✦
Thinking ...
Connect with us

Shkrime

ERDHEN SHERIFAT/ TIRANA KTHEHET NE SKENEN E DHUNSHME TE FILMAVE WESTERN

Ka një vijë të hollë mes protestës dhe vandalizmit, mes revoltës qytetare dhe arrogancës së atyre që mendojnë se, sapo dalin në rrugë, ligji pushon së ekzistuari.

Në Tiranën e këtyre ditëve, kjo vijë bëhet edhe më e dukshme teksa protesta është shndërruar në përplasje të dhunshme, ku janë nxjerrë gurë nga ‘stomaku i çjerrë’ i trotuarëve, ku kangjellat janë kthyer në barrikada dhe godinat publike, në shënjestra për t’u sulmuar.

Pamjet të kujtojnë Perëndimin e Largët, atë botë të filmave ku sherifi, kauboji dhe njeriu i plotfuqishëm dhe i armatosur, përballej në rrugët e qyteteve pa shumë rregulla.

Por në Tiranën e sotme, problemi nuk është mungesa e ligjit. Problemi nis kur dikush bindet se ligji është ai vetë.

Këta janë sherifat e rinj të Perëndimit të Largët që janë shfaqur në Tiranë, jo njerëz të zakonshëm apo studentë që dalin në rrugë me bindjen se zemërimi i tyre u jep të drejtë të protestojnë.

Sherifat janë ndryshe.

Ata vendosin vetë se çfarë lejohet dhe çfarë jo. Në logjikën e tyre, ata janë gjykata, gurët i kanë kthyer në argumenta dhe dhunën e shesin për trimëri.

Por revolta nuk është licencë për të shkatërruar. Pakënaqësia politike nuk e bën vandalizmin akt heroik dhe as zemërimi ndaj qeverisë nuk zhvesh askënd nga përgjegjësia për veprimet e veta.

Një qytetar mund të kundërshtojë, të protestojë, të thërrasë, të kërkojë dorëheqje dhe të sfidojë pushtetin me gjithë forcën e zërit të tij. Por kur kalon te shkatërrimi, ai nuk po ushtron më vetëm të drejtën e protestës, por po cenon edhe të drejtat e të tjerëve.

Por jo çdo protestues në Tiranë është vandal, as çdo përplasje mund t’i faturohet  gjithë turmës.

Askush, qoftë edhe sherfi, nuk bëhet zot i vendit vetëm sepse bërtet më fort apo guxon të djeg me zjarr atë që të tjerët kanë ndërtuar. Rruga nuk është pronë private e protestuesit, godina publike nuk është plaçkë lufte dhe qyteti nuk është skenë ku secili mund të luajë rolin e sherifit sipas dëshirës.

Në imagjinatën e dhunuesve në Tiranë, çdo përplasje është një skenë triumfi, çdo përballje me policinë është një duel për lavdi dhe çdo akt vandalizmi është një episod që duhet duartrokitur. Tek sherifat e sotëm dhe vandalë ndryshon skenografia dhe kostumet, por iluzioni mbetet i njëjtë: Unë jam ligji dhe e vërteta.

Por nesër kur kamerat të fiken, muzika të ndalet dhe turma të shpërndahet, për sherifin e vetëshpallur, pra kur ata të kthehen në jetën reale, nuk do ketë regjizor që tjua retushojë skenën, nuk do ketë montazhier që tjua fshijë dhunën dhe nuk do ketë skenarist që ti kthejë nga vandalë në heronj.

Tirana nuk ka nevojë për sherifa të Perëndimit të Largët. Ka nevojë për qytetarë që dinë të kërkojnë llogari pa shkatërruar, për polici që zbaton ligjin pa abuzuar dhe për një shtet ku askush nuk është mbi rregullat. Sepse liria nuk është e drejta për të bërë çfarë të duash. Është e drejta për të vepruar pa harruar se edhe të tjerët kanë të njëjtat të drejta. –

Advertisement