet kishte të drejtë. Plani i paraqitur nga qeveria në atë kohë, në raport me ta, ishte i padrejtë. Qeveria nuk vlerësohet nëse ka gjithmonë të drejtë. Qeveria vlerësohet edhe kur nuk ka të drejtë, kupton që cila është e drejta dhe bën gjënë e drejtë, pavarësisht se në rastet që përmenda, apo në raste të tjera, gjëja e drejtë arrihet falë njerëzve.

Demokracia nuk është një sistem i përsosur. Çurçilli ka thënë që është sistemi më i keq, po të mos i llogarisim sistemet e tjera. Që do të thotë që asnjë qeveri nuk e ka gjithmonë të drejtën me vete në çdo gjë që mendon, në çdo gjë që projekton, në çdo gjë që bën. Prandaj e drejta e protestës është e padiskutueshme, e pacënueshme, e pa anashkalueshme, por kjo nuk do të thotë që protestuesit kanë gjithmonë të drejtë. Kur kanë të drejtë, kanë të drejtë dhe aty ndahen qeveritë demokratike me qeveritë që mund të jenë zgjedhur demokratisht, por nuk janë demokratike. Aty ndahet edhe qeveria jonë në këto 7 vite me qeverinë që kemi pasur përpara.

Vijmë tek pyetja tjetër. Si mundet të vihet në diskutim tani, që nga rruga, jo këta, por sikur të ishin 500 mijë veta paskëtaj, të kërkojnë të iki edhe drejtori i Policisë? Nuk vendoset në rrugë se kush ikën e kush rri, vendoset në bazë të çfarë është e drejtë. Ishte e drejtë që qeveria të kërkonte ndjesë, jo se kishte gisht në tragjedinë që ndodhi, por sepse djalin 25-vjeçar e vrau arma e shtetit. Ishte e drejtë që ministri i Brendshëm të këmbëngulte që duhet të largohej, jo se kishte përgjegjësi, as direkte, as indirekte në ngjarje, por sepse ishte e drejtë që mesazhi i pjesëmarrjes në dhimbjen e asaj familje të mos ishte vetëm me fjalë e që moralisht ministri Brendshëm të thoshte atë që tha.

Por këto nuk janë bërë si rezultat i protestës që të jemi shumë të qartë, në kuptimin e atyre njerëzve që ishin atje. Edhe unë, po të mos isha kryeministër, do kisha dalë në protestë, pa diskutim. Por jo në këto protesta. Do kisha dalë në atë protestën e parë, jo për të shkuar për t’ju hedhur në fyt policëve atje e për të kapur kanatet e dritareve të Ministrisë së Brendshme e për të lëshuar gojën, por për të dëshmuar indinjatë, qytetarisht. Dhe për të dëshmuar vendosmërinë qytetare për të kërkuar drejtësi.

Thënë të gjitha këto, mos harroni thelbin që, qysh në momentin e pare, ndaj ngjarjes është mbajtur qëndrimi më korrekt dhe më profesional. Sikur të mos ishin disa nga ju, – jo ju që jeni këtu në ekran, por disa nga mediat, – sigurisht që ngjarja dhe qëndrimi ndaj saj nuk do ishin ndotur nga lloj – lloj marrëzish që janë shkruar.

SHҪBA-ja ka marrë menjëherë përsipër atë që i takonte, sepse nuk mundej dot Policia e Shtetit të hetonte diçka që kishte ardhur si rezultat i veprimit ekstrem të një punonjësi policie dhe në bashkëpunim me prokurorinë kanë bërë një punë të shkëlqyer. Ndërkohë, autori jo vetëm u ndalua menjëherë, por doli dhe përpara gjyqit. Atëherë çfarë kërkojnë këta?

Duan të vazhdojnë ciklin e revolucionit imagjinar që ka dy vjet e gjysmë që rrotullohet në radaken e Ilir Metës dhe të Saliut? Mua më vjen keq për Lulzim Bashën dhe është një tjetër rast që provon se Lulzim Basha është një lider pa pikë karakteri, sepse jam i bindur që Lulzim Basha nuk ka asnjë lidhje me këto që ndodhin, por kjo nuk e pafajëson. Kjo e bën dyfish fajtor, sepse, nëse do të ishte lideri i opozitës, do duhet të dilte dhe të thoshte që këto janë të papranueshme e kjo nuk është rruga për të ardhur në pushtet, se në pushtet vihet me zgjedhje. Por si gjithmonë, ai është i papranishëm në momentin e duhur dhe në vendin e duhur, për të thënë gjënë e duhur. Mungon.

Kjo që ndodh nuk është asgjë tjetër e nuk ka lidhje fare me këto frustracionet, me këto zemëratat e me këto teoritë e atyre që vazhdojnë bredhin studiove dhe gërrdufen atje si komentatorë supremë të jetës morale e të jetës sociale, por është vetëm një tjetër akt i degradimit të Ilir Metës dhe të Sali Berishës. Këta të dy janë pas asaj. Këta janë ata që kanë predikuar revolucione, prerje duarsh e populli që do marrë përpara e ku di unë, të gjithë këto. Ja ku i keni atje! Është shumë e thjeshtë kjo. Këtë e dinë edhe peshqit e liqenit artificial. Këtë e dini dhe ju që jeni aty. Jam i bindur që secili e secila nga ju e di këtë që po them unë tani. Këtë e di çdo shqiptar, le të jetë i majtë, i djathtë, është dakord, nuk është dakord, por ama e di. Këtë e dinë dhe ata që teorizojnë dhunën. Këtë e dinë dhe ata që thonë, po çfarë problemi ka se u dogj pema e Vitit të Ri? Ҫ’rëndësi kanë zbukurimet?

Pse kështu flitet? Çfarë i thotë kjo mënyrë të foluri, një familje që i ndjek këta në televizor e që i ka fëmijët aty, ulur bashkë, gjyshi, gjyshja, babai, nëna dhe fëmijët? Çfarë edukojnë këta? Punë e madhe shumë se u dogj?! Domethënë, edhe fëmija në shtëpi, kur ndjen se po bëhet një padrejtësi në shtëpi, t’i vëri zjarrin shtëpisë, nuk ka problem, rëndësi ka që të lulëzojë demokracia brenda shtëpisë.

E fundit për sa i përket zëvendësimit të ministrit, është thjesht çështje pak kohe, nuk ka lidhje me atë që the.

