Politike
Ervin Salianji për ‘Deutche Welle’: Nuk e njohim Berishën si kryetar legjitim
Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka shpërthyer me akuza të forta ndaj Sali Berishës dhe procesit për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike, duke deklaruar se nuk do ta njohë Berishën si kryetar legjitim të opozitës.
Në një reagim për “Deutsche Welle”, Salianji e cilësoi procesin si një votim formal pa garë reale dhe akuzoi Berishën se po e mban peng Partinë Demokratike.
“Kur mungon gara, mungon edhe legjitimiteti moral por në këtë rast edhe ai ligjor. Demokratët nuk kanë nevojë për votime formale pa alternativë, por për një opozitë të hapur, moderne dhe fituese. Ajo që ndodhi sot nuk i bashkon demokratët, përkundrazi i largon ata edhe më shumë nga politika dhe nga besimi tek opozita. Unë nuk kam hyrë në këtë betejë për interesa personale apo poste. Kam hyrë sepse besoj se Shqipëria ka nevojë për opozitë reale dhe për rikthimin e standardeve demokratike”, deklaroi Salianji.
Ish-deputeti paralajmëroi se do të vijojë aksionin e tij politik dhe takimet me demokratët, ndërsa theksoi se nuk e njeh rezultatin e procesit të organizuar nga Berisha.
“Aksioni im politik do të vazhdojë me të njëjtën vendosmëri, në krah të demokratëve dhe qytetarëve që kërkojnë ndryshim të vërtetë dhe jo riciklim të së shkuarës. Do të vazhdoj lëvizjen dhe takimet me qytetarët duke nisur nga kjo javë në Tiranë. Ne nuk njohim një farsë që organizohet nga Berisha. Ai fliste si komisioner, si numërues, si gjykatës, si zotëruesi i të vërtetës absolute… praktikisht si pronar. Nuk do ta pranojmë dhe nuk e njohim legjitim Sali Berishën”, u shpreh ai.
Salianji shkoi edhe më tej në kritikat ndaj liderit historik të demokratëve, duke deklaruar se çdo ditë që Berisha qëndron në krye të PD-së i shërben vetëm zgjatjes së pushtetit të Edi Ramës.
“Çdo ditë e qëndrimit të tij në zyrë i shërben zgjatjes së pushtetit të Edi Ramës. Shqiptarët sot kërkojnë alternativë, jo përsëritje të krizës së vjetër politike e as riciklim apo ripaketim të Berishës si i riu i paprovuar që do sjellë shpresë. Opozita bëhet më e fortë kur hapet ndaj shoqërisë, kur pranon garën, meritokracinë dhe mendimin ndryshe. Pa këto elementë nuk mund të ketë besim qytetar dhe as alternativë fituese përballë qeverisë”, deklaroi ish-deputeti demokrat.
“Sali Berisha i sjell opozitës dhe gjithë shoqërisë pesimizëm. Ai nuk ka asnjë narrativë se pse kërkon të vijë në pushtet, as arsye publike përveç dëshirës personale. Berisha është po aq i konsumuar sa Rama, ka akuza si Rama, ka marrëdhënie jo të mira me faktorin ndërkombëtar dhe është humbës kronik prej vitit 2013 kur ishte në qeverisje. E reja e vetme është që tani maskat e ‘demokracisë’ ranë dhe ai është ekspozuar si minues i demokracisë”, përfundoi Salianji.