Bota
Erdogan sulmon ashpër Netanyahun: Po ndjek gjurmët e Hitlerit, do të paguajë…
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka lëshuar sërish akuza të forta ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, duke e krahasuar atë me udhëheqësin e Gjermanisë naziste, Adolf Hitlerin.
Gjatë një deklarate publike, Erdogan tha se ata që “ndjekin gjurmët e Hitlerit” do të përballen me të njëjtin fat si shumë tiranë të tjerë në histori, duke iu referuar drejtpërdrejt politikave të qeverisë izraelite.
Presidenti turk e cilësoi Izraelin, nën drejtimin e qeverisë aktuale, si një “fabrikë mosmarrëveshjesh që ushqehet me gjak dhe lot”, ndërsa akuzoi autoritetet izraelite për përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme.
Në fjalën e tij, Erdogan përdori edhe tone paralajmëruese, duke deklaruar se ata që “sulmojnë rajonin tonë si peshkaqenë që nuhasin gjak” do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre, shkruan A2CNN.
Deklaratat e liderit turk vijnë në një periudhë tensionesh të larta në rajon dhe pritet të nxisin reagime të reja në arenën ndërkombëtare. Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Izraelit kanë njohur përplasje të vazhdueshme gjatë muajve të fundit, me Ankaranë që ka kritikuar vazhdimisht veprimet e qeverisë izraelite.