– Pse u desh një akt normativ për t’i akorduar një pension familjes Rasha dhe nuk kaloi në procedurë normale? Kush ishte urgjenca?

Së dyti, po në këtë akt normativ është ndërhyrë me një ndryshim për humbjen aksidentale të shkaktuar nga punonjës të organeve ligjzbatuese, për pensionin. A mendoni që, duke vendosur këtë togfjalësh “aksidentalisht”, ju jeni veshur në rolin e gjykatësit dhe keni dhënë një atribut që nuk duhet ta jepnit për sa kohë ende gjykata nuk është shprehur për efektivin e policisë mbi aktin e bërë ndaj Klodian Rashës?

Kryeministri Edi Rama: Kjo është një nga çorbat që keni bërë ju. Një çorbë që ka trazuar shpirtërat e njerëzve për shkak të ose qëllimit të keq, ose padijes. E para, nuk është akt normativ, është një vendim qeverie. E dyta, pikërisht se qeveria nuk është gjykatë dhe pikërisht pse qeveria nuk mund të marrë përsipër të bëjë rolin e gjykatës, është përdorur thjesht dhe vetëm një term juridik, teknik, për të përcaktuar arsyen e dhënies së pensionit dhe është thënë aksidentalisht nga veprimi i forcave policore. Çfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë që personi që humbi jetën tragjikisht nuk ka qenë objekt i ndonjë misioni policer, por ka humbur jetën në kushte të një përplasjeje aksidentale. Kjo nuk përcakton që personi është vrarë me një plumb që ka ardhur nga qielli. Kjo thjesht përcakton që humbja e jetës është rezultat i një përplasjeje aksidentale. Pastaj, në këtë përplasje aksidentale që nuk ak qenë pjesë e një operacioni, nuk ka qenë e lidhur me një zinxhir komande, se ka raste kur policia vendos në një operacion që një person i rrezikshëm duhet asgjësuar, ka pasur raste. Ky nuk është rasti dhe pikërisht për të mos marrë përsipër të bëjmë gjykatën, por thjesht për të dhënë atë kontribut, atë pension që është shprehje e solidaritetit me familjen, që është shprehje e motivit pse dhe si ne e kuptojmë këtë detyrë, kur themi ti nuk do jesh kurrë vetëm në hallin që të ka zënë apo në problemin që ke, është trajtuar me këtë tekst. Por kjo nuk ka lidhje me aksidentin në kuptimin e vendosjes së një fjale përfundimtare mbi çështjen gjyqësore. Çështja gjyqësore është më vete. Kjo është e gjitha. E po të ishte aksident, pra, po të kishte humbur jetën se i erdh një plumb rikoshet nga një aksion policie që u zhvillua aty pranë, nuk do merrte pension. Ka ndodhur që të jetë vrarë një qytetar i pafajshëm, ndërkohë që policia ka qenë duke u përplasur me të tjerë, nuk ka qenë rasti për t’i dhënë pension. Në këtë rast është pjesëmarrja e shteti dhe e qeverisë në këtë dhimbje, e cila filloi me një ndjesë dhe e cila vazhdon me një hap tjetër që nuk e sjell në jetë më fatkeqin, por që, sidoqoftë, shpreh në mënyrë simbolike të qenurit pranë prindërve të tij.

– Dua të ndalem tek raporti i FMN-së, i cili i kërkon qeverisë të tregojë shumë kujdes me shpenzimet, ngre disa shqetësime serioze, duke i cilësuar paketat e ndihmës ekonomike ndër më të ulëtat në rajon. Rindërtimi ka ecur shumë ngadalë, është realizuar 8% nga ky proces dhe kërkon transparencë për këtë proces. Ndërkohë që FMN-ja na kërkon të jemi të kujdeshëm me shpenzimet dhe të ruajmë një fond për pandeminë, pasi nuk dihet se si do të shkojë situata, qeveria hap garën për tunelin e Llogarasë, duke parashikuar rreth 4 miliardë lekë për vitin 2021 për këtë çështje. Ishte i nevojshëm ky konçesion në këto momente ku ndodhet vendi.

-Zoti Kryeministër, ju keni qenë në SHBA për të siguruar vaksinën kundër COVID-19. Jeni kthyer duarbosh nga SHBA-ja, pa një marrëveshje. Si do t’u përgjigjeshit gojëve të liga, të cilat thonë se keni takuar kreun e Pfizer-it në një muze dhe fotot që kanë dalë gjatë qëndrimit tuaj atje, ndërsa bënit pazar.

-Pyetja e tretë lidhet me sjelljen e Policisë së Shtetit në vazhdimësi. Ka patur disa muaj më parë një rrjahje të një 15- vjeçari, ku drejtori i policies, Ardi Veliu doli dhe nuk kërkoi falje për dhunën, por bëri bioghrafinë e nënës së të dhunuarit. Ndërkohë kemi parë artistë dhe qytetarë që janë shoqëruar me dhunë gjatë protestave për teatrin dhe këto ditë të fundit kemi parë dhunë ndaj të miturve dhe protestuesve, të cilët nuk kanë kundërshtuar shoqërimin dhe kanë qenë duke protestuar paqësisht. A mendoni se duhet të distancoheni nga këto akte dhune dhe ka nevojë për një reformim të Policisë së Shtetit në këtë situatë?

Kryeministri Edi Rama: Unë mendoj që, – e mendoj, por nuk e shpresoj që Syri të distancohet nga avazi i gënjeshtrave në çdo gjë që thotë, – me qëllim apo qëllim ke thënë vetëm gënjeshtra deri tani. Gënjen kur thua që po bëjmë koncesion. Nuk është koncesion. Pse e thua?

Në këtë rast shpresoj që fatkeqësia të jetë thjeshtë padija. Por nuk jam i bindur që është padija, mendoj që është më shumë e mundur të jetë e qëllimshme. Pse thua që “po bëni koncesion”, ndërkohë që populli po vuan? Nuk është një koncesion, është një vepër publike me fonde të buxhetit të shtetit. Mund të ishte dhe koncesion. Partia e “Syrit” dhe “Syri” i partisë janë ndër ndotësit më të mëdhenj të mjedisit të debatit publik dhe i kanë bërë koncesionet si shfaqe të huaja. Koncesionet, as nuk i kemi shpikur ne dhe as jemi ne që duhet t’i kthjejmë në blasfemi apo herezi. Koncesionet janë instrumente, varet si i bën, varet si i përdor. Ndryshimi midis nesh dhe partisë së “Syrit” dhe “Syrit” të partisë është që ne vërtetë kemi bërë disa koncesione, por që janë në shërbim të popullit shqiptar. Koncesionet tona nuk kanë rritur në asnjë rast shpenzimet e popullit shqiptar.

