Kronike
Ekzekutimi i Papës/ Autorët i montuan targa belge ‘Audi-it’
Mjeti tip “Audi” që u përdor nga dy autorët Albano Velo dhe Andrew alias Edvin Bode për vrasjes e Edmond Papës, nuk rezulton të jetë i vjedhur. Rezulton se targat e huaja të këtij mjeti janë të mbivendosura dhe nuk kanë qenë të “Audi-t”, por të një mjeti tjetër. Makina që kishte të vendosura këto targa të huaja belge është futur brenda territorit të vendit tonë nga një person, i cili më pas e ka shitur makinën që është targuar me targa shqiptare.
Policia po heton mënyrën se si targat e huaja përfunduan në duart e dy autorëve të vrasjes, të cilët më pas i montuan tek “Audi”, që shërbeu për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas vrasjes së 49-vjeçarit.
Albano Velo dhe Andreë (Edvin) Bode janë identifikuar nga Policia e Shtetit si dy personat që kanë planifikuar dhe vrarë biznesmenin Edmond Papa. Velo ka pasur rolin e vëzhguesit, ndërsa Bode, atë të ekzekutorit. Vrasja e Papës dyshohet se është bërë si hakmarrje ndaj ekzekutimit të 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj, i cili u vra me shpërthim të eksplozivit në makinë. Velo është vënë në pranga, ndërsa po hetohet dhe babai i tij, Dilaver Velo, i cili ishte punonjës policie në Komisariatin nr.4 në Tiranë, por pas përfshirjes së djalit në këtë ngjarje, u shkarkua.