Kosova
EPSHET E PUSHTETIT/ ANALISTI ZEKTHI: ALBIN KURTI SHKULI TIMONIN E AUTOBUZIT
Fitim Zekthi komentoi situatën politike në Kosovë, duke u ndalur te mënyra se si, sipas tij, Albin Kurti e ushtron politikën dhe menaxhon zhvillimet politike në vend.
Zekthi e krahasoi mënyrën e veprimit të Kurtit me “shkuljen e timonit të autobusit”, duke argumentuar se një qasje e tillë e bën politikën të paparashikueshme dhe, sipas tij, nuk përputhet me atë që duhet të jetë një politikë e mirë.
Sipas Zekthit, Kosova ka nevojë për një qeverisje model, pasi përballet ende me sfida të rëndësishme në planin ndërkombëtar dhe atë të konsolidimit të shtetit.
“Albin Kurti përdor një teknikë politike të shkuljes së timonit të autobusit. Unë e shkul këtë dhe i them: ‘O hap rrugën se të rashë, ose bëj diçka’. Unë s’e kontrolloj dot timonin. Por mua kjo nuk më pëlqen te politikanët, sepse tregon që luajnë me paparashikueshmërinë. Politika e mirë nuk mund të jetë kështu. Kosova është një vend që ende lufton të njihet ndërkombëtarisht dhe ka një sfidë gjigante të ekzistencës së vet. Ka nevojë për një qeverisje model. Do të duhej që të gjithë të kafshonin gjuhën atje. Ajo që u sakrifikua në luftë, gjaku i njerëzve, do të duhej që edhe sot t’i bënte të bënin një sakrificë, të hiqnin dorë nga epshet e pushtetit. Prandaj, të shqetësuar duhet të kemi përgjegjësinë e atyre që shkuan në luftë. Kosova vërtet bën zgjedhje, por demokracia nuk është thjesht çështja e zgjedhjeve. Është kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm. Demokracia ka të bëjë me ndarjen e pushteteve, sundimin e së drejtës. Nëse ti ke një pushtet ekzekutiv që kontrollon prokurorinë, gjykatat, nëpërkëmb parlamentin, kjo nuk është më demokraci”, tha ai.