Kemi bërë koncesion për dializën dhe nuk i kemi thënë atyre që duhet të bëjnë dializën, paguani ju më shumë tani, sepse ne kemi bërë koncesion. Përkundrazi, është falas. Kemi bërë koncesion për instrumentat mjeksorë dhe nuk u kemi thënë nënave që shkojnë të lindin, që, meqë i kemi zëvendësuar ato gërshërët e ndryshkura të miqësisë shqiptaro-kineze, me të cilat thereshit për të lindur një fëmijë dhe rrinit pastaj, me ditë të tëra me infeksion, me këto instrumentat e reja, ju duhet të paguani tani. Zero.

Kemi bërë koncesion për kontrollin mjeksor bazë të shqiptarëve, që ishte i vetmi popull që nuk e prekte njeri me dorë dhe shfaqej në spital kur sëmundja ishte bërë e pashërueshme. Me atë koncesion kemi ndihmuar shumë e shumë njerëz që të dinë se çfarë kanë në trup dhe kemi marrë masa. Kemi shpëtuar jetë njerëzish, por nuk u kemi thënë paguani meqë kemi bërë koncesion. Është falas.

Kemi bërë koncesion për plehrat, por nuk u kemi thënë njerëzve paguani qimet e kokës, se ne po pastrojmë qytetin.

Kurse koncesionet që bënte “Syri” i partisë dhe partia e “Syrit” janë ato që, kur kalon doganën me një kamion, edhe po nuk u fute në skaner, duhet të paguash skanerin dhe kur skanohesh, duhet të paguash skanerin. Pra, i thua privatit investo dhe pastaj i thua popullit paguaje. E duhet t’ju vijë turp si parti dhe si “Sy”. Nuk kam gjë me ty, kuptohet. Ti je thjeshtë përcjellësja.

E dyta, gënjeve kur the Ardi Veliu nuk ka kërkuar falje. Ardi Veliu është shprehur gabim në një bisedë në Komisionin Parlamentar, duke shkëmbyer me deputetët dhe pa qenë i vetëdishëm që ishte duke u filmuar. Imagjino sikur të kishim kamera dhe të filmonim çfarë thotë Ilir Meta me Saliun kur takohen në Lalëz për minorenët, se si duhen hedhur në zjarr, p.sh. Apo cilido prej nesh që në një moment të caktuar mund të thotë diçka. Ardi Veliu ka kërkuar falje, sa për dijeni, meqë më the që s’ka kërkuar falje.

Faljen, ndjesën në këtë vend e ka futur kjo qeveri. Nëse ti më tregon një kryeministër para meje që ka kërkuar falje në këtë vend për ndonjë gjë, hajdeni bëhemi dy. Mendoj që është minimumi, që një ministër, një kryeministër, një drejtues duhet të bëjë për të qenë dinjitoz në detyrën e tij që, kur ai vetë ose struktura që ai përfaqson, thotë “ndjesë, gabova”.

E treta, për pazarin tim, meqë më keni parë duke bërë pazar në Amerikë. Ne kemi shkuar në New York, tre ditë përpara takimit, sepse rregulli i shtetit të New Yorkut është karantinimi tre ditë, përpara se të dalësh dhe të bësh çfarë ke për të bërë atje. Na është dashur të shkojmë tre ditë përpara dhe me mirëkuptimin e tyre nuk kemi qenë komplet të burgosur në hotel. Por nuk më keni parë mua as tek Gucci, as tek Çuçi. Më kanë bërë një fotografi në një dyqan bojrash, kancelarie. Po ta shikoni, është një kancelari. Sa për dijeni, edhe sikur të isha në një dyqan tjetër, nuk do të ishte një krim. Kur shkoj jashtë, nëse ndonjëherë blej ndonjë gjë, ose janë bojra, ose rroba sportive. Mund të blija edhe gjëra të tjera, çfarë problemi ka? Bëjnë fotografi duke ecur në rrugë, thonë ky bën xhiro.

Tjetra, që paskam dalë me CEO-n e Pfizer-it fotografi në një muze dhe në fakt, nuk keni faj, sepse ju mendoni që të jetë zyrë duhet të ketë pushkë në sfond, nuk mund të ketë piktura në zyrë CEO i Pfizer. Ose duhet të ketë fotografi me dy gishta. Po nuk pati njerëz me dy gishta dhe pushkë, nuk quhet që është në zyrë, në seli, quhet që është në muze. Ajo është zyra qendrore e Pfizer-it. Siç e thashë, kemi shkuar tre ditë përpara për shkak të rregullit të New York-ut. Kemi shfrytëzuar atë kohë dhe kemi dalë me leje nga autoritetet për takime dhe nuk kemi takuar vetëm CEO-n e Pfizer-it, por kemi takuar edhe Rigeneron-in dhe kemi pasur një bisedë për të bërë atë që di unë të bëj jo për veten time, – për veten time nuk ia kam shtrirë dorën ndonjëherë ndonjë njeriu, nuk i jam lutur ndonjëherë ndonjë njeriu, fatmirësisht nuk kam pasur rastin, – por për të shtrirë dorën për popullin e për vendin tim. Siç e kam bërë për tërmetin, po e bëj edhe për vaksinën, se nuk dua që ne të mbetemi në pritje se kur do na japë BE-ja tepricat e vaksinës që do ndajnë me njëri-tjetrin e pastaj do ia japin Ballkanit Perëndimor tepricat. Mund të na i japin tepricat më shpejt, mund të na i japin më vonë, por unë nuk do rri të pres. Unë dua ta sjell vaksinën këtu në fillim të vitit. Prandaj kam vajtur atje. Nuk kam vajtur as për të blerë bojra, as tuta.

Për ta mbyllur, ka një fjalë shumë të mençur që thotë, “kush të akuzon për çka nuk e ke bërë, ose e ka bërë vetë, ose do ta bënte vetë, po të ishte në vendin tënd.”

Nganjëherë mjaft është mjaft.

Sa për rindërtimin, ne po rindërtojmë më shpejt se të gjitha vendet që janë përballur me këtë situatë. Ta them me garanci këtë. Pastaj, se ku e ka thënë FMN-ja dhe sesi e sheh FMN-ja, unë nuk e di, por, në qoftë se e ka thënë FMN-ja, edhe FMN-së i them, ia fusin kot në këtë rast. Edhe në FMN njerëz janë, nuk janë të ardhur nga marsi.

– Zoti Kryeministër, vendimi i Sandër Leshaj për t’u dorëhequr ishte një vendim i drejtë, edhe pse ai nuk kishte një lidhje direkte apo indirekte. Pse është kaq i padrejtë vendimi për t’u mos u larguar Ardi Veliu nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kur ai ka një lidhje të drejtpërdrejtë, sepse efektivi që qëlloi 25-vjeçarin Klodian Rasha është një vartës i tij?

Kryeministri Edi Rama: Edhe këtu përpara dritateve janë vrarë njerëz dhe kryetari i PD-së, Zoti Basha siç e quani ju, Luli siç e quaj unë, ka qenë ministër i Brendshëm dhe jo nuk ka dhënë dorëheqjen, por sot që flasim, pyeteni çfarë mendon ai për atë tragjedi, për atë krim që nuk ishte një aksident në një cep të Tiranës, natën, ku një efektiv policie i merr jetën tjetrit në rrethana komplet pa lidhje, por ishte vrasje me paramendim, me komandim etj.. Jo që Ardi Veliu i kohës nuk dha ndonjë dorëheqje, por nga kjo zyrë këtu u urdhërua që Ardi Veliu i kohës të mos zbatonte vendimet e prokurorisë. Kanë qenë gazetarë disa nga ju. A e kuptoni për çfarë po flisni tani? Për çfarë duhet ta japë dorëheqjen Drejtori i Përgjithshëm i Policisë?

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë është një figurë për t’u respektuar nga të gjithë, sepse është njeri i ndershëm, është njeri i drejtë, nuk është i pagabueshëm. Gaboi në një rast, kërkoi ndjesë dhe nuk ka asnjë lidhje me krimin, me korrupsionin e të gjithë pisllëqet që hera-herës, për fat të keq, e kanë njollosur edhe uniformën e Policisë së Shtetit. Dorëheqja e ministrit të Brendshëm është një akt aq shumë qytetar, sa për fat të keq, shumëkush nga qytetarët që kontibuojnë në debatin pubik as nuk e kuptojnë fare.

– Në fillim të mandatit tuaj të parë ju bvbarazuar skemën e rimbursimit të produkteve që kalonte nga fermerët tek grumbulluesit dhe 20% në shitje, por përpara dy viteve vendosët sërish ta kthenit 6% për grumbulluesit kur e marrin nga fermeri, me 20% kur e shesin. Edhe fermerët, edhe grumbulluesit ankohen se skema është e papërshtatshme dhe se po i falimenton, sidomos për shkak se çmimi i ardhur nga importi është më i ulët se tregu vendas. A mund të na tregoni përse e bëtë këtë ndryshim dhe përse nuk është reflektuar në buxhetin e ardhshëm kjo kërkesë.

Pyetja e dytë ka të bëjë me dekretin e Presidentit Meta, i cili refuzoi ta miratojë buxhetin e vitit 2021, me argumentin kryesor se nuk mbulon nevojat për përballimin e pandemisë dhe gjithashtu se nuk ndihmon biznesin e vogël, duke thelluar varfërinë. A do të bëni ndonjë reflektim në buxhet, duke qenë se kemi dhe dy javë kohë?

Përveç pensionistëve, a është parashikuar ndonjë pagë e 13-të apo shpërblim për punonjësit e administratës shtetërore, duke qenë se janë ndër kategoritë më të goditura gjatë këtij viti të pandemisë?

Kryeministri Edi Rama: Punonjësit e administratave shtetërore nuk janë ndër kategoritë më të goditura gjatë vitit të pandemisë. Nuk e di ku bazohet ky konkluzion, por punonjësit e administratave shtetërore nuk janë ndër kategoritë e goditura. Natyrisht, këtu nuk kam parasysh mjekët, infermierët dhe mësuesit, për të cilët do kemi rritje pagash të konsiderueshme. Punonjësit e administratës shtetërore nuk janë ndër kategoritë e dëmtuara, nuk iu ka lëvizur vendi i punës, nuk iu ka lëvizur paga, kanë pasur mundësi të punojnë nga shtëpia një pjesë të kohës. Janë të goditur psikologjikisht, siç janë goditur psikologjikisht të gjithë, kanë patur sikletet, siç i kanë pasur të gjithë, por nuk janë një pjesë e goditur. Natyrisht, ne kemi detyrim ndaj pensionistëve dhe pensionistëve do t’u bëjmë atë që kemi bërë edhe kur nuk ra mbi kokë gjithë kjo barrë e madhe. Do ta bëjmë njësoj, pa bërë asnjë kursim për ta. Atë që ju kemi dhënë dhe ju kemi thënë që do t’u japim, do t’ua japim.

Nuk e kuptoj këtë të punonjësve të administratës dhe ne nuk e kemi praktikuar këtë që thua sepse ne kemi rritur në mënyrë të qëndrueshme pagat dhe mendojmë që punonjësit për punën që bëjnë, në raport me sektorë të tjerë, mund të konsiderohen në një pozicion që në kontekstin e përgjithshëm është OK, sot për sot.

Përsa i përket asaj tjetrës, mendoj që shifrat flasin vetë. Nuk ka nevojë se çfarë thotë njëri e tjetri. Eksportet edhe në këtë vit pandemie janë rritur në mënyrë të ndjeshme dhe bujqësia po vazhdon të ecë. Në bujqësi po vazhdojnë të shtohen njerëzit që bëjnë sukses dhe janë ata, të cilët kanë kuptuar se, për të pasur sukses në bujqësi, duhet të organizohesh bashkë me të tjerët.

-Ju deklaruat që do të ketë një fond për shpërblimin e pensionistëve. Kur pritet të nisë shpërndarja e këtij fondi dhe sa pensionistë e përfitojnë. Ndërkohë që ka pasur dhe një ankesë nga bizneset që kanë kërkuar faljen e gjobave dhe kamatëvonesave. Madje u janë drejtuar dhe Ministrisë së Financave me një letër zyrtare. Bëhet fjalë për gjobat dhe kamatëvonesat e vendosura gjatë periudhës së pandemisë, që tashmë kanë filluar të kërkohen nga administrata tatimore.

Kryeministri Edi Rama: Së pari, për pensionistët akti normativ do të kalohet nesër dhe disbursimi do të fillojë një orë e më parë dhe do të përfshihen të gjithë pa përjashtim. Shuma, në mos gaboj është 34 milionë dollarë dhe do të shpërndahen një orë e më parë.

Përsa i përket bizneseve, dua të them shumë thjesht, pa hyrë në detaje, që bizneset kanë pasur dhe do të kenë gjithë mbështetjen tonë, të gjitha lehtësimet e mundshme, por atyre 3-4 figurave të njohura mediatike që dalin dhe u japin zë biznesit, dua t’u përsëris që deti nuk është bërë kos, thjesht si informacion. Meqë shkoj thuajse çdo ditë në Durrës, nuk më rezulton që deti është bërë kos.

-Dëgjova me vëmendje Zonjën Denaj që renditi kredinë sovrane si një nga sukseset e këtij viti, heqja TVSH për biznesin e vogël dhe dhënia e pagave për 300 mijë persona dhe tha që do të vijojë dhe në vitin 2021, pra, do të kemi një tjetër paketë?

Kryeministri Edi Rama: Jo, flasim për garancinë sovrane. Garancia sovrane dhe skema e punësimit do të vazhdojë, pra, e riintegrimit të plotë në punë tw atyre që kanë humbur vendin e punës.

– A parashikoni një program konkret për rritjen e punësimit sepse ishte gjatë këtij viti një nga sektorët më të goditur dhe këtu kam parasysh sidomos turizmin.

Kryeministri Edi Rama: Unë kam parasysh që sot që flasim, në librat e kontributorëve, në librat e të punësuarve, mungojnë nga përpara pandemisë 10 mijë veta. Hendeku është reduktuar në 10 mijë persona, të cilët janë persona që lidhen me biznesin e madh. Ndërkohë që kemi një rritje të numrit të të punësuarve me përpara, pra, keni sot më shumë të punësuar sesa përpara pandemisë në biznesin e vogël.

-Zoti kryeministër, ju folët për dhunën e protestuesve

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk fola për dhunën e protestuesve.

– Evidentuat dhunë të ushtruar nga protestuesit

Kryeministri Edi Rama: Nuk fola për dhumë, mos më vër mua në gojë gjëra që nuk i thashë.

– Ok, pyetja ime është kjo. A mendoni se do të duhet të ketë një hetim nga SHÇBA përsa i përket dhunës që forcat e policisë kanë ushtruar ndaj protestuesve? Janë jo të pakta rastet, kur policët, në momentin që kanë izoluar protestuesit, gjatë shoqërimit të tyre kanë ushtruar dhunë, i kanë goditur.

Kryeministri Edi Rama: Nga e dini ju këtë?

– Videot janë publike zoti kryeministër. Ka pasur raste që persona pa uniformën e policit, pa shnja dalluese. A duhet të ketë një hetim për të?

Kryeministri Edi Rama: Nuk e di kujt i referoheni ju dhe çfarë videosh shikoni ju, nuk e di këtë, mbase keni parë që policia paska ushtruar dhunë ndaj protestuesve gjatë kohës së transportimit. Nuk e di kujt i referoheni. E dyta, pa diskutim që kjo Polici e Shtetit, sot mund të jetë e ngjashme me atë dje, sa është e ngjashme dita me natën. Po të shikoni veprimtarinë e SHҪBA-së në vijimësi, do ta kuptoni plotësisht këtë që po them unë. SHҪBA-ja është një njësi tërësisht e transformuar, fatmirësisht drejtohet nga një oficer policie që ka shërbyer në Policinë e Shtetit me të gjitha qeveritë, nuk mund t’i thotë njeri që është i njëanshëm dhe puna e SHҪBA-së është pa asnjë kompromis me shkeljen e ligjit. Kështu që për çdo rast që mund të ketë të tilla gjëra, SHҪBA-ja do bëjë punën e vetë. Por SHҪBA-ja ama, jo ata që Migjeni i quan derra të kënaqun që shtrihen nëpër kolltuqet e klubeve mediatike dhe flasin për dhunën e policisë. Policia është dhunura, policia nuk ka dhunuar në tërësi. Nëse e marrim pamjen e përgjithshme, pa hyrë në një detaj këtu, një detaj atje që mund të ketë gjëra që nuk shkojnë, policia është dhunuar. Komuniteti është dhunuar, populli shqiptar është dhunuar, kryeqyteti është dhunuar. Ky është fakt. Policia, natyrisht, që ka një punë jashtëzakonisht të vështirë për të qenë proporcionale dhe unë mendoj që Policia e Shteti ka qenë proporcionale, madje, natën e pare, kur protesta qytetare degradoi në një pengamrrje nga një segment brenda saj, Policia e Shteti është përdhunuar, nuk është dhunuar, këtu përpara Kryeministrisë. Është përdhunuar, nuk është dhunuar. E keni parë vetë. Unë personalisht jam ndjerë shumë keq për Policinë e Shtetit atë natë dhe kam kuptuar shpjegimin e bërë që në një farë mënyre, Policia e Shtetit, atë natë ishte e qëllimshme në lejimin e atij përdhunimi, sepse ndjente peshën e keqardhjes për atë që kishte ndodhur si rezultat i aktit të një punonjësi policie dhe qëndroi atje përpara, bjerini çuna sa të keni fuqi.

Por, nëse ju do të bëni pyetje lidhur me këtë, ku të doni ju, tek njerëzit e zakonshëm, tek njerëzit që kanë qenë dhe ata patjetër të tronditur nga ngjarja se çfarë mendojnë ata për këto ditë, do të merrni një përgjigje shumë më të qartë sesa kjo e imja, sepse si kryeministër nuk mund të them më shumë se kaq. Por ata do t’jua japin shumë më të qartë përgjigjen për policinë dhe për dhunuesit, edhe për përdhunuesit e për dhunën, E përsëris, është fatkeqësi e madhe që ka akoma këtu njerëz që nuk e kanë kuptuar që me dhunë, me pahir, me forma presioni, një qeverie që drejtohet nga unë nuk i merret dot asgjë, zero!

