Aktualitet
Epoka e re e artë/ Rama: Gazi amerikan e kthen Vlorën në nyje energjetike
Kryeministri Edi Rama ka komentuar marrëveshjen për gazin e lëngshëm me Shtetet e Bashkuara dhe Greqinë, duke theksuar ndikimin që ajo do të ketë në transformimin e sektorit energjetik në Shqipëri.
Para nisjes drejt Yerevan-it për Samitin e Komunitetit Politik Evropian, Rama u ndal te përfitimet konkrete të projektit, duke vënë në qendër TEC-in e Vlorës.
Sipas tij, impianti, i ndërtuar fillimisht për të punuar me naftë, do të kalojë në përdorimin e gazit dhe do të prodhojë energji elektrike në mënyrë të qëndrueshme.
“Shqipëria do të furnizohet me gaz të lëngshëm amerikan për 20 vite dhe përmes TEC-it të Vlorës do të prodhojë energji elektrike”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se ky zhvillim do të rrisë ndjeshëm investimet e reja në vend, si dhe kapacitetet për të mbështetur sektorë të avancuar si qendrat e të dhënave dhe Inteligjenca Artificiale.
Ai shtoi gjithashtu se Vlora pritet të kthehet në një nyje të rëndësishme energjetike, jo vetëm për përdorim të brendshëm, por edhe për eksport përmes lidhjes me Trans Adriatic Pipeline (TAP) në Fier.