Connect with us

Kronike

Eksploziv në derën e 72-vjeçarit, në kërkim 3 vëllezër

Zbardhet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 8 gushtit në lagjen “Tufinë”, ku një sasi lënde plasëse shpërtheu në derën e banesës së një 72-vjeçari, duke shkaktuar dëme të pakta materiale.

Në lidhje me ngjarjen, policia ka shpallur në kërkim tre vëllezër, Ervis Alla, 39 vjeç, Altin Alla, 43 vjeç dhe Maksim Alla, 41 vjeç, të tre me precedentë të mëparshëm penalë. Ata dyshohen për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim.

Sipas hetimeve paraprake, tre vëllezërit dyshohet se rreth orës 00:30 kanë vendosur dhe më pas kanë shpërthyer lëndën plasëse në derën e banesës së shtetasit me inicialet J. M., për motive të dobëta.

Pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë organizuar operacionin e koduar “Motivi”. Këqyrja e vendit të ngjarjes, administrimi i provave dhe veprimet e tjera hetimore kanë çuar në identifikimin e tre personave të dyshuar si autorë.

Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tyre, ndërsa hetimet po vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Advertisement