Connect with us

Politike

Kryesorja është që secili duhet të bëjë detyrën e vet

Takimin e sotëm do ta zhvillojmë në këtë format (online) si rrjedhojë e faktit që jemi nën imponimin e disa masave të reja, ndër të cilat, masa për të pasur maksimumi 10 persona në çdo rast grumbullimi. Duke qenë se ju që më ndiqni, gazetarët dhe ne së bashku, plus teknika këtu, ishim më shumë se ky numër, atëherë jemi të detyruar ta zhvillojmë këtë takim të radhës në këtë format.

Sot do të fokusohemi tek arsimi, me fokus të posaçëm tek gjithë procesi i rindërtimit, por jo vetëm. Së bashku me mua është ministrja e Arsimit, e cila do të bëjë një panoramë tërësore të aktualitet në arsim.

Përpara se t’ia jap fjalën ministres dhe duke e shkurtuar ndjeshëm këtë here, edhe për shkak të formatit, hyrjen time, dua të nënvizoj faktin se është me një rëndësi të posaçme dhe do kërkoja edhe ndihmën e të gjithëve ju që më ndiqni, që të jemi sa më të vetëdijshëm që kemi në dorë të gjithë, secili në pozicionin e vet, por së bashku si komunitet, si bashkësi që jetojmë në këtë vend, të shmangim qoftë kalimin e spitaleve në një mbingarkesë që do ta bënte praktikisht tejet të vështirë trajtimin normal në vazhdimësi të të gjithë atyre që janë në nevojë dhe qoftë mbylljen e përgjithshme.

Është absolutisht e domosdoshme që secili prej nesh, çdo qytetar dhe qytetare e këtij vendi të vetëdijësohet se ka një rol për të luajtur në këto dy drejtime, në radhë të pare, për të mbrojtur shëndetin e vet dhe të familjes së vet dhe të gjithë të afërmve dhe miqve. Duke bërë këtë, jep një kontribut të jashtëzakonshëm, sado që e çuditshme mund të duket, por është i jashtëzakonshëm kontributi i çdo individi, për të ndihmuar luftën e përditshme dhe të përnatshme që bëhet në vijën e zjarrit, aty ku trajtohen pacientët e prekur me COVID dhe që kanë simptoma të rënda, qoftë për të shmangur një mbyllje, e cila do të kishte edhe pasoja të padëshirueshme në të gjitha aspektet dhe nuk diskutohet në aspektin e ekonomisë së çdo familje dhe të ekonomisë së familjes sonë të përbashkët.

Duke qenë se sot jemi këtu për arsimin dhe duke qenë se kam ndjekur me vemendje që ka, së paku për sa kam mundur unë të konstatoj nga çfarë lexoj në faqen time dhe në rrjetet e mia sociale, një zë të përsëritur për mbylljen e shkollave. Dua ta theksoj edhe njëherë se çfarë hapet dhe se çfarë mbyllet, kjo është përgjegjësi e autoriteteve tona të autorizuara që kanë të gjithë ekspertizën, por patjetër kanë dhe detyrimin ligjor që të marrin vendime në këto kohë kaq të vështira.

Thënë kjo, dëshiroj t’ju përcjell ju dhe nëpërmjet jush të gjithë atyre që na ndjekin aktualisht, apo që do të na ndjekin përmes kronikave tuaja, që, sipas të gjitha të dhënave dhe duke ndjekur të gjitha orientimet e autoriteteve shkencore, shëndetësore në të gjithë vendet, që ne i ndjekim me shumë vëmendje, për të mësuar sa më shumë, shkollat nuk konsiderohen një vatër e nxehtë, por si një hapësirë që si të gjitha hapsirat e tjera kanë potencialin e tyre të rrezikut. Që do të thotë se nga njëra anë është shumë e rëndësishme që masat të zbatohen rigorozisht në çdo shkollë, siç po ndodh, që personeli drejtues dhe personeli pedagogjik të jetë sa më i durueshëm dhe sa më këmbëngulës në zbatimin e tyre. Nga ana tjetër, ajo çka unë kam dëgjuar në mënyrë të përsëritur nga ekspertët tanë, me të cilët e kam konsultuar për të mësuar unë dhe për të mundur ta komunikoj unë këtë temë, është që në vlerësimet e përgjithshme që bëhet lidhur me shkollat, domosdoshmëria për të mbajtur një ekuilibër midis këtij aspekti, pra, mbrojtjes së drejtëpërdrejtë dhe mbrojtjes psikologjike të fëmijëve është në rendin e ditës në këtë vendimarrje.

Sidoqoftë, kjo është një vendimmarrje që i takon autoriteteve tona, nuk më takon mua, nuk na takon ne, nuk i takon askujt që edhe nga shqetësimi, edhe nga pasiguria, edhe nga dëshira për të folur edhe kur s’ka asgjë për të thënë, jep mendime, nganjëherë në mënyrë dhe jo etike, që shkollat duhen mbyllur.

Unë jam shumë i vetëdijshëm për të këtë sfidë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm, por kryesorja është që secili duhet të bëjë detyrën e vet. Kemi nevojë për të kapërcyer këtë provë të madhe të karakterit të secilit dhe të karakterit tonë si komb, si popull, si shoqëri.

Po ia kaloj fjalën ministrës së Arsimit. Pastaj që do të marrim të gjitha pyetjet tuaja, edhe njëherë me kushtin që të vazhdoni të mbani fjalën, siç e keni mbajtur deri tani, për hir të së vërtetës, që tema të mos lihet jashtë përcjelljes tek publiku dhe çfarëdo pyetje që ka secili prej jush, për sa i përket interesit të posaçëm jashtë temës, të trajtohet në kronikat tuaja në mënyrë të veçantë.

Shumë faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Ndërkohë, përpara se t’ua kaloj radhën gazëtarëve që na ndjekin, dua vetëm të bëj një përmbledhje të shkurtër me shifra të procesit të rindërtimit në sistemin arsimor.

Janë 155 objekte arsimore në 11 bashki. Janë18.5 miliardë lekë të vendosura në dispozicion, ose rreth 185 milionë dollarë, nga të cilat janë në realizim 7.5 miliardë nga buxheti i shtetit dhe hyjnë së shpejti në realizim edhe 11 miliardë nga donatorët.

E theksoj këtë për të gjithë ata që janë të paqartë kur ndekin kantierët e rindërtimit, që çfarë kantierësh keni parë deri tani, janë kantiere të financuara plotësisht nga buxheti i shtetit.

Ndërkohë, kantierët e reja që po hapen, janë kantiere që do të financohen nga vendet partnere, duke filluar nga BE-ja që do të financojë ndërtimin e 62 shkollave; qeveria gjermane 3 shkolla; qeveria e Sllovakisë 4 shkolla; qeveria e Sllovenisë 1 shkollë; qeveria e Katarit 3 shkolla. Dhe plus këtyre janë dhe 23 objekte të tjera të reja për financim.

Në proces kemi ose të përfunduara, ose në përfundim e sipër, ose drejt përfundimit objektet e financuara nga buxheti i shtetit, por këtu do t’ju bëj një përmbledhje edhe me objektet që do të financohen nga donatorët dhe që janë tani në fazën e ngritjes së kantiereve, për shkak se procedurat e tyre kanë qenë më të ngadalëta se tonat.

Në Tiranë janë 37 objekte arsimore nga të cilat 30 shkolla të reja, krejtësisht nga e para dhe 7 shkolla për rindërtim të pjesshëm;

Në Durrës – 30 të tjera, 23 për ndërtim nga e para dhe 7 për rindërtim të pjesshëm;

Në Krujë – 18 shkolla, 14 të reja dhe 4 në rindërtim të pjesshëm;

Në Kamëz – 21 objekte, 10 shkolla të reja dhe 11 për rindërtim të pjesshëm;

Në Kavajë -12 objekte, 3 shkolla të reja dhe 9 për rindërtim të pjesshëm;

Në Kurbin – 10 objekte, 6 të reja dhe 4 për rindërtim të pjesshëm;

Në Shijak – 6 objekte, të gjitha të reja;

Në Lezhë – 6 objekte. 1 shkollë e re plotësisht nga e para, shkolla e Shën Kollit që faktikisht është gati dhe 5 për rindërtim të pjesshëm;

Në Rrogozhinë – 6 objekte, 4 të reja dhe 2 për rindërtim të pjesshëm;

Në Vorë – 7 shkolla të reja, nga e para;

Në Mirditë – 2 objekte, 1 shkollë e re dhe 1 për rindërtim të pjesshëm.

Këto janë shifrat, për t’ju dhënë një pamje me shifra të shpërndarjes të të gjithë kantiereve në zonën e prekur nga  tërmeti.

– Zoti Kryeministër, kam një pyetje për ju. Duke marrë shkas nga masat antiCOVID, dua të pyes çfarë po e pengon shtetin shqiptar që të fusë në treg testet e shpejta, ndërkohë që privati e ka futur atë, madje duke u kthyer në një biznes shumë fitimprurës.

Pyetja e dytë, nëse më lejoni, me masat e reja janë ndaluar dhe takimet elektorale, pasi nuk lejohen më shumë se 10 persona. Si do veproni në këtë situate, pasi jemi vetëm 5 muaj përpara zgjedhjeve dhe si i keni parë kundërshtarët tuaj politikë në respektimin e kësaj mase për të mos zhvilluar takime elektorale apo takime me mbi 10 persona?

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk vendos masa. Masat i vendos Komiteti Teknik. Dhe as nuk monitoroj respektimin e masave. Ka institucione që merren me monitorimin e zbatimit të masave. Kështu që më duket e pamundur t’i përgjigjem pyetjes si i kam parë kundërshtarët në këtë drejtim.

Kuptohet që si gjithë të tjerët kam në parë atë që nuk do doja ta shihja as unë dhe as asnjë qytetar i vendit, shembullin më skandaloz të shkeljes së ligjit nga Presidenti i Republikës, nga Zonja e Parë dhe e gjithë çeta e tyre, që, ndërkohë që është shumë e qartë për të gjithë se nuk mund të ketë grumbullime më shumë së 10 persona dhe nuk mund për më tepër të bëhen festa e dasma, deri ceremonitë e dhimbshme mortore me më shumë sesa familjarët, na shfaqen në një spektakël të pështirë të karshillëkut, jo vetëm me ligjin, por edhe me vetë shëndetin e të tjerëve, në rast se nuk janë të interesuar për shëndetin e tyre. Më shumë se kaq nuk kam parë ndonjë gjë të veçantë.

Ndërkohë që shëndeti është padiskutim mbi të gjitha dhe sot nuk ka asnjë aktivitet tjetër, asnjë aktivitet politik, përfshirë dhe aktivitete elektorale, që mund të diskutohen si me ndonjë rëndësi që vë në diskutim shëndetin. Për më tepër nuk jemi në fushatë elektorale, nuk kemi ndërprerë ndonjë takim elektoral. Thjesht e vetëm na duhet të reduktojmë aktivitetet me pjesëmarrjen e më shumë se 10 personave. Kjo është e gjitha e mundësisht, edhe më pak akoma, mundësisht, edhe fare nëse edhe kjo është e mundur.