Ndërkohë që çdo protestë paqësore që ka të drejtën me vete na ul në tokë, direkt. Është pak, por e sigurtë. Ndërkohë që dhuna është një turp, nuk ka lidhje fare me zgjimin, me ngjalljen, me ringjalljen, është një turp i madh dhe është turp i madh i Saliut dhe i Ilir Metës, meqë thatë çfarë mendon për atë që mendon Ilir Meta për buxhetin. Ilir Meta nuk mendon asgjë tjetër, përveç se si të bëjë përshesh kudo ku sheh një shesh. Edhe buxheti i duket si shesh, për të bërë një përshesh. Në këtë pikë ka degraduar Ilir Meta, për fatin e keq të të gjithëve ne, është jashtë kontrollit. Nuk ka asnjë kontroll më mbi veten. Shikon vetëm shesh, për të bërë përshesh. Çdo gjë, buxheti i shtetit, një ligj për kafshët, një akt nënligjor për fishkëllimat, çfarë të jetë. Kështu që nuk kam asnjë surprizë nga Ilir Meta.

Ilir Meta dhe Saliu janë bashkë, janë të pandarë dhe kanë vetëm një objektiv, si t’ia dalin asaj që nuk kanë për t’ia dalë dot kurrë, që të pengojnë popullin shqiptar që të zgjedhë atë që do, ata që do.

Për ta mbyllur, e përsëris, jam i keqardhur që Lulzim Basha hesht njësoj siç heshtin semaforët e fikur, lidhur me këtë që ndodh. Ai e di shumë mirë se kush e bën. Nuk e bën ai dhe nuk e them fare për diversion, fare, por nuk ka asnjë forcë karakteri, zero, që të dalë e të thotë stop. Nuk urdhëron dot as molotova Ademin. Imagjino! Kryetari i parties, as molotova Ademin nuk e urdhëron dot. Kjo është situate.

Dua ta mbyll me një thirrje për të gjithë prindërit që të ruajnë fëmijët nga Ilir Meta dhe nga Saliu. Është një thirrje shumë serioze, nuk është fare batutë dhe retorikë. Ruani fëmijët nga Ilir Meta nga Saliu!

Faleminderit!​

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekonomi

Guvernatori i BSH Gent Sejko: Inflacioni i çmimeve të produkteve të konsumit ka pësuar rënie

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, në një deklaratë për mediat, pasqyroi situatën ekonomike në vend. Sejko theksoi se inflacioni i çmimeve të produkteve të konsumit ka pësuar rënie.

Sejko thekson se punësimi është në rritje në vend, ashtu sikundër pagat po njohin rritje.

“Inflacioni i çmimit të produkteve të konsumit ka pësuar rënie. Ky inflacion në rënie është bazuar në atë që ndodh në rajon dhe në Europë. Presionet e brendshme inflacioniste janë më të qëndrueshme. Rritja ekonomike ka ardhur nga përshpejtimi i rritjes së investimeve publike, nga ambienti stimulues financiar dhe pritjet pozitive për të ardhmen.

Punësimi në ekonomi u rrit me 0.6 përqind, pagat në sektorin privat u rritën. Zgjerimi i punësimit dhe i pagave ka rritur ekonominë. Tregjet financiare paraqiten të sigurta. Kredia për sektorin privat është zgjeruar akoma më shumë. Rritja ekonomike do të gjejë mbështetjë në shëndetin financiar të kompanive private”, deklaroi guvernatori Sejko.

Continue Reading

Ekonomi

Shqiptarët më të “varfrit” në BE, EUROSTAT: Konsumi dhe të ardhurat më të ulëta

Shqipëria vijon ta ketë të humbur garën për rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj.

Të dhënat e fundit të përditësuara të Eurostat (ky është përditësimi i dytë) tregojnë se vendi vijoi që të ishte i fundit në Europë, si për të ardhurat për frymë në raport me madhësinë e ekonomisë, ashtu dhe për të ardhurat në raport me fuqinë blerëse, me këtë të fundit që është një tregues i mirëqenies materiale të familjeve.

Ndonëse ekonomia po rritet më shpejt sesa rajoni, sërish familjet dhe individët shqiptarë janë më të varfër sesa shtetet e tjera fqinjë, sidomos kur maten për të ardhurat sipas fuqisë blerëse.

Të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ishin sa 34% e mesatares së Bashkimit Europian. Ndonëse në rritje me tre pikë përqindje në raport me vitin e kaluar, sërish Shqipëria është e fundit në Europë (të dhënat për Kosovën nuk raportohen).

Nivelin më të lartë në rajon e ka Mali i Zi, me 50% të mesatares europiane, e ndjekur nga Serbia me 44%, Maqedonia e Veriut me 42% dhe Bosnjë-Hercegovina me 35%.

Përveçse me Bosnjën, diferenca në të ardhura me vendet e tjera të rajonit është thelluar, duke treguar për një zhvillim më të qëndrueshëm të shteteve fqinjë, që kanë arritur të përmirësojnë me ritme më të shpejta mirëqenien e qytetarëve të tyre.

Edhe treguesi tjetër, ai i konsumit individual për frymë, që mat të ardhurat sipas fuqisë blerëse, apo mirëqenien e një familjeje e vendos Shqipërinë në fund, së bashku më Bosnjë Hercegovinën.

Ky tregues është për Shqipërinë sa 41% e mesatares europiane. Përkeqësim ka bërë Bosnjë-Hercegovinë, ku raporti është njëlloj me Shqipërinë në 41%, nga 42% që ishte në përditësimin e parë.

Rekordin e mban Mali i Zi me 63%, Serbia me 53%, Maqedonia e Veriut me 50%.

Sipas Eurostat, Konsumi aktual individual, i referohet të gjitha mallrave dhe shërbimeve të konsumuara aktualisht nga familjet. Megjithëse PBB për frymë është një tregues i rëndësishëm dhe i përdorur gjerësisht i nivelit të mirëqenies ekonomike të vendeve, konsumi për frymë mund të jetë më i dobishëm për krahasimin e mirëqenies relative të konsumatorëve në vende të ndryshme, sqaron INSTAT.

Europa

Në vitin 2022, nivelet e konsumit aktual individual (AIC) në Bashkimin Europian patën dallime të konsiderueshme. E përdorur si masë e mirëqenies materiale të familjeve, AIC për frymë e shprehur në standardet e fuqisë blerëse (PPS) varionte nga 69% në 138% të mesatares së BE-së në vendet e BE-së.

Ashtu si në vitet e mëparshme, Luksemburgu regjistroi nivelin më të lartë të AIC për frymë në BE me 38% mbi mesataren e BE-së, e ndjekur nga Austria dhe Gjermania (të dyja 18% më lart), Holanda (16% më lart) dhe Belgjika (15% më lart). ). Në vitin 2022, nëntë vende të BE-së regjistruan AIC për frymë mbi mesataren e BE-së.

Nivelet më të ulëta të AIC për frymë u regjistruan në Bullgari (31% nën mesataren e BE-së), Hungari (29% më poshtë), Kroaci dhe Letoni (të dyja 24%) dhe Sllovaki (23% më poshtë).

Gjatë tre viteve të fundit, AIC për frymë në raport me mesataren e BE-së ka ndryshuar në shumicën e vendeve të BE-së. Midis viteve 2020 dhe 2022, nivelet e AIC u rritën në 18 vende të BE-së, më së shumti në Bullgari (69% e mesatares së BE-së në 2022 krahasuar me 60% në 2020), Kroaci (76% nga 69%), Rumani (86% nga 81% ), dhe Irlandë (94% nga 89%).

Nga ana tjetër në shtatë vende të BE-së pati rënie të niveleve të konsumit aktual individual.

Uljet më të mëdha u regjistruan në Danimarkë (110% në 2022 kundrejt 121% në 2020), Gjermani (118% kundrejt 124%) dhe Finlandë (109% kundrejt 114%).

Luksemburgu dhe Irlanda ende shënojnë PBB-në më të lartë për frymë në 2022

Në vitin 2022, si në vitin 2020 dhe 2021, Luksemburgu dhe Irlanda shënuan nivelin më të lartë të PBB-së për frymë të shprehur në PPS në BE, në 156% dhe 135% mbi mesataren e BE-së.

Të dhënat tregojnë dallime thelbësore midis vendeve të BE-së për sa i përket PBB-së për frymë, e përdorur për të matur aktivitetin ekonomik. Pas Luksemburgut dhe Irlandës, Danimarka (36% mbi mesataren e BE-së), Holanda (30% më lart), Austria (24% më lart) dhe Belgjika (20% më lart) vijnë në krye të listës me një PBB për frymë më shumë se 20% mbi mesataren.

Në të kundërt, Bullgaria (38% nën mesataren e BE-së), Greqia (33% më poshtë) dhe Sllovakia (29% më poshtë) shënuan PBB-në më të ulët për frymë./monitor

Continue Reading

Ekonomi

Papunësia bie në nivele minimale historike, punësimi nxitet nga shërbimet, por bie në industri

Shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri arriti në 10,5%, në tremujorin e tretë 2023, duke shënuar një rekord historik minimal.

Sipas të dhënave të INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,03 pikë përqindje, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe me 0,2 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2023.

Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 10,1% dhe për gratë 11,1%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e papunësisë është rritur me 0,2 pikë përqindje për burrat dhe është ulur me 0,2 pikë përqindje për gratë.

Ndonëse papunësia ka rënë në shkallë kombëtare, ajo është rritur tek të rinjtë. Sipas INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 22,0 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e papunësisë për të rinjtë, është rritur me 1,6 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e dytë 2023, ky tregues është ulur me 0,3 pikë përqindje.

Shkalla e papunësisë për grupmoshën 30-64 vjeç është 7,6 %. Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 0,1 pikë përqindje dhe krahasuar me tremujorin e mëparshëm ka një ulje me 0,1 pikë përqindje

Punësimi bie në industri, rritet në shërbime

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 67,7%.

Numri i të punësuarve për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i tretë i vitit 2022 në tremujorin e tretë 2023, është rritur me 1,2%. Në terma vjetorë, punësimi ulet me 3,0% në sektorin e bujqësisë dhe me 2,0% në sektorin e industrisë, ndërsa u rrit me 6,1% në sektorin e shërbimeve.

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e tretë 2023, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 1,1%. Punësimi ulet me 2,5% në sektorin e industrisë dhe me 1,3 në sektorin e shërbimeve, ndërsa u rrit me 7,3 në sektorin e bujqësisë.

Shkalla e punësimit për burrat e grupmoshës 15-64 vjeç është 73,4 %, ndërsa për gratë është 62,2%.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e punësimit është rritur për burrat me 1,7 pikë përqindje, ndërsa për gratë është rritur me 2,7 pikë përqindje. Në tremujorin e tretë të vitit 2023 shkalla e punësimit të të rinjve është 44,8%.

Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e punësimit të të rinjve është rritur me 1,1 pikë përqindje dhe në krahasim me tremujorin e dytë 2023 ështe rritur me 0,7 pikë përqindje. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2023, shkalla e punësimit është 78,2%.

Shkalla e punësimit

Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë 2023, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 67,7%. Gjatë këtij tremujori, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 1,6%, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe është rritur me 0,5%, krahasuar me tremujorin e dytë 2023.

Në tremujorin e tretë 2023, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 10.5%, duke pësuar rënie me 0,03 pikë përqind, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022 dhe është ulur me 0,2 pikë përqind, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Në tremujorin e tretë 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 76,1 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 2,7 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 0,3 pikë përqindje.

Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 70,2%, ndërsa për burrat ky tregues është 82,2%. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 12,1 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 2,8 pikë përqindje dhe për burrat me 2,5 pikë përqindje

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 57,5%.

Ky tregues është rritur me 2,6 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe është rritur me 0,8 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e dytë 2023. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 84.6%./Monitor

Continue Reading

Ekonomi

Euro prek nivelin më që ulët që nga korriku, i afrohet pragut të 101 lekëve

Euro e ka mbyllur javën me një rënie të mëtejshme në kursin e këmbimit me Lekun. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të premten me 101.17 lekë, duke humbur 0.75 pikë krahasuar me një ditë më parë. Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut ka prekur nivelin më të ulët që prej datës 25 korrik të këtij viti. Tashmë, kursi ndodhet shumë pranë nivelit minimal historik prej 100.49 lekësh, që u regjistrua në 20 korrik të këtij viti.

Leku vazhdoi të forcohej edhe kundrejt valutave të tjera kryesore. Dollari Amerikan ra më tej në vlerën e 92.89 lekëve, niveli më i ulët që prej datës 2 gusht. Paundi Britanik u këmbye me 117.42 lekë, vlera më e ulët që prej datës 25 korrik.

Kursi i këmbimit tashmë është kthyer në mënyrë të papritur në vlerat e verës, kur prurjet valutore të lidhura kryesisht me turizmin sjellin një efekt të zakonshëm sezonal, që këtë vit ishte gjithsesi shumë më i fortë se kurrë më parë. Por, rikthimi në vlera të përafërta edhe në këtë periudhë të vitit dëshmon për një mbiçmim të monedhës vendase të mbështetur tashmë mbi faktorë më të qëndrueshëm se ata sezonalë.

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, tregu vazhdon të karakterizohet nga një ofertë e lartë e lartë e valutës, të ndërthurrur me një ofertë të pakët të monedhës vendase.
Prurjet e mëdha valutore këtë vit lidhen me shifrat rekord të turizmit hyrës, me nivelet e larta të investimeve të huaja, por edhe me një vit ta favorshëm për sektorin energjetik, i karakterizuar nga eksporte në rritje, sidomos në muajt e vjeshtës. Këto eksporte vlerësohet se kanë pasur një rol në rritje në ofertën për valutë gjatë muajve të fundit.

 

 

Nga ana tjetër, likuiditeti në monedhën vendase është mjaft i shtrënguar. Rritja vjetore e depozitave në lekë pothuajse është stopuar, ndërsa rritja e ofertës monetare të lekut në tërësi (përfshirë depozitat dhe paratë jashtë bankave) është më e ulëta që prej fillimit të vitit 2019. Një rol të rëndësishëm në pakësimin e ofertës së lekut ka luajtur politika fiskale shtrënguese e qeverisë dhe suficiti buxhetor pranë niveleve më të larta historike.

Ky vit po mbyllet me Lekun që ndodhet në pozita më të forta se kurrë më parë në historinë prej afërsisht dy dekadash të këmbimit me Euron. Muaji dhjetor në përgjithësi shoqërohet me një shtim të ofertës valutore, sidomos në pjesën e dytë të tij, të lidhur me kthimin e emigrantëve dhe me një rigjallërim sezonal të turizmit. Historikisht, kjo ka sjellë një farë rënieje të kursit të këmbimit të Euros në javët e fundit të vitit.

Por, nga ana tjetër, tendenca gjithnjë e më e theksuar e qeverisë për ta përqendruar shpenzimin e deficitit buxhetor në muajin dhjetor, mund të japë efektin e kundërt dhe të rimëkëmbë përkohësisht kursin e monedhës europiane. Një fenomen i tillë u vërejt në ditët e fundit të vitit 2022./monitor.al

Continue Reading

Ekonomi

“E premte e zezë” për Euron, kursi me Lekun prek nivelin më të ulët prej fillimit të gushtit

Leku e mbylli javën duke u forcuar më shumë në kursin e këmbimit me të gjitha valutat e huaja kryesore. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të premten me 102.43 lekë, duke humbur rreth 1.5 lekë në harkun e një jave në kursin e këmbimit me monedhën vendase. Ky është niveli më i ulët i kursit të këmbimit Euro-Lek që prej datës 2 gusht.

Rënia e Euros ka tërhequr në rënie të gjitha valutat e tjera kryesore që kuotohen në tregun shqiptar. Dollari Amerikan zbriti në nivelin e 93.9 lekëve dhe në harkun e një jave ka humbur afërsisht 1.7 lekë në kursin e këmbimit. Edhe kursi i Dollarit Amerikan me Lekun ka prekur nivelin më të ulët që prej datës 2 gusht.

Paundi Britanik u këmbye në vlerën e 117.97 lekëve, niveli më i ulët që prej datës 25 korrik.

Prej një muaji, Leku ka nisur një cikël të ri dhe deri diku të papritur mbiçmimi në kursin e këmbimit.

 

 

Sipas burimeve nga tregu, rënia është shpejtuar në dy javët e fundit për shkak të një rritjeje të fortë të ofertës së Euros në tregun valutor. Disa prej kompanive që administrojnë hidrocentrale private kanë shitur sasi të mëdha të Euros gjatë kësaj periudhe. Kushtet e favorshme hidrike kanë rritur prodhimin e energjisë elektrike gjatë vjeshtës, duke bërë që bilanci energjetik në këtë periudhë të jetë pozitiv.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka kryer eksporte të energjisë gjatë muajit nëntor, por, bazuar në informacionet nga tregu, me sa duket, edhe prodhuesit më të vegjël të energjisë kanë eksportuar në sasi të konsiderueshme. Kjo ka sjellë prurje valutore edhe më të mëdha, duke e zhvendosur në ulje kursin e këmbimit mes Euros dhe Lekut.

Oferta e Euros dhe kërkesa për Lekë në muajt e fundit vlerësohet se është ndikuar edhe nga një tendencë e konvertimit në monedhën vendase të kredive të mbajtura në valutë të huaj. Për shkak të kursit të ulët të këmbimit të Euros dhe normave më të ulëta të interesit për kreditë në Lekë, shumë huamarrës kanë shfrytëzuar rastin për të konvertuar valutën e kredisë së tyre.

Nga ana tjetër, rënia e fortë e kursit po ndikohet edhe nga një ofertë mjaft e shtrënguar e Lekut në tregun valutor. Depozitat bankare në lekë paraqiten në stanjacion, ndërsa agregati monetar M2 po shfaq normat më të ulëta të rritjes në pesë vitet e fundit.

Një rol shumë të rëndësishëm në uljen e ofertës së Lekut besohet se ka luajtur suficiti buxhetor rekord i qeverisë shqiptare. Në fund të 10-mujori, vlera e suficitit kishte vlerën e 48 miliardë lekëve, pranë niveleve më të larta historike që ishin regjistruar në fund të muajit shtator.

Pritshmëritë ishin që në muajt e fundit të vitit qeveria të rriste ritmin e shpenzimeve, duke injektuar më shumë Lekë në ekonomi. Mendohej se ky mund të ishte një faktor që mund të sillte një zhvlerësim të përkohshëm të Lekut, por deri tani asgjë e tillë nuk ka ndodhur.

Përkundrazi, kursi i Euros po i drejtohet sërish niveleve më të ulëta historike, që u regjistruan në korrik të këtij viti./Monitor

Continue Reading
Advertisement

TRENDING