Politike
Elita e që ndjek Berishën nuk do të largohet edhe për disa vite, deri sa PD të tkurret
I angazhuar prej 35 vitesh në Partinë Demokratike, i zgjedhur në strukturat më të larta të kësaj partie për shumë vite, Edmond Spaho po qëndron prej një viti i shkëputur dhe beson se kthimi në PD është i vështirë. Jo për faktin se nuk do të donte të ishte pjesë aktive e politikës dhe e PD-së, por ka vendosur që me këtë elitë drejtuese të partisë nuk mund t’i kthehet më aktivizimit politik. Ai beson se kjo elitë nuk do të largohet edhe për disa vite, deri kur PD të tkurret maksimalisht, një proces që sipas tij prej kohësh ka nisur dhe po ecën fatkeqësisht me ritme shumë të shpejta. Spaho beson se elektorati e ka braktisur masivisht PD-në, dhe kjo për shkak, sipas tij, vetëm të lidershipit aktual.
Spaho flet për organizimin e Partisë Demokratike në 13 vite dhe arsyet e kësaj opozite të stërzgjatur. Skandalet e shpeshta të korrupsionit qeveritar nuk kanë mundur të shfrytëzohen nga opozita, duke sjellë kështu një situatë stanjacioni ku, siç po duket gjithnjë e më shumë, sipas Spahos, lidershipi aktual është komod në opozitë, shtuar faktin se edhe mirëqenia nuk iu mungon.
Korrupsioni qeveritar, dhe së fundmi rasti Balluku, flasin për një situatë dramatike të përballjes së pushtetarëve me drejtësinë, por edhe të mekanizmave procedurialë që po përdorin për ta shmangur përballjen me drejtësinë. Sipas Spahos, përpjekja e Ramës për ta shpëtuar imunitetin e Ballukut shkon përtej individit Balluku; ai thotë se Rama ka arsyet e veta dhe frikërat e veta në këtë betejë për ta shpëtuar zv.kryeministren.
Duke iu kthyer opozitës, Spaho citon sinjalet që erdhën prej dy delegacioneve ndërkombëtare kohët e fundit. Së pari, sinjali nga Brukseli përmes McAllister, i cili dënoi publikisht dhunën e shfaqur nëpër protesta dhe, për më tepër, nuk e takoi liderin demokrat si një sinjal apo qëndrim për papërputhshmërinë që ka opozita me ndërkombëtarët. Një qëndrim, në të vërtetë, i përsëritur i delegacioneve të ndërkombëtarëve që vazhdojnë të përjashtojnë në axhendën e tyre një vizitë në selinë e PD-së.
Një tjetër delegacion i mbërritur në Tiranë prej Partive Popullore Evropiane, ku PD është pjesë, ka sinjalizuar lidershipin aktual për respektimin e statutit të partisë dhe ndryshimin e elitës drejtuese për t’i dhënë frymëmarrje demokratike partisë dhe shpresë elektoratit. “Politika e molotovit” përjashtohet nga evropianët si strategji për të ardhur në pushtet, dhe këtë PD, sipas Spahos, nuk po e kupton ose nuk po do ta kuptojë.
Spaho flet për rënien gjithnjë e më shumë të votive të PD-së, duke bërë një krahasim me rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2021, ku PD humbi me 30 mijë vota diferencë, për të mbërritur në dhjetëfishimin e kësaj humbjeje në zgjedhjet e vitit 2025. Një tregues që, sipas Spahos, pavarësisht votive të vjedhura nga mazhoranca, shifra është dramatike për PD-në.
Edhe pse duket se do ta ketë të vonë e, siç thotë, ndoshta edhe të pamundur kthimin në PD, Spaho flet me vendosmëri për pamundësinë e një rruge që do ta çonte tek Rama. “Unë kurrë nuk mund të shkoj tek një tjetër forcë politike përveç PD-së”, thekson Spaho. Ai flet edhe për molotovët në vilën e diktatorit Enver Hoxha, duke kujtuar se PD nuk e bëri në kohën e duhur aktin e shembjes së diktaturës, dhe, sipas Spahos, kjo nuk ndodh me molotov mbi godina, por me një strategji të qartë të drejtësisë tranzitore. Spaho thotë se kjo vilë e diktatorit mund të kthehej në muze për krimet e diktaturës, një akt që PD, kur ishte në pushtet, nuk e pati opsion. Madje, Spaho kujton se gjatë kohës kur PD ishte në qeveri, këtë vilë e ka përdorur për pritje, darka e dreka qeveritare apo me delegacione të huaja.