Të gjithë duhet të bëjmë çmos të reduktojmë e të shmangim maksimalisht daljet e panevojshme nga shtëpia, ose jo të domosdoshme, për të qenë i saktë. Do shkosh në punë, nuk mund të mos dalësh nga shtëpia. Do shkosh të bësh një shpenzim për shtëpinë, nuk mund të mos dalësh nga shtëpia. Por, nëse do të mund të evitonim të gjithë daljet për kafe, takime, dreka e darka jashtë shtëpisë, kjo do të ishte kontribut shumë i madh, për të mundësuar që edhe spitalet të bëjnë punën e tyre dhe të mos ndeshen pa pritur e pa kutjuar me një fluks të papërballueshëm, nga njëra anë dhe që ne të gjithë së bashku të mos bëhemi shkak për të cenuar shëndetin e kujtdo qoftë rreth nesh, edhe shëndetin tonë, patjetër

Përsa i përket testeve, do më falni, po unë nuk flas më për teste. Është bërë një teatër i shëmtuar dhe shumë banal që nuk kam ndërmend më të jap asnjë kontribut në këtë teatër, sepse diskutimet për teste janë diskutime ekspertësh, diskutim shkencëtaresh, nuk janë diskutime kafenesh e nuk janë diskutime për më tepër për mua që nuk jam as ekspert e as i interesuar të ushqej më këtë diskutim komplet çorientues për njerëzit.

– Zoti Kryeministër, në faqen e rindërtimit, opsioni transparencës nuk nxjerr asnjë të dhënë, ndërkohë çfarë ka ndodhur me akademinë e transparencës për fondet e tërmetit të mbledhura në Konferencën e Donatorëve? Kujtojmë këtu që për këtë akademi u zotua dhe Zoti Palmer, duke thënë se SHBA-të do të ndihmonin me 3.9 milionë dollarë?

Kryeministri Edi Rama: Nuk e di çfarë do me thënë nuk nxjerr asnjë gjë opsioni i transparencës, sepse aty janë të gjitha transparente. Ҫdo veprim që është bërë me rindërtimin nga pikëpamja financiare apo procedurale është në faqe e mund ta gjeni. Në rast se keni ndonjë pyetje specifike, mund ta drejtoni tek zyra e ministrit të Shtetit për Rindërtimin e të merrni përgjigje, përfshirë edhe akademinë për të cilën pyetët.

– Zoti Kryeministër, kemi marrë përgjatë këtyre ditëve të fundit disa shqetësime nga shumë prindër, të cilët thonë se në shkolla mungojnë mësuesit për fëmijët e tyre, por që nuk ka pasur asnjë lloj raportimi si të prekur me COVID. Pra, ka pasur mungesa të mësuesve, por nuk raportohen mungesat e tyre prej 2 javësh si të sëmurë apo të kontaminuar nga COVID-19. Çfarë po bëhet me këtë situatë? Ju keni një numër të mësuesve të saktë, se sa janë të prekur? Dhe së dyti, ka pasur në fakt dhe një komunikim të Zotit Basha me mësuesit përgjatë ditëve të fundit për situatën e COVID-it dhe vetë mësuesit janë shprehur të frikësuar se, nëse ata e raportojnë faktin që janë prekur me COVID, kanë rrezik të humbin vendin e tyre të punës.

Kryeministri Edi Rama: Së pari, është një absurditet i madh të thuhet nga cilido qoftë që e ka thënë që, nëse raportohem me COVID, humb vendin e punës. Ky është një absurd që mund të natyrisht të tingëllojë normal në aktet absurde të teatrit të Lulzim Bashës, me aktorë që shfaqen rreth tij dhe që ndërkohë që kanë një profesion apo një aktivitet të caktuar në jetën e përditshme, rreth tij vijnë si fanatikë të partisë që janë në gjendje të flasin edhe absurditete për partinë. Nuk ndodh, si mund të ndodhë! Kush mund ta konceptojë e jo më ta besojë që mësuesi humbka vendin e punës nëse sëmuret? Është një marrëzi e madhe. Nuk ka të tilla.

Për sa i përket që një prind apo një prind tjetër thotë që fshihen rastet, edhe ky është një absurd total. Nuk ka shans që të ketë raste për t’u konsideruar nga sistemi dhe sistemi të mos i konsiderojë, flas këtu për sistemin shëndetësor. Nuk ka shanse. Janë gjëra që për fat të keq thuhen midis morisë së gjërave që përfliten pa bazë në këto kushte, prandaj unë i bëj thirrje të gjithëve që t’i referohen autoriteteve shëndetësore, t’i referohen të dhënave zyrtare dhe të mbrohen nga virusi dhe nga lajmet e rreme. Unë e kuptoj patjetër stresin, e kuptoj patjetër ankthin dhe nuk ka ankth më të madh se ankthi i prindit për fëmijën, por nuk mund ta konceptoj dot të imagjinohet e jo më të ndodhë që mësuesit të humbasin vendin e punës nëse sëmuren, apo që mësuesit të largohen pa adresë e të mos deklarohen në rast se janë të identifikuar si persona të infektuar. Mos harroni që ka dhe raste, patjetër, siç ka gjithandej raste, kur dikush pranë teje është i prekur në familjen tënde dhe për këtë shkak ti karantinohesh. Wshtë gjëja më normale që mund të ndodhë, është procedurë krejt e zakonshme. Apo kur ti nuk ndihesh mirë e mund të kesh qenë në kontakt me dikë dhe ti karantinohesh. Kështu që nuk do të thotë që të gjithë rastet qenkan COVID i identifikuar. Aq më tepër që nuk ka gjëra që fshihen se nuk ka asnjë arsye, në radhë të pare, për t’i fshehur. Nuk ekziston një arsye. E dyta, nuk mund të fshihen, është teorikisht e pamundur, jo më praktikisht.

Kështu që do t’ju bëja thirrje të gjithëve që të ishit sa më të fokusuar tek burimet zyrtare të informacionit. Të gjitha burimet e tjera janë burime të diskutueshme, për të thënë më të mirën, për të mos folur për burimet ku përhapet me qëllim panik, ku përhapet me qëllim pasiguri dhe nxitet me qëllim ankth.

– Zoti Rama, kish dy pyetje. E para ka të bëjë me amnistinë fiskale. Edhe pse jemi në një situatë pandemie, në fund të muajit korrik, Komisioni i Ekonomisë shtyu për diskutim amnistinë fiskale për të parë më nga afër të gjitha shqetësimet dhe kërkesat e grupeve të interesit, të shoqatës së bankave, por dhe të FMN-së dhe të Këshillit Europian. Duke qenë se ne jemi në një situatë pandemie, më lind pyetja, mos vallë qeveria është tërhequr nga amnistia fiskale në këto momente, për ta rishqyrtuar projektligjin në një moment të dytë, qoftë vitin tjetër, apo qoftë pas zgjedhjeve të prillit?

Kisha një pyetje për Ministren e Arsimit, Zonjën Kushi. Pak minuta më pare, në redaksinë e Neës24, koleges Ola Bruko i ka mbërritur një mesazh dhe një shqetësim nga prindërit e shkollës “Shyqri Peza” në kryeqytet. Janë ato prindër, të cilët kanë ngritur si shqetësim nxjerrjen nga ora e mësimit të nxënësve për shkak të dezinfektimit të shkollës. A ju duket ky një moment i përshtatshëm që fëmijët të nxirren jashtë nga ora e mësimit në një orar mësimor?

Kryeministri Rama: Pyetja e parë ka një përgjigje shumë ë shkurtër, thjeshtë nuk kanë lidhje të dyja, amnistia dhe pandemia. Nuk kanë asnjë lidhje.

Përsa i përket pyetjes tjetër, ministrja mund të japë përgjigje, por më lejoni t’ju them dhe t’ju them edhe atyre prindërve që gjithçka mund të bëhet në këtë kohë. Po, mund të nxirren nga ora e mësimit nxënësit, në rast se duhet bërë për një arsye apo një tjetër një dezinfektim. Nuk jam shumë i qartë se çfarë është rasti konkret dhe çfarë ka ndodhur konkretisht, por në parim, patjetër që mund të nxirren nga klasa për të bërë një dezinfektim. Çfarë shqetësimi ka këtu, ndërkohë që nuk jemi në një kohë normale?

Ministrja e Arsimit Evis Kushi: Edhe unë kam nevojë të informohem çfarë ka ndodhur konkretisht në shkollën “Shyqyri Peza”, por ajo që dua të theksoj është që protokollet janë shumë të qarta dhe shumë të sakta në çdo situatë, si duhet të reagojë shkolla, në bashkëpunim edhe me institucionet shëndetësore. Pra, për çdo rast, nëse evidentohet një mësues apo një nxënës që është me temperature, apo që shfaq shenja të tjera të infeksionit, patjetër janë të përcaktuara, të detajuara si duhet të veprojë drejtori i shkollës, si duhet të veprojë mësuesi, kush duhet të njoftohet, kur duhet bërë dezinfektimi, pra, çdo gjë. Shkollat deri më tani i kanë respektuar maksimalisht këto rregulla. Kështu që, në rastin konkret, unë do ta bëj menjëherë verifikimin pas këtij takimi me ju. Madje mua më pëlqen që ata kanë reaguar menjëherë, për mua është shenjë e mirë që nuk kanë pritur të mbarojë procesi mësimor për të bërë dezinfektimin, por kanë ndërhyrë menjëherë. Gjithsesi më duhet ta verifikoj.

Edhe diçka tjetër, se më ngeli pak në mendja ajo çështja, nëse mësuesit kërcënohen se do të humbin vendin e punës, unë mund t’jua them me garanci të plotë dhe me përgjegjësi të plotë për detyrën që kam, që nuk ka ndodhur asnjë rast i tillë. Madje, ne bëjmë të kundërtën. Nëse një mësues karantinohet, apo rezulton që është i infektuar me COVID, ne e mbështesim maksimalisht. Unë vetë kam një orar të caktuar gjatë ditës, për të bërë telefonata me mësues apo drejtues shkolle, të cilët janë sëmurë, janë në kushte shtëpie, apo të marr informacion për ata që janë në kushte spitalore. Ju garantoj që nuk na ka shkuar as në ëndrrën më të keqe të bëjmë një gjë të tillë. Po ashtu, paguhen që të gjithë mësuesit, pavarësisht se sa mungojnë, një javë, dy javë, tre javë, deri sa të marrin veten nga sëmundja. Domethënë mbështetja jonë dhe e institucioneve shëndetësore, bashkëpunimi me institucionet shëndetësore ka qenë i tillë që mësuesit madje të kenë prioritet për sa i përket bërjes së tamponëve apo marrjes së përgjigjeve. Gjithmonë shkollat kanë qenë shumë prioritet në menaxhimin e kësaj situate.

Kryeministri Edi Rama: Është humbje kohe të diskutojmë këtu një marrëzi të tillë. Është marrëzia më e madhe që kam dëgjuar për sot, se dje ka pasur të tjera. Nuk bëhet fjalë, nuk diskutohet fare.

– Duke qenë se një pjesë e pyetjeve të mia lidheshin me një pjesë të çështjeve që u ezuruan që ishte çështja e shkollës, sepse ministrja Kushi tha pak më herët, por edhe ju, që shkollat nuk janë ndër ato vatra, le të themi, më të rrezikshmet që përcjellin virusin, por nga ana tjetër, deri në këto momente prej fillimit të pandemisë qindra mësues janë infektuar dhe 7 prej tyre kanë humbur jetën. Duhen rishikuar masa të tjera, në mënyrë që të shmangim sa më shumë infektimin nëpër shkolla? 

Pyetja e dytë është për ju Kryeministër. Disa ditë më pare, kryetari i PD-së Lulzim Basha hodhi akuza përsa i përket fshehjes së vdekjeve të personave që humbin jetën nga COVID-i. Ju i jeni kundërpërgjigjur përmes akuzave politike, por pa përmendur shifra dhe fakte. Nëse qeveria mund të na japë një shifër, sa përqind e personave që kanë vdekur në spitalet COVID janë raportuar me COVID dhe sa të tjerë, të cilët kanë qenë me COVID dhe kanë humbur jetën për shkak të komplikacioneve të tjera dhe nga ana tjetër, fatalitetet që ndodhin në shtëpi, sa përqind e tyre regjistrohen me COVID dhe sa jo? A janë raportuar vdekjet e personave që kanë humbur jetën nga COVID-I, kur kanë qenë për t’u kuruar jashtë shtetit?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, për shkollat nuk di sa herë duhet ta përsëris, por do e përsëris pa u lodhur që nuk merr qeveria vendime për hapje apo për mbyllje të asgjëje. Nuk është qeveria që i merr vendimet, i merr Komiteti Teknik i Ekspertëve, sepse është autoritet që disponon ekspertizën dhe ka mandatin për të marrë një vendim të kësaj natyre, bazuar në ligj. Komiteti Teknik i Ekspertëve të gjithë kohën e vet e ka për të bërë studim, analizë, krahasime, për të diskutuar me struktura të ngjashme në vende të tjera dhe për të dalë në konkluzione. Nuk jemi në një ndeshje futbolli ku 25 mijë në shkallët e stadiumit bëjnë trajnerin dhe natyrisht e dinë më mirë sesa trajneri punën, apo i bëjnë më kollaj golat sesa lojtarët që janë në fushë. Jemi në një luftë ku duhet disiplinë, duhet sens përgjegjësie e ku patjetër, secili ka të drejtë të thotë opinionin e vet, por në fund të ditës duhet të jetë i vetëdijshëm që zbatimi i rregullave është domosdoshmëri për të, për familjen e tij dhe për të gjithë.

Edhe një herë tjetër, çka unë them, përshembull, kur them që për shkollat, në tërësi, në të gjithë botën nuk është konstatuar, nuk ka rezultuar ajo që mendohej përpara sesa eksperienca të jepte më shumë informacion për autoritetet, që shkollat do të ishin vatra shpërthyese infeksioni. Askund nuk ka rezultuar. Nga ana tjetër, autoritetet e përsërisin që ekuilibri mes hapjes dhe mbylljes për shkollat duhet të jetë shumë i kujdesshëm, sepse vërtetë duke i mbyllur shkollat i bie më shkurt, por pasojat e natyrës psikologjike tek fëmijët janë të konsiderueshme. Kur i them këto, nuk i di unë, po unë i mësoj nga ata që i dinë dhe jua përcjell juve. Edhe një herë tjetër, shfrytëzoj rastin t’ju them juve dhe përmes jush gjithë të tjerëve, që ata që e ndjekin këtë punë, ekspertët përsërisin në mënyrë këmbëngulëse kërkesën ndaj meje që kur dal, të kërkoj sa më shumë fokus të njerëzve tek informacionet zyrtare e sa më shumë masa për njerëzit për t’u mbrojtur prej lajmeve të rreme dhe prej dokrrave dhe marrëzive. Sepse edhe kjo fut në një psikozë të caktuar dhe ky është edhe qëllimi i marrëzive dhe i dokrrave që shpërndahen në mënyrë të papërgjegjshme, komunitetin përkatës dhe krejt shoqërinë.

Përsa i përket çështjes së numrit të të vdekurve, më vjen shumë keq që vazhdon kjo bisedë. E kam shpjeguar unë, e kanë shpjeguar të tjerët. Është teorikisht e pamundur, jo praktikisht, teorikisht nuk mund të bëhet, nuk realizohet dot. Nuk janë vota në zgjedhjet brenda Partisë Demokratike që praktika ka treguar në mënyrë të përsëritur, numërohen sipas qejfit. Shfaqen dhe treten sipas qejfit. Nuk ndodh, është shumë e qartë dhe e thjeshtë. Nuk ndodh. Pse?

Sepse nuk ka asnjë autoritet tjetër dhe asnjë forcë tjetër që të vendosë diagnozën e pacientëve e të mbushë kartelën mjekësore të atyre që fatkeqësisht humbin jetën, përveç mjekut dhe mjeku ka përgjegjësi njerëzore, profesionale dhe ligjore për këtë. Të thuash një poshtërsi të tillë, duhet të mendosh ndër të tjera që mjekët janë jo vetëm të papërgjegjshëm, por dhe budallenj që të shkelin mbi vete, të shkelin dhe ligjin, për të ndryshuar diagnoza. E se kujt do t’i duhej, se kujt do t’i hynte në punë, se kush do përfitonte nga kjo, këtë mund ta thotë vetëm imagjinata e atyre që arrijnë të përdorin edhe të vdekurit, edhe vdekjen, thjesht e vetëm si nevojë e një lufte të dëshpëruar për pushtet. Nuk ka këtu asnjë gjë për të diskutuar, fare. Është e shëmuar, është e turpshme për ne këtu që diskutojmë këtë gjë. Është vërtetë e turpshme, sepse nuk ka se si ndodh, është e pamundur. Diagnozat i vënë mjekët. A është kështu, a është ashtu, janë vetëm mjekët dhe këtë e bëjnë në gjithë botën. Nuk jemi ne që ta diskutojmë këtu e aq më pak politika, partitë politike të vënë diagnoza. Kështu që, nuk di se çfarë përgjigje tjetër mund të jap, por di që përgjigja është kjo e për mua nuk ka një përgjigje tjetër.

– Pyetja e parë lidhet me vaksinën. Në treg, duken shenjat e para, duket se do kemi dy lloje, të lira dhe të shtrenjta. Shqipëria kë do zgjedhë? Pyetja e dytë lidhet me qeverinë, a ka ndonjë plan ekonomik qeveria për mbështetjen e turizmit dhe fasonerisë, sepse janë dy sektorë që e kanë ndjerë më fort dhe vazhdojnë të ndjejnë pjesën e goditjes nga pandemia?

 

Kryeministri Edi Rama: I kemi mbështetur me të gjithë ato që kemi mundur dhe mos e harroni asnjëherë që ne nuk jemi si të tjerët në këtë luftë, se kemi dhe një luftë tjetër që është shumë e madhe edhe ajo, që mijëra e mijëra familje t’i kthejmë në shtëpi. Ato mijëra e mijëra familje kthehen në shtëpi duke ndërtuar shtëpitë e reja, duke ndërtuar apartamentet e reja dhe apartamentet dhe shtëpitë nuk ndërtohen me frymën e shenjtë, ndërtohen me fonde dhe fondet, kjo qeveri i ka vënë të gjitha në dispozicion, pa lënë asgjë mangët as për njërën, as për tjetrën.

Përsa i përket vaksinës, nuk jemi një fazën ku mund të zgjedhim të lirë apo të shtrenjtë, jemi në fazën kur po bëjmë çdo përpjekje, çdo ditë, që në radhë të parë të garantojmë që të kemi vaksinën në dispozicion, duke filluar nga vaksinimi i mjekëve, infermiereve, buzave të bardha, mësuesit, punonjësit e policisë e pastaj të gjithë me radhë. Kini parasysh që po bëhet një përpjekje e jashtëzakonshme nga të gjitha vendet, për të pasur në dispozicion sasira të caktuara dhe sasia që do prodhohet nuk do jetë e gjitha ajo që është e nevojshme që ditën e parë, pra, do ketë një shkallëzim.

Ajo që ne na duhet është e para, të mos mbetemi në bisht; E dyta, të vëmë në dispozicion për këto kategori njerëzish si fillim, vaksinën sa më shpejt. Nuk jemi në avantazhin që janë vendet prodhuese të vaksinës, apo vendet e mëdha e të fuqishme, apo vetë BE-ja. Për këtë arsye po bëjmë të gjitha përpjekjet që të mos mbetemi jashtë këtij procesi dhe të mos detyrohemi të presim në fund. Kjo është sfida jonë. E lirë, e shtrenjtë, kjo është një temë tjetër. Nuk i kemi lënë ne gjë mangët popullit, kur ka qenë puna për gjëra që lidhen me elementët më të rëndësishëm të jetës. Fola për shtëpitë, por mund të flas dhe për shumë të tjera. Kështu që nuk do ta lëmë mangët as këtë detyrim, pavarësisht çmimit të vaksinës. E nuk do të thotë që do marrim vetëm 1, pra, një lloj. Mund të marrim nga të gjitha llojet, nëse do kemi mundësi, siç po bëjnë dhe të tjerët. Asnjë vend, me sa unë po shoh, nuk po fokusohet vetëm tek një vaksinë. Por, sidoqoftë, ky është një proces shumë intensiv që po zhvillohet aktualisht çdo ditë. Ne kemi një grup njerëzish që merren vetëm me këtë diplomacinë e vaksinës dhe shpresoj që të mos mbetemi mbrapa. Kjo është kryesorja. Pastaj, çmimi është gjëja e fundit që diskutojmë në këtë moment.

– Nga të dhënat nga FMN-ja thuhet se ekonomia shqiptare është më e nënkredituara në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pse bankat nuk kanë mbështetur planet e biznesit dhe madje as PPP-të tuaja dhe pse Shqiperia nuk është e besueshme nga bankat që nuk japin kredi?

Një pyetje për zonjën minister. Nga një raport i publikuar javën e kaluar thuhet se 6 universite kanë shpenzuar në total vetëm 0.1% të buxhetit, ose e përkthyer ndryshe në 38 mijë euro për kërkim shkencor nga 32 milionë në fakt nga një vit akademik. A ka Ministria e Arsimit dijeni për këtë dhe a bën MASR monitorime se ku shkojnë shpenzimet e universiteteve, pra, për kërkime shkencore dhe për studentët, apo për shpenzime luksi?

 

Kryeministri Edi Rama: Kreditimi nga bankat në këtë fazë të fundit, me shifra, ka qenë më i lartë se sa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe në një periudhë të shtrirë në disa vite, që të jemi të qartë. Të tjerat pastaj janë mënyra leximi dhe unë kam hequr dorë nga pritshmëria që leximi i mediave dhe i gazetarëve, kur vjen puna tek ekonomia, të jetë më i thellë sesa thjesht kapja e një fjalie dhe pastaj përdorja e saj për të bërë pyetje ose komente që gjithmonë janë çuditërisht negative. Por nuk është absolutisht mundësia dhe puna ime që të korrigjoj këtë, përgjigja ime është kjo që thashë. Verifikoni këtë, se është më e thjeshtë të verifikoni këtë, sesa të kuptoni atë që lexoni nga FMN-ja.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi: Përsa i takon raportit lidhur me shpenzimet e universiteteve, ne, në fakt, si Ministri, kur bëjmë vlerësimin e performancën financiare, apo mënyrës se si unviersietet shpenzojnë paratë e tyre, nuk i referohemi këtyre burimeve, por kemi dy burime zyrtare, i pari, auditi i Ministrisë dhe i dyti, Kontrolli i Lartë i Shtetit. Së shpejti, ne në fakt do të bëjmë një audit në të gjitha universitetet e vendit. Madje, përpara pak ditësh firmosa planin e auditit, sepse është një proces që kryhet rutinë, një herë në disa vite apo një herë në disa muaj, kështu që e kam këtë plan përpara e së shpejti në çdo universitet do të jetë auditi i Ministrisë për të parë pikërisht performancën financiare. Në Universitetin e Elbasanit sapo ka filluar ky proces nëpërmjet një grupi auditi ekspertësh nga Ministria, por së shpejti do të ketë dhe në universitetet e tjera pikërisht për të vërtetuar këto informacione që japin organizata të ndryshme, fondacione të ndryshme, por që, natyrisht, ne duhet t’i verifikojmë nëpërmjet institucioneve zyrtare, siç thashë, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe auditi i Ministrisë.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit!​

 

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Politike

Lulzim Basha starton me vetingun politik!

Nga Azgan Haklaj
Sot kryetari i PD-së Lulzim Basha kallzoi publikisht në Prokurorinë e Posaçme Anti-korrupsion kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla.
Në pamje të parë mund të duket si një
mjet normal i luftës politike midis liderit të opozitës dhe krereve të mazhoranës qeverisëse por ky veprim ka konotacion e prapa veprim shumë më të gjerë.
Përveçse në shkelje të rëndë të vazhdueshme të kushtetutës dhe traditës së parlamentarizmit në një vend normal votimi hileqar i amnistisë penale dhe rasti Xhaçka përbëjnë një linçim me ujdi të organeve të drejtësisë së re duke amnistuar kastën politike të të korruptuarve që qëndrojnë pas hekurave.
Ndaj kallzimi për znj.Nikolla në thelb është startim e materializim i idese së përsëritur të lançuar nga Lulzim Basha për veting politik pa asnjë përjashtim si mënyra unike e pastrimit nga oligarkia politike që për tre dekada po mban peng vendin.
Rasti i ujdisë politike të Rilindjes me grupimin pseudo-opozitar të Foltores, ndonëse nën maskën e normalizimit të jetës parlamentare deshmoi se në thelb ishte një ujdi kriminale e mirëmenduar për të shantazhuar e limituar aktivitetin e SPAK-ut dhe GjKKO-së.
Kjo po duket dita ditës në prononcimet kriminale të Sali Berishës nga çatia antiamerikane dhe e Ilir Metës nga klinika neoropsikike e instaluar në strofkullën e PL-së të cilët kanë dalë haptazi, por në kordinim me intimidimin e përditshëm me forma nëntoksore të Edi Ramës.
Është koha e qëndresës parimore kundër kësaj bande kriminale politike në përkrahje ekzigjente të organeve të drejtësisë së re si e vetmja shpresë solide për shpëtimin nga tumori i krimit e korrupsionit.
Kjo nuk bëhet me përberime mediatike por hapur e pa kompromis me iniciativa konkrete parlamentare e juridike siç po e zhvillon PD-ja dhe Lulzim Basha.
E mbi ç’do gjë kjo luftë është padyshim dhe prova e qartë se cila organizatë politike e cili lider qëndron realisht në krah të aleatëve tanë euroatlantikë.
Continue Reading

Politike

Spiropali: Meta doli nga binarët e ‘kafshon’ Dumanin në ekrane

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar ndaj sulmeve që ka bërë Ilir Meta ndaj SPAK dhe Altin Dumanit. Spiropiali i kërkoi opozitës që të dalë e të thonë para Kuvendit se çfarë mendimi kanë për SPAK, është organizatë kriminale siç e quajnë dy baballarët e tyre (Meta e Berisha) apo institucion i drejtësisë.

“Ju që keni opinion për gjithçka dhe gjithëkënd, a keni ju një opinion për dy baballarët në majë të thanës ku jeni ngjitur të tërë. Njëri në majë të pallatit që bërtet kundër SPAK dhe tjetri në majën e dëlirit të madhështisë ku kafshon SPAK dhe kreun e SPAK nëpër ekrane e ku t’i dalë para. A keni ju një opinion për këto, meqë keni opinione për gjithçka, bëni prokurorin e gjyqtarin. Gjuhën e dalë nga binarët e mendjes së dy baballarëve në majë të thanës ju as nuk e përmendi, të dy presidentë të kësaj republike, dy kryeministra, të dy bela të këtij populli. Ju nuk mund as të shpreheni dhe vini këtu e doni të bëni sherr e rrëmujë dhe të na thoni njëherë e mire ca opinioni keni për ulërimat e tyre. Nuk janë dy kokë dele, por janë dy baballarët e opozitë suaj në emër të cilëve vini këtu e na drejtoni gishtin për drejtësinë, ju që jeni të zhytur kokë e këmbe, vetëm dy gishta jashtë. Ju mendoni se mund të hani thana në pemët e tyre dhe vilni votat në koshin e popullit. Duke i mbajtur të dy ata mbi supe siç mbanin shërbëtorët njëherë e një kohë mbretërit në ato karroca, vini këtu të mbani peng këtë kuvend me hallin e madh që ka gjet ata dy. Çohuni thoni qartë ca është SPAK organizatë kriminale, apo pjesë e institucioneve të reja të drejtësisë që po luftojnë pandëshkueshmërinë. Përgjigjja mos të jetë si hera e kaluar se kur SPAK godet Ramën është institucionet e drejtësisë e kur godet baballarët tuaj është organizatë kriminale”, tha Spiropali.

Continue Reading

Politike

Basha: Mjegulla e revolucionit ‘Rahmet Pastë’ bllokoi dhjetëra iniciativa nga Partia Demokratike

Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit kërkoi të hyjë në seancë plenare debati për amendamentin në buxhet për ndihmën ndaj Kosovës që prej muajsh mbahet në sirtar sipas tij

Basha: Qytetarët e dinë se ju prej 6 muajsh në mjegullën e ish revolucion rahmet pastë keni bllokuar dhjetëra iniciativa nga opozita. Ku e keni interpelancën e kërkuar nga PD për kampet e refugjatëve. Ku e keni interpelancën e kërkuar për Arben Ahmetaj. Ka 4 muaj që mbani në sirtar amendamentin për Kosovën. Ka nevojë të votohet amendamenti. E keni kthyer në bunker konferencën e kryetarëve. Pres përgjigje. Çfarë keni bërë me vettingun e politikanëve.

Felaj: Do flisni për seancën e sotme

Basha: Skam mbaruar. S’kam mbaruar. Ku e keni projekt vendimin për heqjen e imunitetit të deputetëve. Ku i keni këto akte. Dy interpelanca me kryeminstrin. Amendamenti 50 milionë euro për buxhetin e Kosovës. Projekt vendimi për heqjen e imunitetit të parlamentarëve. Pres përgjigje, pse nuk vijnë në seancë.

Continue Reading

Politike

Nikoll Lesi: Ilir Meta e kaloi vijën e kuqe, do të kemi re të zeza mbi selinë e Partise së Lirisë

Nikoll Lesi shkruan në gazetën e tij, se Ilir Meta e kaloi vijën e kuqe me sulmet ndaj SPAK.

“SPAK mori dje mbështetje totale nga ambasada amerikane dhe ambasada britanike. Dhe nga ambasadat e tjera. Sepse Ilir Meta ka sulmuar egër shefin e SPAK, Altin Dumani.

Statura e një ish-presidenti, ish-kryeparlamentari dhe ish-kryeministri nuk ia lejonte kurrsesi një fjalor të tillë denigrues dhe fyes ndaj Altin Dumanit. Ndaj askujt dhe aq me tepër ndaj atij që po heton nuk lejohet ky fjalor.

Ilir Meta mund të ketë gjithë të drejtën e Zotit të kritikojë apo sulmojë me fakte dhe argumenta, nëse i ka, se Altin Dumani po përdoret politikisht apo nga nderkombetarët, por në asnjë mënyrë me sharje të tilla sepse i bëjnë dëm vetë Ilir Metës.

Ilir Meta nuk është më i akuzuari i këtyre 33 viteve, siç thotë mazhoranca, sepse ka para tij edhe të tjerë më të fuqishëm politikisht. Por Ilir Meta dje dhe pardje kaloi caqet e tij të një politikani që ka qenë protoganist në Shqipëri.

Si një reagim direkt kundër Ilir Metes ishin dy deklaratat e dy Ambasadave më të fuqishme në Tirane, ajo amerikane dhe ajo britanike.

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka reaguar menjëherë përmes një postimi në platformën X, ku shprehet se mbështet dënimin që KPL u bëri këtyre sulmeve dhe shprehet se qëndron krahë profesionistëve të drejtësisë që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë.

“Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë.

SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-ve.

Ndërsa Ambasada e Britanise se Madhe ishte me konkrete, direkt sapo Ilir Meta sulmoi Altin Dumanin.

Me sa duket do të kemi re të zeza mbi selinë e Partise së Lirisë, ndonëse rrufetë duhet të bien edhe diku tjetër në PS!

Dje Ilir Meta kaloi çdo vijë të kuqe dhe çdo limit që duhet të ketë një politikan karriere. Altin Dumani mbetet më i votuari nga publiku shqiptar dhe ka mbështetje popullore bashkë me prokurorët e SPAK”, shkruan ai.

Continue Reading

Politike

Kallëzoi Nikollën në SPAK, Basha: Qentë lehnin se donin për të ngrënë

Kreu i PD Lulzim Basha ka folur para seancës plenare të ditës së sotme për kallëzimin që ka bërë në SPAK ndaj Lindita Nikollës për shpërdorim detyre. Basha tha se Nikolla ka zhbërë vendimet që janë marrë nga drejtuesit e PD, duke njohur Bardhin si kreun e grupit, i cili ktheu edhe deputetët e përjashtuar.

Ky është një pazar tha Basha mes Rithemelimit dhe PS, ku për të futur deputetët në grupin e PD nuk çuan Olta Xhaçkën në Kushtetuese.

“Kjo është pjesë e lojërave politike, teatrit që bëhet në kurriz të shqiptarëve. Kanë 5 muaj që gjoja bllokojnë Kuvendin, kalon buxheti me 3 minuta,, vendime të rëndësishme dhe pastaj bëhen bashkë për një amnisti që liron të korruptuarit, pro jo protestuesit. Pakti vazhdon, nga njëra anë duan t’i imponohen PD. PD ka marrë vendime që qëndrojnë në themel të identitetit tonë politik, partneriteti me SHBA dhe drejtësinë. Rama përdor këtë pazarxhinj për t’iu bërë një nder atyre dhe merr nderin tjetër që është qëndrimi i Olta Xhaçkës, qëndrim totalisht i rakorduar. Kushtetuesja u shpreh, nuk votoi parlamenti, ngrihu blloko foltoren. Ta bllokojnë këta pazarxhinjtë. Bubat e Lindita Nikollës mashtrojnë opinionin. Jo çdo bub kur leh e ka me të keq, leh edhe se do të hajë. Të çohen e të bllokojnë foltoren, se me vendimin për Olta Xhaçkën jemi më krizë kushtetuese. Këta bëjnë sikur s’ka ndodh asgjë, sepse e kanë ngrënë lugën e çorbës së prishur”, tha Basha.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING