Connect with us

Aktualitet

Euro 2024/ Shqipëria tregon karakter dhe merr një pikë në Çeki

Kombëtarja shqiptare e futbollit barazoi 1-1 kundër Çekisë në Pragë, për sfidën kualifikuese të Euro 2024 në grupin E. Kuqezinjtë ia dolën të marrin një pikë, në një ndeshje të luftuar, me raste dhe me një lojë të mirë. Sylvinho u tregua guximtar në këtë duel, duke hedhur në fushë një ekip sulmues paçka se luante me vendin e parë në grup. Goli i Cerny në minutën e 57-të hapi ndeshjen për çekët, ndërsa Nedim Bajrami u kujdes të linte shenjë me një “perlë” nëntë minuta më vonë, teksa realizimi nga jashtë zone ishte me vlerën e një pike për tanët.

Ndeshja nisi mirë për tanët, që kishin dy raste me Asanin dhe Cikalleshin. Dyshja nuk përfitoi në disa momente, me pjesën e parë që u mbyll pa gola. Duhej fraksioni i dytë i lojës që Cerny në të 57 minutë të kalonte vendasit në avantazh, kjo edhe pas një gabimi në prapavijën e kuqezinjve. Përtej golit të pësuar, Kombëtarja reagoi dhe pas dhjetë minutash shënoi me Nedim Bajramin. Fantazisti i Sassuolos mori topin dhe me një të djathtë nga jashtë zone shtangu portierin vendas.

Fundi i lojës ishte dramatik, me Dakun që nuk pasoi mirë për Mujën, duke humbur një rast të mirë në debutim. Në fund edhe pas shtatë minutave lojë ndeshja u mbyll 1-1, teksa kuqezinjtë e Sylvinhos siguruan një pikë me vlerë kundër kryesuesve të grupit.

Po për grupin tonë, Polonia fitoi 2-0 me Ishujt Faroe. Pas katër ndeshjeve në grup, Çekia me tetë pikë është në krye, ndjekur nga Shqipëria me shtatë pikë dhe Polonia me gjashtë. Moldavia në vendin e katërt me pesë pikë, teksa mbyllin klasifikimin me një pikë Ishujt Faroe.

Me paraqitjen e mirë dhe pikën e marrë, Shqipëria pret me moral të lartë Poloninë në “Air Albania”, këtë të diel në orën 20:45 për grupin E kualifikues të Euro 2024.

Zhvillimet kryesore nga ndeshja:

90+7′ Mbyllet 1-1 ndeshja në “Fortuna Arena”.

90′ Shtatë minuta shtesë.

84′ Gjasula dhe Uzuni në fushë, dalin Bajrami dhe Seferi.

83′ Mirlind Daku nuk pason saktë për Mujën, teksa kundërsulmi mund të ishte deçiziv për tanët. Në një aksion që ishim në avantazh numerik, Daku gaboi një pasim të thjeshtë.

74′ Berisha hero te Shqipëria, shpëton një gol të sigurt dhe mban në lojë tanët.

69′ Dy zëvendësime te tanët, Bare dhe Arbnor Muja në fushë. I bëjnë vend Asani dhe Asllani.

66′ Nedim Bajrami barazon ndeshjen me një perlë nga jashtë zone. Çeki 1-1 Shqipëri në Pragë. Vetëm nëntë minuta zgjat avantazhi i vendasve.

58′ Mirlind Daku merr vendin e Cikalleshit.

57′ Cerny në minutën e 57-të të ndeshjes ndëshkon tanët. Një vendosje jo e mirë në prapavijë ka sjellë edhe golin e vendasve.

52′ Jasir Asani merr karton të verdhë.

48′ Çekia shënon me Provod. Sulmuesi ndëshkon Berishën, por VAR i vjen në ndihmë tanëve duke konfirmuar pozicionin jashtë loje.

46′ Nis pjesa e dytë.

45+2′ Mbyllet pjesa e parë.

43′ Gafë e Shqipërisë në mesin e fushës, Soucek fal kuqezinjtë.

28′ Jasir Asani i vetëm me portierin çek gabon nga brenda zonës. Anësori i jep “asist” sulmuesit duke ngritur flamurin për pozitë jashtë loje. Disa sekonda më pas, Cikalleshi nuk ka mundur të përfitojë në zonën vendase.

12′ Cerny provon te vendasit nga jashtë zone, ndal bukur Berisha.

6′ Sulm i bukur i tanëve, Cikalleshi është në pozicion jashtë loje.

1′ Nis ndeshja në “Fortuna Arena”.

Prag – dueli / Me këngë patriotike dhe me valle, kuqezinjtë duken si në shtëpinë e tyre, teksa janë më shumë se 4 mijë fansa shqiptar në stadium, edhe pse zyrtarisht do duhet të ishin diçka më shumë se 1200.

Që prej ditës së djeshme tifozët e Kombëtares ishin prezent në Pragë, duke kthyer në festë sheshet dhe lokalet në kryeqytetin çek.

Trajneri i tanëve, Sylvinho ka bërë edhe zgjedhjet e tij në listën me 23 emrat që do ketë të gatshëm për këtë duel. Sipas protokollit të bërë publik edhe nga UEFA, Odise Roshi ka mbetur në tribunë për këtë sfidë, me Mujën dhe Dakun që do jenë të gatshëm. Nëse Qazim Laçi mbeti në Tiranë për shkak të problemeve gripale, Roshi ka dalë “i tepërt” për Çekinë.

Sylvinho luajti me skemën 4-3-3, teksa Berisha është në portë. Në mbrojtje luan Hysaj, Ismajli, Gjimshiti dhe Mitaj, ndërsa mesi i fushës për Ramadanin, Asllanin dhe Bajramin. Sulmi i takon Asanit, Seferit dhe Cikalleshit. Bie në sy se jashtë formacionit ka mbetur Balliu, Gjasula dhe Uzuni. Me bërjen publike të formacioneve, bie në sy se kapiteni i ri i Shqipërisë do jetë Berat Gjimshiti. Edhe pse Berisha dhe Hysaj janë në fushë, mbrojtësi i Atalantës është graduar në detyrën e re.

Në total dy kombëtaret ishin vënë përballë njëra-tjetrës në 6 raste, ndërsa 5 prej tyre kanë qenë në periudhën kur Çekia dhe Sllovakia ishin bashkë. Tre sfidat e para kanë qenë miqësore, një fituar nga Çekosllovakia dhe dy të tjerat nga Shqipëria. Të vetmet ndeshje zyrtare janë zhvilluar në vitin 1991 për kualifikueset e Europianit, teksa Çekosllovakia i ka fituar të dyja. 0-2 në Tiranë dhe pak më vonë 2-1 në Pragë.

FOTO/ ‘Bajrami shënoi sërish’, postimi i UEFA-s për mesfushorin e Kombëtares pas supergolit me Çekinë

1694119656_nedimbajrami.jpg

“Bajrami e bëri përsëri”, shkruan “EURO 2024” në “Instagram” duke i thurur elozhe mesfushorit kuqezi.

Supergoli i tij kundër Çekisë në minutën e 66’, bëri që kuqezinjtë të dilnin me një pikë nga  transfertë.

Postimi i referohet dhe golave të mëparshëm të mesfushorit që luan me Sasuolon, i cili shkon kështu në kuotën e 3 golave në tre ndeshjet e fundit me Kombëtaren.

Për Bajramin ky ishte goli më i bukur i karrierës së tij.

1694125382_76868.jpg

Duka i kënaqur me golin në Çeki, shpreson fitore dhe të dielën me Poloninë! Festa e tifozëve shqiptarë në Pragë

Kombëtarja shqiptare e futbollit barazoi 1-1 kundër Çekisë në Pragë, për sfidën kualifikuese të Euro 2024 në grupin E. Kuqezinjtë ia dolën të marrin një pikë, në një ndeshje të luftuar, me raste dhe me një lojë të mirë. Goli i Cerny në minutën e 57-të hapi ndeshjen për çekët, ndërsa Nedim Bajrami u kujdes të linte shenjë me një “perlë” nëntë minuta më vonë, teksa realizimi nga jashtë zone ishte me vlerën e një pike për tanët.

Presidenti i FSHF-së Armand Duka u shpreh i kënaqur me rezultatin.

“Jam i kënaqur dhe i gëzuar me rezultatin”

Tani nis përgatitja për ndeshjen e të dielës.

“Na pret një ndeshje shumë e vështirë në Tiranë. Uroj ta fitojmë në shtëpi. Do kemi gjithë Shqipërinë me vete” tha Duka.

Ndërkohë ka nisur festa e tifozëve shqiptarë në metronë e kryeqytetit çek por dhe në hotelin ku janë akomoduar futbollistët e kombëtares.

Të dielën Shqipëria luan me Poloninë në stadiumin “Air Albania”

Sylvinho: Tifozët panë një ndeshje shumë të bukur! Atmosferë shumë e mirë në dhomat e zhveshjes! Ndeshja me Poloninë është shumë e rëndësishme

1693648078_sylvinho.jpg

Trajneri Sylvinho u shpreh shumë i kënaqur nga loja e kombëtares me barazimin 1 –  1 në ndeshjen me Çekinë.

“Ishte një skuadër e fortë sepse ata luanin dhe në shtëpinë e tyre. Kanë një ritëm shumë të fortë sidomos në fillim të ndeshjes. Luan shumë fort në shtëpi dhe ishte shumë e rrezikshme. Është e rëndësishme të merrnim një pikë. Jemi në gjysmë të rrugës. Kemi bërë një ndeshje të mirë’

E rëndësishme për kualifikimin është ndeshja me Poloninë

“Ndeshja me Poloninë është shumë e rëndësishme. Jam shumë i kënaqur për shpirtin e garës që treguan, qoftë për Mujën e Dakun. Po krijohet një atmosferë shumë e mirë në dhomat e zhveshjes dhe është shumë pozitive. Tifozët panë një ndeshje shumë të bukur.

‘Ky është goli më i bukur në karrierë’, heroi Bajrami: Dhamë shpirtin në fushë! Të vazhdojmë me këmbë në tokë me Poloninë

Goli i Nedim Bajramit barazoi ndeshjen me Çekinë me një perlë nga jashtë zone. Vetëm nëntë minuta zgjat avantazhi i vendasve.

Në një prononcim për median ai tha se luajtën si skuadër

Nedim Bajrami: E kena ditë që do të jetë ndeshje e vështirë. Dhamë shpirtin në fushë. Duhet të vazhdojmë me këmbë në tokë. Të dielën kemi finale tjetër. E dimë që do të luajmë në shtëpi. Shpresojmë që të gjithë tifozët të japin shpirtin. Luajtëm si skuadër dhe bëmë golin

Pyetje: A është goli më i bukur i karrierës tënde?

Nedim Bajrami: Deri tani është goli më i bukur që kam bërë në karrierën time.

Debutim me pikë, Mirlind Daku s’i mban lotët për Kombëtaren: Ja pse gabova te pasimi për Mujën

Mirlind Daku debutoi me Kombëtaren kuqezi, në barazimin 1-1 me Çekinë në Pragë. Sulmues s’i mbajti lotët duke folur edhe për rastin e humbur.

“Nuk e di, jam pa fjalë. Kur përfundoi ndeshja isha totalisht i emocionuar që arrita të debutoj me kombëtaren shqiptare. Për mua është arritje e madhe, për familjen time që kemi luftuar për të arritur këtë moment. (Nuk mban lotët)

Pasimi? Në rastin e parë mendova ta pasoja te Nedimi por në atë moment mendova që është jashtë loje e mendova t’ia jap Mujës. Nuk desh Zoti ta mbyllnim me atë aksion e shënonim. Dëshira ime ishte të shënonim por çfarë t’i bëjmë. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të jemi më syhapur”, tha për “Supersport” Daku.

Aktualitet

Axhami: Filozofia Zogiste në kohë moderne, nën moton “Atdheu mbi të gjitha”

PARTIA LËVIZJA E LEGALITETIT ALTERNATIVË E DJATHTË ME PLATFORMË ELEKTORALE BINDËSE:
Gjatë një interviste në NTV-me gazetarin e mirënjohur Red VARAKU, ndër të tjera.
👉Partia Lëvizja e Legalitetit, hap pas hapi, në pregatitje të infrastrukturës për marrjen pjesë në zgjedhjet e ardhshme si një alternativë e djathtë me platformë elektorale të qartë bindëse.
👉Të kthejmë krenarinë kombëtare nëpërmjet forcimit të institucioneve shtetërore brenda një shteti të fortë të së drejtës ligjore, kryerjes së reformave që rrisin nivelin e shërbimeve në interes të qytetarve si dhe të forcojmë bashkëpunimin unifikues të çdo faktori rajonal shqiptar në interes të bashkimit kombëtar.
👉Filozofia Zogiste në kohë moderne;
Me besim në Zot, ku primara mbetet Familja, prona, Atdheu dhe Kombi, nën moton “Atdheu mbi të gjitha”, në Shqipëri bërja e shtetit të së drejtës bëhet lehtësisht me një sistem qeverisës Monarki Kushtetuese.
👉Mbreti Zog, burrështetas, strateg, diplomat dhe politikan shumëdimensional, i rrallë në llojin e vet, i cili Shpalljen e Pavarsisë e ktheu në realitet duke u bërë shtetformuesi i shtetit të parë modern shqiptar nën moton “Atdheu Mbi të Gjitha”
Mbreti Zog dhe trashigimtarët e Kurorës Mbretërore, Mbreti Leka dhe sot Princ Leka, gjithmonë në plan të parë kanë vënë interesin kombëtar ku Shqipërinë dhe shqiptarët i kanë parë NJË dhe të bashkuar si komb, ata mbeten unifikuesit e kombit tonë në më të mirën e mundshme sipas çdo të drejte.
Continue Reading

Aktualitet

Vdekja e mistershme e të moshuarve në Dropull, lirohen personat e shoqëruar në polici

Ditën e sotme, u përcollën në banesën e fundit, dy të moshuarit që u gjetën të vdekur dhe me shenja dhune në banesën e tyre. Të afërmit e ardhur nga Greqia dhe bashkëfshatarët në Bodrisht të Dropullit i dhanë lamtumirën e fundit Kosta Ilia, 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia, 88 vjeçe.

Lidhur me ngjarjen e rëndë, e cila vijon ende e pazbardhur, policia ka shoqëruar mbi 10 persona. Ndërkohë pasi kanë dhënë deklarimet e tyre, personat e shoqëruar janë lënë të lirë. Disa pista hetimi janë ngritur për vdekjen e tyre, ku deri tani, nga policia dhe prokuroria është lënë në hije pista e një grabitje të mundshme. Kjo pasi edhe pensioni që i moshuari kishte marrë pak ditë më parë në Greqi iu gjet në portofol. Gjithashtu është hedhur poshtë dhe versioni se çifti mund të ketë vrarë njëri- tjetrin.

Kryefamiljari i cili kishte marrë një plagë në kokë kishte ndërruar jetë në oborrin e shtëpisë ndërsa pak metra larg tij, në brendësi të banesës u gjet e vdekur edhe bashkëshortja gjithashtu me shenja dhune në trup. Sipas policisë të moshuarit u goditën me mjete të forta rrethanore por burime thanë se në vendngjarje nuk është gjetur asnjë mjet i tillë. Për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, grupi hetimor është rikthyer sërish në banesën e të moshuarve. Ekspertët kriminalist janë në pritje të ekzaminimeve të disa provave materiale të marra në brendësi të banesës së çiftit të viktimave.

Continue Reading

Aktualitet

E pazakontë/ Mjeti përplas biçikletën, motorin, makinën, këmbësorin dhe përfundon në lavazh

Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar këtë të premte në rrugën e ish-Kënetës që lidhet me Unazën e qytetit të Durrësit.

Mësohet se një automjet, i cili po udhëtonte me shpejtësi ka humbur kontrollin duke kaluar trafikndarësen e rrugës për të përfunduar në krahun e kundërt.

Gjatë devijimit, automjeti fillimisht ka aksidentuar një biçiklist, një këmbësor, një motor dhe një automjet të parkuar, për t’u përplasur më pas me fasadën e një lavazhi automjetesh.

Burime bëjnë me dije se drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri në automjet kanë marrë dëmtime dhe janë dërguar në spital, ndërsa personat e tjerë të përfshirë në aksident nuk kanë lëndime serioze.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektivë të policisë, të cilët teksa kanë rrethuar vendin e aksidentit deri në përfundim të hetimit, po punojnë për zbardhjen e shkaqeve.

Continue Reading

Aktualitet

Ndalimi i tregtisë me Izraelin/ Erdogan: 9.5 mld dollarë më pak, për ne nuk ndryshojnë gjë

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka reaguar pas vendimit të qeverisë së Turqisë për të ndaluar tregtinë me Izraelin. Ai tha se tashmë është koha për të vepruar dhe se durimi kishte përfunduar.

Sipas Erdogan opozita në Turqi shfrytëzoi faktin që qeveria nuk ndërmori masa kundër Izraelit dhe e përdori diçka të tillë për zgjedhjet në vend.

“Zhvillimet e fundit në operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza nuk janë të pranueshme. Kjo është arsyeja pse ne besojmë se ishte e nevojshme të ndërmerreshin këtë hap. Ne prisnim të shihnim qetësimin e situatës përpara se të merrnim këto masa, por opozita e shfrytëzoi këtë për të na sulmuar Pasi të kenë përfunduar zgjedhjet, ne kalojmë te veprimet dhe faktet”, tha Erdogan.

Ndalimi i importeve dhe eksporteve do të vazhdojë derisa të ketë një armëpushim dhe të garantohet aksesi i popullatës në ndihma humanitare.

“Ndërmjet 40 dhe 45 mijë civilë të pafajshëm u vranë me bashkëpunimin e Perëndimit dhe në veçanti të Amerikës. Tani durimi ka mbaruar dhe ne kemi marrë këtë masë. Tregtia me Izraelin ishte 9.5 miliardë dollarë, për ne nuk ndryshon asgjë hiqni dorë, dera është e mbyllur”, përsëriti Erdogan.

Continue Reading

Aktualitet

Vrasja e të moshuarve në Dropull, shoqërohen 9 banorë në Komisariat, çfarë gjeti policia

9 banorë të fshatit Bodrishtë dhe një bari shtegëtar të imëtash janë shoqëruar nga policia e Gjirokastrës, nën cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për krimin ndaj dy të moshuarve Kosta dhe Kleoniqi Ilia bashkëshortë mes tyre.

Deri tani të shoqëruarit janë banorë që jetonin në afërsi të banesës së çiftit, persona me të cilët mund të kenë pasur debate për kufijtë e pronës si dhe bariu që nuk është banor i fshatit, por që mendohet se mund të ketë qenë në rrugën para banesës në momentin e krimit e që dyshohet se ka dijeni për të.

Policia gjithashtu ka gjetur një levë hekuri në pjesë e pasme të banesës objekt që është marrë në konsideratë në cilësinë e provës pasi dyshohet se të moshuarit kanë marrë goditje nga i njëjti objekt, burri në pjesën anësore të kokës dhe gruaja në pjesën e shpinës. Goditjet sipas ekspertëve kanë qenë vdekjeprurrëse sepse janë shkaktuar nga një mjet i fortë.

Hetuesit janë duke pritur analizat e ADN-së për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen dhe identifikimin e autorit të këtij krimi.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING