Connect with us

Shkrime

Ëndrra e një stine vere me spiunë

Nga Roland Qafoku

Në kulmin e Luftës së Ftohë, kur CIA dhe KGB ishin në ekspasion dhe konkurencë të fortë mes tyre, qarkullonte një histori me humor. Për të ulur vlerën e CIA-s, propaganda komuniste ruse tregonte se KGB ia zbulonte të gjithë agjentët rivalit të saj CIA-s. Po si? Lehtë fare: Në një rast, njeriun që e kishte dërguar në Moskë si agjent i fshehtë ishte një djalë me ngjyrë. Mjafton kjo që rusët e KGB-së të “vërenin” asnjë inteligjencë te inteligjenca amerikane. Kjo ishte e gjitha një barsaletë për të treguar supermaci, një stil tipik i asaj kohe. Por në fakt mes KGB-së dhe CIA-s, për afër 5 dekada u zhvillua një luftë reale brenda asaj që quhej Lufta e Ftohtë. Qindra agjentë të CIA-s amerikane u infiltruan në KGB-në ruse dhe anasjelltas nën rregullin se spiuni nuk duhet të ndodhet në qendër të ngjarjeve. Kulmi i spiunazhit ishte Kim Philby, sekretar i ambasadës britanike në Washington dhe shef i shërbimit britanik MI6 në këtë ambasadë. Ai i dha shumë materiale KGB-së, përfshirë edhe dokumente për operacionet e CIA-s në Shqipëri. Gjatë ushtrimit të detyrës së tij si kryeministër, Tony Blair e pranoi publikisht fiaskon e MI6 dhe CIA-s të asaj periudhe si një nga dështimet më të mëdha në historinë e këtyre dy shërbimeve aleate.

Vijmë pas më shumë se tri dekadash nga rënia e Perdes së Hekurt. Më 20 gusht 2022, Shqipëria u bë sërish lajm i parë në median botërore me histori spiunësh. Tre të rinj, dy rusët Mikhail Zorin 24 vjeç dhe Svetlana Timofleeva 33 vjeçe si dhe ukrainasi Fedir Alpatov 25 vjeç, u arrestuan të dyshuar si agjentë të shërbimit sekret të Rusisë FSB, pasardhësja e KGB-së së famshme dhe të frikshme. Ata po fotografonin ish-uzinën e armëve në Çekin të Gramishit dhe pas pengimit që i kanë bërë ushtarët roje, të rinjtë janë përleshur madje kanë përdorur edhe spry për tu dëmtuar shikimin. Alarmi përfshiu gjithë shtetin shqiptar nga qeliza më e vogël deri në kupolë dhe arrestimi i tre të rinjve me një makinë sportive i markës amerikane “Chevrolet” u trajtua si një histori spiunimi i FSB-së ruse, i barasvlefshëm me radiolojën e operacioneve të famshme “Buza e Bredhit” dhe “Liqeni i Vajkalit” në vitin 1949 deri në 1951. Pra, tre të rinj që nën petkun e turistëve synonin të vilnin të dhëna për një uzinë që dikur prodhonte armë dhe në mënyrën më të trashë u përleshën me ushtarët pasi ata i panë se po fotografonin. Por a duken spiunë tre të rinjtë me adrenalinën e eksploruesit urban dhe pasionit për të fotografuar një uzinë ushtarake të shndërruar në togje hekurishtesh? Versioni i parë zyrtar i dalë nga grupi hetimor të lë pa fjalë teksa theksuan:

“Nga pyetja e tyre deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar baza e arsyeshme e të dhënave që krijon dyshimin e bazuar në prova se kanë ardhur në Shqipëri, me mision, të rekrutuar nga shërbimet inteligjente ruse”.

Një pjesë e medias shqiptare u tregua jo pak naive saqë i quajti të rinjtë një skuadrilje spiunazhi të dërguar nga shërbimi ushtarak rus GRU dhe ai i jashtëm SVR, derivate të FSB-së shrbimi sekret qendror i Rusisë famshme. Lehtësitë e etiketimit si agjentë mori dhenë në çdo gazetë, në çdo televizion dhe në çdo portal duke bërë që mes gazetarëve të shpërthente një konkurencë se cili do jepte më shumë detaje për agjentët duke i trajtuar ata sikur të ngjanin me agjentin e famshëm Claus Fuchs që teksa punonte në laborarorin amerikan në Los Alamos për prodhimin e bombës bërthamore i jepte KGB-së informacione se çndodhte atje. Për nder të mbiemrit të tij, në Shqipërinë e komunizmit fjala Fuchs mori konotacionin e një spiuni. Ishin aq të tendosur dy ministrat Niko Peleshi dhe Bledi Çuçi në konferencën për shtyp pas dy ditëve nga arrestimi i tyre saqë ndonënse u treguan të kujdesshëm për të mos artikuluar gabime në ato që thoshin përsëri lanë të kuptohej se ky ishte një rast agjenturash dhe nuk mund të trajtohej si një incident i tre aventurierëve të rinj që si blogerë apo pasionantë të fotografisë synonin të merrnin të dhëna për shërbimin sekret. Por të gjitha pikëpyetjeve dhe dilemave ua mbylli gojën vetë kreu i qeverisë Edi Rama teksa tha më 26 gusht:

“Mjegulla e ngritura mbi të ashtuquajturat objekte të rëndësisë së veçantë ishte për të qarë dhe për të qeshur. Ato nuk janë as fabrika që prodhojnë armë. Ato janë karakatina të deklasifikuara si objekte të rëndësisë së veçantë. Kanë statusin e SHPK-ve të falimentuara. Janë deri në pikën kur për shkak se nuk kanë mundësi të paguajnë dritat ju priten edhe dritat. Kanë disa roje për ta mbrojtur nga zaptimet. Të thuash që po bëhej spiunazh duke fabrikuar mbetjet e komunizmit është shumë qesharake. Ajo që duhet të na shqetësonte është këta persona çfarë qëllimesh të vërteta kanë në vendin tonë. Një mision spiunazh me veturë sportive e cila duket sikur thërret aman hajdeni dhe më kapni është qesharake”.

Po përse lajmi me tre të rinjtë mori jehonën e medias vendase dhe të huaj madje? Çfarë ishin këta të rinj që kishin pasion të shtuar për vizita në vende që ne shqiptarët i kemi harruar? A kishte vend për tu shqetësuar ndaj tre të rinjve që shkrepnin foto dhe çuditshëm u përleshën edhe me ushtarët roje? A mund të jenë agjentë të një shërbimit sekret disa që kryejnë veprime të këtij lloji dhe duke shkelur rregullin mw kryesor tw njw agjenti, atw qw nuk duhet tw jetw nw wendwr tw ngjarjes? Qesharakja arriti kulmin kur media raportoi dëshmitë e vetë “agjentëve”. Çdo gazetë dhe televizion raportoi pak a shumë këto fjali:

“Mësohet që 23 vjeçari rus, Zorin, student në Republikën Çeke, të ketë pranuar se është ngarkuar nga shërbimet inteligjente ruse për të fotografuar objekte ushtarake dhe të infrastrukturës kritike. Në ato që prokuroria i cilëson si “pajisje speciale elektronike të fotografimit” mësohet se janë gjetur dhe imazhe të disa veprave hidroenergjitike të vendit”.

Dhe të dhënat shtesë e ndërlikuan akoma më shumë historinë. Për dy të tjerët, ukrainasi Alpatov dhe rusja Timofleeva, media raportoi se kanë mohuar të jenë pjesë e shërbimeve të huaja inteligjente, dhe se kishin ardhur në Shqipëri për turizëm. 33-vjeçarja Timofleeva, e cila është spostuar me banim në Gjeorgji, pas konfliktit në Ukrainë, është një blogere, e njohur për foto nga objekte ushtarake, ndonëse me siguri të lartë. Në vitin 2012, fotografitë e saj nga brenda një fabrike raketash në afërsi të Moskës, patën jehonë jo të vogël.

E thënë me pak fjalë: Nëse do jenë spiunë, vërtetë këta duhet të jetë më të paaftët në historinë e spiunazhit. Veprimet e tyre por më shumë veprimet dëshmia e tyre se pranojnë se janë agjentë është edhe më qesharake se kaq. Për një javë opinioni u mbars me versionin e agjenturës dhe pas kësaj gjithçka u trajtua me një version pak më të zbutur. Pavarësisht se nuk mund të kalojë duke u qeshur e gjitha kjo, seriozja është gjetiu. Mua më shqetëson më shumë e vërteta e invazionit rus në Shqipëri nën petkun e turistëve. Por jo në stilin e këtyre tre tipave. Më shqetëson fakti që shumë prej tyre kanë blerë vila dhe apartamente në Shipëri, veçanërisht Sarandë. Dhe kjo është pothuajse e njëjtë me ekspasionin rus të blerjes së tokave, shtëpive, apartamenteve dhe bizneve në bregdetin e Malit të Zi. Mua më shqetëson fakti që disa portale duken hapur që kanë një qendrim të çuditshëm ndaj Rusisë. Mua më shqetëson fakti që disa gazetarë apo analistë të vetëshpallur kanë një trajtim jo normal të Luftës në Ukrainë dhe krimeve të kryer nga Rusia atje. Mua më shqetësojnë raste si një raport në media që bën fjalë për një ushtarak të lartë shqiptar që ka dhënë informacione sekrete zyrtarëve rusë të ambasadës në këmbim të shpenzimeve të studimeve për të birin. Vërtetë këto janë problem që nuk mund të kalojë as me të qeshur e as lehtësisht siç kalojnë tek ne. Pa disa blogerë aventurierë që argëtohen me lojra luftash janë shqetësimi më i vogël.

Sikur në një moment të imagjinojmë se vërtetë tre të rinjtë do rezultojë se janë spiunë të FSB-së. Mos o zot se do na bëhej një çështje ndërkombëtare! Rusia do na akuzonte se i kishim arrestuar agjentët e saj dhe kushedi se çdo kërkonte në këmbim. Tamam si historia e basketbollistes amerikane Brittney Grinner që u dënua me 10 vjet burg në Moskë dhe që në këmbim për lirimin e të cilës Rusia kërkon lirimin e disa agjenëtve të saj në SHBA. Çudia shtohet kur për tre të rinjtë e arrestuar në Gramsh nuk ka asnjë interesim dhe asnjë reagim nga Rusia. Unë jam i bindur që një ditë kjo ngjarje do futet te “funny story” me spiunë, tamam si ajo barsaleta propagandistike ruse për CIA-n. Në ndonjë libër do shkruhet se nuk kishte histori më qesharake kur në verën e vitit 2022 u servir si një operacion i shërbimit sekret rus për zbulimin e të dhënave për një uzinë ushtarake fantazëm në Çekin të Gramshit. Tamam si agjenti me ngjyrë i CIA-s i hedhur në Moskë gjatë Luftës së Ftohtë. Në rastin tonë do shkruhet se tre agjentë të Rusisë të maskuar si blogerë dhe turistë “loë cost” u hodhën në veprim në Shqipëri. Vetëm se bën një gabim të vogël: Po fotografonin pa droje një uzinë fantazëm, u përleshën me rojet ushtarake, u hodhën spry në sy dhe pasi u arrestuan teksa lëviznin me një makinë luksoze “Chevrolet” pranuan menjëherë që ishin agjentë rusë. Me këtë do gajasen të gjithë.

Shkrime

IDIOTI non grata i Serbisë merr gjëmba në këmbë

“Qëndrimi i presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Kombet e Bashkuara në Nju Jork do të mbetet i regjistruar në analet diplomatike për serinë e skandaleve që ai krijoi me fjalorin e tij jodiplomatik.

Askënd nuk kursyer, të madhe e të vogël, dhe të gjitha këto teksa pritet votimi në OKB për Rezolutën për Srebrenicën, si dhe votimi në Këshillin e Evropës për pranimin e Kosovës në atë organizatë.

Vuçiç mendon se me kolegët e tij të huaj mund të sillet ashtu siç sillet në Serbi ndaj nënshtetasve të tij, te cilët I quan si do, por pa I hyrë asnjë gjemb në këmbë. Në shoqëritë demokratike kjo nuk është e mundur, por të paktën do kishte pasoja: – kështu janë shprehur për median opozitare serbe ‘Danas’, analistë e diplomatë.

E fundit në serinë e skandaleve është deklarata e Vuçiçit, ku ai I quajti  sllovenët “të neveritshëm” dhe që shkaktoi reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të vendit fqinj, si dhe të kryeministrit slloven Robert Golob.

Për të gjitha këto, presidenti i Serbisë është dashur t’u kërkojë falje qytetarëve sllovenë, me një “por”. Ai refuzoi t’u kërkonte falje politikanëve sllovenë dhe për këtë arsye i acaroi më tej marrëdhëniet me Slloveninë.

Pas deklaratës fyese, Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë ftoi për sqarim të ngarkuarin me punë në ambasadën e Serbisë në Lubjanë. Ministrja e Punëve të Jashtme dhe eurodeputetja Tanja Fajon, i quajti fyese dhe të papranueshme fjalët e presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Nga ana tjetër, ka reaguar edhe kryeministri slloven Robert Golob, i cili ka theksuar se Vuçiç ka përdorur shprehje jashtëzakonisht fyese që nuk i përkasin presidentëve të shteteve, e aq më pak marrëdhënieve miqësore mes popullit slloven dhe atij serb.

Dhe më pas erdhi apologjia e Presidentit të Serbisë për opinionin slloven, për shkak të deklaratës nga Nju Jorku se “sllovenët ishin më të neveritshmit”.

“Nëse kam ofenduar dikë, dua t’i kërkoj falje gjithë publikut dhe popullit të Sllovenisë, por në të njëjtën kohë them se nuk do t’u kërkoj falje politikanëve sllovenë sepse ata udhëheqin një politikë të neveritshme ndaj Serbisë dhe popullit serb” – deklaroi Vucic dhe ftoi kryeministren dhe presidentin e Sllovenisë për një vizitë në Beograd, siç tha ai,  për të “kërkuar edhe një herë falje nëse është e nevojshme”.

Srećko Gjukić, diplomat karriere, tha per median serbe se skandali me sllovenët është aq i madh sa presidentit i Serbisë iu desh t’i kërkonte falje “popullit slloven, por jo politikanëve të tyre” (dhe po flasim për diplomatët), sikur ata politikanë nuk janë zgjedhur nga populli slloven, por nga dikush tjetër

Bashkëbiseduesi i ‘Danas’ gjithashtu kujtoi se Sllovenia nuk është Eldorado e Beogradit që dikush të sillet në mënyrë të papranueshme si në “tokën serbe”.

“Skandali që u prodhua kësaj radhe, në nivelin më të lartë të palës serbe, është vetëm i fundit në një listë të tërë “keqkuptimesh” me sllovenët. Jo shumë kohë më parë, sllovenët nuk e miratuan kandidatin serb për ambasador, Zoran Gjorgjeviç. Tanja Fajon, Ministre e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, në kohën kur ishte kryetare e komisionit të Parlamentit Evropian, ishte në shënjestër të vazhdueshme të sulmeve nga kurora e Beogradit

për shkak të deklaratave të saj që i bënin thirrje qeverisë serbe të respektonte vlerat evropiane dhe standardet e demokracisë, politikës së jashtme, medias etj” –  kujtoi Gjukiç duke shtuar se për fat të keq, problemi me Slloveninë nuk është një rast i izoluar…………..

“Problemet janë në pakënaqësinë e Beogradit me ish-republikat e tjera të ish-Jugosllavisë, me disa më shumë, me të tjera pak më pak, se ata e kanë gabim si gjithmonë kurse Serbia ka si gjithmonë të drejtë” – ironizoi Gjukiç.

“Përveç të gjitha pyetjeve të hapura që kemi, të cilat vazhdojnë me vite, tani kemi një tjetër të re – një rast të quajtur Slloveni”. Dhe kjo në një situatë ku Sllovenia, e cila është në NATO dhe BE, tani është gjithashtu një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Marrëdhëniet dypalëshe me Slloveninë ishin të shkëlqyera deri vonë, pra deri në zgjedhjen e qeverisë së re dhe në kohën kur Borut Pahor ishte president i Sllovenisë. Sot nuk janë më, për më tepër, janë përkeqësuar në mënyrë drastike deri në atë pikë sa i ngarkuari ynë me punë thirret në Ministrine e Jashme te Sllovenise për të dhënë sqarime” – theksoi Branka Latinoviç, ish-ambasadore, duke theksuar: – E gjithë kjo konfirmon edhe një herë mungesën e kultivimit të një fjalori të sofistikuar që politikanët tanë duhet ta kultivojnë kur dalin në skenën publike.

“Ata shpeshherë “harrojnë” dhe komunikojnë me politikanët e huaj, me gjuhën për nevoja të brendshme, e cila gjithashtu duhet ndryshuar” – tha  thotë e intervistuara e Danasit.

Latinoviç kujtoi se më herët krerët e politikës serbe e quanin Tanja Fajonin si studente të Sorosit, idiote, praktikisht “persona non grata”, por tani Fajon është ajo që vendos në Bashkimin Europian.

Continue Reading

Shkrime

A mund të bjerë Rama nga pushteti, prej dokumentarit të RAI 3

Nga Artur Ajazi

Kujtojnë se, duke nisur “habere” lart e poshtë, madje duke u ndalur edhe tek emisionet e RAI-t, duke përgojuar vendin dhe baltosur interesat kombëtare, do ta mposhtin Ramën. Po ashtu, mendojnë se, “emisioni i RAI-3, ka rritur mbështetjen popullore ndaj Rithemelimit”. Disa të tjerë rreth ish-liderit, shkojnë edhe më tej kur deklarojnë se “kaq e kishte Edi Rama, tani duhet të dorëhiqet”.

Kanë 12 vjet që e shohin dhe e provojnë me fakte se, Edi Rama nuk bie kurrë me presione, protesta, akuza dhe dosje të fabrikuara në bodrumet e Rithemelimit. Kanë 12 vjet që e pranojnë se “Edi Rama nuk bie me protesta, por ne nuk dorëzohemi”. Por edhe ai nuk dorëzohet. Një parti politike, që ka qenë edhe në qeverisje, vepron sikur të ishte “Njisit Guerril”, dhe kjo padyshim falë drejtimit absurd të lidershipit të saj. Ajo forcë politike po rrudhet çdo ditë nga paaftësia, padituria, mungesa e ideve dhe njerëzve të arsimuar.

Mjafton të jesh militant, që ofendon dhe shan me libër shtëpie Edi Ramën, dhe bëhesh anëtar kryesie, futesh në listën e re të deputetëve, dhe bëhesh “mik” i ish-liderit. Kjo është me pak fjalë edhe historia e atyre që çirren poshtë ballkonit dhe në sallën e Parlamentit. Të mendosh dhe më keq akoma, ta besosh se, me emisione televizive të RAI-3 apo dhe çfardo televizioni tjetër, mund të rrëzosh nga pushteti Edi Ramën, do të thotë të mos e kesh njohur fare kryeministrin e vendit tënd.

Një emision, që e ka zanafillën jo nga dëshira e një gazetari për të shfletuar  ca dokumenta që i servirën disa politikanë të një vendi fqinj, por nga joshja që i kanë bërë ata që në çdo gjuhë të huaj, shajnë dhe mallkojnë çdo ditë kryeministrin, ministrat, Parlamentin, resurset dhe bukuritë e vendit të tyre, dhe as i plas fare për popullin. Emisioni i RAI-3, i stërshfaqur në ditët e fundit në mbi 20 herë në mediat  dhe portalet e Rithemelimit, nuk tregoi  asgjë të re nga fusha e “investigimit gazetaresk”.

Dyshimet, faktet apo dhe “akuzat”, mbeten gjithmonë objekt i organeve të hetimit dhe drejtësisë, aspak objekt i  punës së një media, aq më tepër i një televizioni të huaj. Kryeministri i vendit Edi Rama, ka gjithë të drejtën morale, qytetare, penale,  ligjore, dhe kryeministrore, të mbrojë interesat e vendit, familjes, dhe ato personale, kur konstaton shifje dhe sajesa absurde. Në një vend demokratik, shpifja dënohet me sanksione të ndryshme ligjore, pasi nuk mund të vazhdosh misionin si gazetar apo dhe politikan, kur vepron mbi gënjeshtra dhe mashtrime. Edi Rama, ka zgjedhur pikërisht rrugën ligjore. Por duke u kthyer tek ngazëllimi i Rithemelimit, mendoj se  Gazi ka harxhuar “fishekun”  e fundit për të luftuar me kryeministrin, duke mos e menduar se i ka bërë dëmin më të madh partisë tij.

Zgjedhjet e reja të 2025, pa asnjë dyshim do të thellojnë fitoren e Partisë Socialiste, pikërisht nga këto absurditete të pakontrolluara që  Gazi, apo dhe ish-lideri u servirën shqipëtarëve si “zbulime të rralla korruptive”.

Continue Reading

Shkrime

‘Mistreci’ i vogël Albin, ‘vëllai’ i madh Rama dhe shqiptarët në RMV

Nga Jakin Marena

Raundi i parë i zgjedhjeve Presidenciale në Maqedoninë e Veriut përfunduan. Në balotazh dolën dy kandidatët maqedonas të dy partive politike kundërshtare, VMRO-DPMNE në opozitë dhe koalicioni për Ardhmëri Evropiane të kryesuar nga LSDM në pushtet.

Kryeson kandidatja e partive të opozitës Gordana Siljanovska- Davkova me mbi 40 përqind të votave, e ndjekur nga kandidati i LSDM dhe aleatëve të saj në qeverisje, presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pandarovski, me afër 20 përqind të votave.

Do jenë pikërisht këta dy kandidatë që do përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve, për të ndarë përfundimisht se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut për vitet në vijim sipas Kushtetutës së këtij vendi.

Për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut, shqiptarët arritën që për të dy kandidatët për postin e Presidentit, Bujar Osmani i BDI të Ali Ahmetit dhe aleatëve të tij dhe një të larguari nga kjo parti, si kandidat i koalicionit tjetër shqiptar ‘Vlen’,  Arben Taravari, nëse do bashkonin votat për një kandidaturë të vetme shqiptare, sot do të ishin në balotazh për të marrë postin e kreut të shtetit me afër 25 përqind të votave. Sikur të ishin bashkë themi.

Nëse shqiptarët nuk do të ndaheshin në dy pjesë, pavarësisht se kandidatët kishin dalë nga e njëjta parti, BDI, atëherë do të kishin bërë historinë. Megjithëse shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk kanë qënë kurrë më mirë se sot, me një kryeministër të tyre Talat Xhaferrin, deri dje kryetar i Parlamentit, me ministër të Jashtëm përfaqësues të tyre e përfaqësues të tjerë në postet më të rëndësishme ministrore e deri në nivel lokal, votat për një kandidat të përbashkët për President, do t’a kishin kaluar në dimension tjetër rëndësinë e shqiptarëve në RMV.

Themi sikur, pasi ne shqiptarët arrijmë me shumë ‘sukses’ që në momentin e fundit të prishin gjithçka, vetë dhe pa shumë ndihmë nga të tjerët. Siç kemi bërë gjithmonë, në tërë historinë tonë, nga fillimi e në vijim, ndaj jemi në këtë situatë, ku tërë hapësira mbarë shqiptare ka në ‘gjirin’ e vet dy shtete shqipfolëse, Shqipërinë dhe Kosovën, ka një pakicë shtetformuese që po rritet me shpejtësi në Maqedoninë e Veriut, ka pjesë të qenësishme të Malin e Zi, po dhe në Greqi e Serbi.

Pra ia kemi bërë vetes gjithmonë të keqen, dhe kanë qënë të mëdhenjtë që kanë vendosur pastaj bazuar dhe në këto ‘cic micet’ tona ndaj njëri tjetrit, për fatet e kufijve tanë ku jemi shpërndarë në 5 shtete si ‘zogjtë e korbit’. Ia kemi bërë vetes gjithnjë, dhe kjo histori nuk po mbaron kurrë sikurse ka përfunduar për kombet e tjera, që kur vjen puna për çështjen kombëtare, ulin ‘armët’ ndaj njëri tjetrit, dhe bashkohen edhe në gabim, për arritjen e qëllimit final që kanë. Kështu bëjnë grekët, kështu bëjnë bullgarët, kështu bëjnë serbët dhe thuajse të gjitha vendet e rajonit. Pra dëgjojnë njëri tjetrin, sipas hierarkisë vëllazërore.

Shqiptarët nuk mundën. E themi këtë duke marrë si referencë dhe ngjarjet më të fundit, zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, ku me investimin e vetë shqiptarëve u nda vota e tyre në dy pjesë, në vend që të bashkoheshin për të qënë ata kandidatura e dytë për kreun e shtetit në zgjedhjet e balotazhit që do të zhvillohen ditët e ardhshme ardhmen. Ndoshta dhe nuk fitonim, por ama do t’i shkonin për herë të parë shumë pranë fitores. Për ta kthyer në ambicie për të ardhmen.

Aktori kryesor në përçarjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është as më pak dhe as më shumë por kryeministri i Kosovës Albin Kurti. I cili ‘përzgjodhi’ dhe ndau nga BDI Arben Taravarin, duke e mbështetur për të dalë kundër Ali Ahmetit. Madje e shtyu drejt aleancës me partinë kryesore në opozitë, pro-ruse dhe jo me vokacion perëndimor, VMRO-DPMNE, vetëm pse në krahun tjetër ishte Ali Ahmeti, ish komandanti i UÇK që luftoi për çlirimin e Kosovës, dhe më pas u vu në krye të UÇK në Maqedoni. Dhe ku përmes luftës arriti të ulë në tavolinë maqedonasit, për arritjen e një paqeje të qëndrueshme për t’i bërë shqiptarët të barabartë mes të barabartëve në këtë shtet multinacional. Falë tij shqiptarët kanë sot gjuhën shqipe zyrtare krahas asaj maqedonase, por dhe drejtues shqiptarë në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Albin Kurti i pushtuar nga paranojat e tij për mungesën e lidhjes me luftën e UÇK, e ka dhimbje Albini këtë, si dhe për të qënë ai lider i gjithë shqiptarëve në rajon, anipse e ka futur Kosovën të cilën ka detyrë ta qeverisë, në një cep të politikës evropiane, thuajse të izoluar dhe vetë thuajse non grata pas përplasjes me aleatët tanë, SHBA, BE dhe Britania, futi ‘hundët’ në punët e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Pasi dështoi me shumë ‘sukses’ në Shqipëri gati 4 vite më parë, gjeti vend dhe i përçau e i bëri lëmsh në Maqedoninë e Veriut, vetëm e vetëm për të treguar se ai ka fuqi që të ndikojë tek bashkëkombasin e tij në shtetin fqinj. Për të treguar se mund t’i ndajë, mund t’i aktivizojë dhe pse jo kërkon dhe t’i përdorë ata në të ardhmen për ‘destabilitet-stabilizimin’politik. Pra, i ngre në këmbë në revoltë por dhe i qetëson me një urdhër të tij, me një ‘fishkëlllimë’, sa herë që t’ia lypë nevojë, sa herë që gjendet keq në Kosovë dhe sa herë që ndërkombëtarët ia presin shkurt.

Në vend që t’i bashkonte, ose sëpaku të bënte shërbimin më të shenjtë, të mos ndërhynte fare dhe t’i linte të vendosnin vetë, pa i ‘krehur bishtin’ askujt në radhët e shqiptarëve, në raundin e dytë në zgjedhjet Presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të kishim kandidatin e parë shqiptar që do të luftonte për postin e kreut të shtetit. Mund të ishte Bujar Osmani ai kandidat, por mund të ishte dhe një tjetër që mund ta zgjidhin të gjithë shqiptarët sëbashku për t’i dhënë votën dhe për të treguar fuqinë reale politike të bashkëkombasve tanë në Maqedoninë e Veriut.

Ndërhyrja e Albin Kurtit që çoi në ndarjen e votës së shqiptarëve në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut solli një rezultat, që nëse vijohet kështu duke u paraqitur të ndarë, do vijë në Presidencë përfaqësuesja e dalë nga partitë e orientuara pro-Rusisë dhe jo me vokacion perëndimor. E kanë shprehur hapur qëndrimin anti-shqiptar madje që nga kreu i koalicionit Mickovski e deri te partitë aleate të këtij koalicioni. Janë të qartë në qëllimin e tyre, e këtë duhet të shohin shqiptarët në RMV, teksa përgatiten për raundin e dytë të zgjedhjeve.

Jemi thuajse në të njëjtën situatë si vite më parë, kur partitë shqiptare, të gjendura në një luftë politike të ethshme, më në fund arritën që të gjejnë kthjelltësinë dhe të bashkohen për të mbështetur një koalicion pro-perëndimor, që është aktualisht në pushtet. Ku shqiptarët morën më të mirën e mundshme për vite me radhë, që nga posti i kryeministrit e deri te zyrtari më i thjeshtë. Morën dhe mbështetjen e fortë të aleatëve tanë të mëdhenj, të cilët e vlerësuan fort orientimin drejt Perëndimit të klasës politike shqiptare.

Dhe ky bashkëpunim dhe dalje me një zë të vetëm për t’u orientuar drejt një koalicioni pro-perëndimor, u arrit në takimin e Tiranës, iu dha ‘dora’ e fundit në kryeqendrën e shtetit amë por dhe kryeqendër e të gjithë shqiptarëve. Kryeministri Edi Rama, ishte promotori i këtij bashkimi, pavarësisht se gatishmëria e liderëve politikë shqiptarë ua lehtësoi punën të gjithëve për të gjetur rrugën e duhur për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Sikurse u gjet me sukses.

Liderët shqiptarë në atë kohë arritën të dalin mbi interesat personale të ditës, e të bashkoheshin. Megjithëse dhe atëherë liderë politikë të shtetit amë, që dhe sot janë në opozitë, madje Sali Berisha është nën arrest shtëpiak, ndërsa Ilir Meta kryeson një parti, që askush nuk është i sigurtë se me çfarë emri të ndryshuar do të gdhihet të nesërmen, bënë thirrje për të bërë koalicion me partinë e Nikola Gruevskit. I cili sot është në azil politik në Hungari, pas dënimit që i dha gjykata maqedonase për korrupsion.

Edhe sot, njëjta situatë është. Meta po bën fushatën e “Rithemelimit” të Partisë së Lirisë, me librin e Nikola Gruevskit në dorë, po promovon strategjinë e kthimit të Shqipërisë në një Maqedoni të Veriut të kohës së Gruevskit. Por pa gjykatë speciale atje dhe pa SPAK këtu. Dhe Albin Kurti do vijojë të mbështesë të gjithë shqiptarët në Maqedoni që janë kundër Ali Ahmetit, duke kontribuar për të sjellë në pushtet koalicionin pro-rus. E bëri dhe para mandatit të kësaj qeverisjeje, kur diskutoheshin koalicionet, por atëherë ishte thjeshtë kryetar i Vetëvendosjes, tani është kryeministër i Kosovës, pa asnjë peshë politike. Sot fuqinë, e përdor për qëllimet e veta

Ndaj liderët politikë shqiptarë duhet ta vendosin mirë se ku do ta çojnë votën e tyre në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale: Pro Perëndimit apo pro Rusisë. Eshtë jetike zgjedhja, sepse varen fatet e shqiptarëve në RMV, varen nga zgjedhja e duhur dhe e orientuar drejt Perëndimit.

Liderët politikë shqiptarë nuk janë vonë që të bashkohen, larg frymës së përçarjes që ofrojnë Albini nga Prishtina dhe Berisha-Meta nga Tirana. Eshtë koha për të vendosur, dhe ku është më mirë se sa të vijnë në Tiranë, dhe ta diskutojnë me kryeministrin Edi Rama. Njeriun që foli për bashkim 4-5 vite më parë dhe dha kontributin e tij për të mbështetur koalicionin pro-perëndimor. Përkundër akuzave ndaj tij nga ata që nuk i duan shqiptarët në Shkup, të cilët e akuzuan se Tirana po vendos për fatet e Maqedonisë së Veriut. Nuk e donin bashkimin e shqiptarëve. Por Rama mori mbi kurriz dhe sulmet e liderëve me vokacion anti-perëndimor në Tiranë, që donin partinë e Gruevskit në qeverisje dhe Nikolën sërish kryeministër.

Herën e parë që dëgjuan Ramën dhe u bashkuan gjithë liderët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut nuk u doli keq. Përkundrazi, fituan më shumë se sa e ka menduar dhe shqiptari më i thjeshtë në këtë vend. Pse të mos e dëgjojnë sërish zërin e arsyes e të ‘bekohet’ në Tiranë bashkimi i forcave për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Aq më tepër që Tirana zyrtare është cilësuar nga sekretari amerikan i shtetit Blinken si vend lider në rajon, dhe Rama lideri i shkëlqyer i rajonit. Nuk gabojnë amerikanët në përcaktime as në përzgjedhjen e lidershipit.

Fundja e kanë me të provuar shqiptarët në Maqedoninë e Veriut se komunikimi me ‘vëllain e madh’ Edi Rama u ka dalë më për mirë, se sa të dëgjosh ‘vëllain e vogël mistrec’ Albin Kurti. I cili rrezikon se bashkë me Kosovën të zhysë dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Zgjedhja është dy hapa larg, por koha nuk pret. Bashkimi mes vetes i çon shqiptarët drejt prosperitetit, integrimit e zhvillimit. Tirana këtu është, shpërndan vetëm mesazhe bashkimi mes vëllezërve.

Continue Reading

OPINION

‘Më mirë dorëzohu Edi, se më keq do bëhet’/ Kryeministri spanjoll i kthet keq Ramës

Nga Basir Çollaku

Në shenjë solidariteti homologu spanjoll i kthen xhevap Ramës…

I dashur Edi, mos u dorëzo, qëndro, rezisto, mos ta ndjejë, e vërteta do të dalë për lidhjet e Olsit në trafikun e drogës. Aty janë përgjimet e shkresat te Olsi tjetër në PP. Për dosjen e call centerave në Spanjë i hedh një sy për Olsin po qetësohu, ndonëse e ke bërë baltë.

Kam besim se ju sapo bëtë drejtësinë e re, me ish sigurimsa dhe bijtë e tyre. As për Engjëllin e shejtanllëqet e tij të shumta mos u dorëzo, se e vërteta do të dalë për batërditë e tij.

As për Lir Beqjen mos e vrit mendjen, do të dalë e vërteta e koncensionit të sterilizimit, ku ai ua ka bërë nënën parave publike.

Për Arben Ahmetajn mos çaj kokë se do ia dalë në Zvicër, por ruhu se ka marrë dosje me vete. Do flasë prapë më duket.

Për Oltën u kujdese vetë të mos zbatosh vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ia hodhe përkohësisht, megjithëse një fshat turistik ka hapur telashe të reja.

Me Erionin bëj kujdes se e ka qelbur fare, por rezisto, se ca qindarka 30 milionë euro janë pak, e tjetra kusur miliardash te inceneratorët. Mbroje se të merr me vete ai, nuk i zihet besë. Me kullat e kto strategjiket ia keni valuar marrëzisht.

Damiani e Charles, historitë e tyre, janë histori të mbuluara, ndaj mbahu se ke kohë për përballjen.

Me Taon je mirë, deri sa të plasë puseta. Pastaj nuk dihet kë merr përpara, se aty janë pafund gomarllëqet.

Tahirin e Fatmirin mos i lër pas dore se nuk ta falin kollaj ata, për çfarë u kurdise.

Me Belindën përveç sherrit me Veliajn, hidhu një sy drejtorëve se gropa është thelluar për qamet. Bashkiakët mbi 20 e kusur i ke në udhën e qelive mos humb kohë me ta.

Gjushin bëre mirë që e nxore nga burgu, se ai ka sakrifikuar për ty.

Me Lefterin e teprove se ai nuk ishte koka e inceneratorëve, por kurbanet kështu e kanë.

Ke rënë në sy me kto marrëveshjet e huaja, se kanë duart mafiozët rrotull.

Je treguar i zgjuar se largove çunat në Dubai e Londër, por në Durrës të kanë dalë nga kontrolli, dhe po të kontrollojnë, sidomos këtej nga vettingu. Për më gjatë pyet Inën..

Me këta të RAI pisk e ke, si me Bild e mos më keq..

Edi, bëj gajret. Unë kam shumë telashe, plot një rast, ti ke pak fare, të gjithë njësoj plaçkitës e Mafiozë..

Continue Reading

Shkrime

Precedenti Benet Beci, si lakmus për sondazhet politike

Nga Ylli Pata

Sondazhet që kur janë krijuar si një zhvillim i rëndësishëm në politikën botërore, janë kthyer në një instrument të rëndësishëm. Që mat mbi të gjitha temperaturën e perceptimit të përgjithshëm të popullsisë, duke përdorur kampionë statistikor, sipas një metode shkencore tashmë të konsoliduar.

Edhe në Shqipëri, kemi vite tashmë që sondazhet janë kthyer në një instrument që vlejnë për të analizuar në vija të trasha trendin e elektoratit. Megjithatë herë pas sondazhet përpara apo ditën e zgjedhjeve kanë krijuar konfuzion, pikërisht sepse nuk ja kishin qëlluar një leximi, që nuk është aq i thjeshtë aq sa duket.

Siç po del edhe sondazhi mujor në lidhje me perceptimin politik të ndarjes së preferencës mes forcave të opozitës.

Siç u bë e ditur nga sondazhi i përgatitur nga Zaloshnja në Report TV, Foltorja e Berishës ka një preferencë më të madhe sesa PD e Bashës, e cila është në kuota mjaft të ulëta, as 3 përqind.

E vërtetë? Kjo shifër nuk rezonon as rezultatin që PD ka marrë në zgjedhjet lokale te 14 majit 2023, ku arriti mbi 100 mijë vota në rang kombëtar, edhe pse u ndalua nga ish-numri dy Gaz Bardhi për të hyrë me kandidatë për kryetarë bashkie në shumicën e njësive.

Duke u nisur nga ky fakt, pra mos leximi i perceptimit të votave që mund të ketë PD-ja e Bashës në raport me votat e 14 majit, shtyn tek një qasje pak më ndryshe.

Qasje, e cila mund të ketë si analogji pikërisht zgjedhjet e 14 majit 2023. Kur thuajse të gjithë sondazhet e zhvilluara përpara zgjedhjeve, nuk e lexonin fitoren e qartë të Benet Becit.

Ndërkohë që kryebashkiaku aktual i Shkodrës dhe stafi i tij, kishin një sondazh më të thelluar që i jepte indicjen e një fitoreje, sondazhet e tjera linearë jo. Madje kishte disa prej të cilëve që e lexonin perceptimin publik si fitore e padyshimtë e Bardh Spahisë, kandidatin e foltores për kryetar bashkie në Shkodër.

Në fund, Benet Beci korri një fitore që ishte as e minutës së fundit, as e ngushtë fare. Ishte kapilare nga çdo qendër votimi në thuajse gjithë territorin e bashkisë në Shkodër. Po përse nuk e lexuan këtë rezultat sondazhet lineare?

Ka shumë pikëpyetje, por ajo që vjen si e dhënë nga territory, është se mjaft nga qytetarët që votuan Benet Becin ishin votues të PD-së ndër vite. Votë, e cila nuk ishte një qëndrim politik për PS-në, por një verdict me dy gishta, ku njëri ishte anti e tjetri pro.

Anti koalicionit të Sali Berishës dhe Ilir Metës dhe pro një kandidati, i cili paraqiti një ide, program alternativ dhe një narracion krejt ndryshe për Shkodrën.

Sipas të gjitha gjasave, Benet Beci ka marrë një uragan votash të djathta. Të cilat, nuk dolën e nuk kanë dalë më pas në sondazhe. Sepse jemi në një situatë kaotike në qerthullin opozitar.

Ndërsa logjika e perceptimit pro foltores është më shumë një indicie që vjen nga lart, nga televizionet, emisionet, rrjeti e gjëra të tilla, të cilat përkthyer në një ekuacion më specific brenda opozitës, nuk se kthehet. Siç nuk u kthye në Shkodër, Tropojë, apo edhe Kukës.

Megjithatë ky “shpirt” i një qëndrimi politik që realisht jo vetëm që ekziston por është i fortë, duhet organizuar. Deri më sot, kjo pjesë e elektoratit nuk kanë vendosur që të votojnë për kë. Ndaj janë rrështuar në 34 përqindëshin e atyre që nuk do të votojnë. Por ka një qasje të qartë; ata nuk votojnë për Sali Berishën dhe Ilir Metën.

Por për kë do të jenë të gatshëm të japin votën siç bënë më 14 maj 2023? Në një profil të ri siç ndodhi me Benet Becin! E këto nuk janë elektorat gri, por një arqipelag votash i pastër i së djathtës. i gatshëm për tu hedhur në aksion, nëse PD e Lulzim Bashës del me emra dhe mbiemra, e natyrisht me ide të qarta, por shpejt.

Ndryshe nuk është çudi që të votojnë edhe për PS, apo ku i dihet ndonjë propozimi të ri që del rrugës, por kurrë dyshen e vjetër.

E ka treguar 14 maji! Mjafton të lexosh atë votë për të parë se çfarë ndodhi, e thuajse i gjithë ky komunitet është një fuqi politike e nivelit të lartë që kërkon ndryshim real, e nuk pranon të mbahet peng e gënjehet.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING