Bota
Farage sfidon Francën: Do dërgojmë flotën britanike kundër gomoneve
Një përplasje diplomatike ka shpërthyer mes Britanisë së Madhe dhe Francës pas deklaratave të liderit të partisë populiste “Reforma”, Nigel Farage, i cili ka paralajmëruar përdorimin e Marinës Mbretërore për të ndaluar kalimet me gomone të emigrantëve drejt brigjeve britanike.
Farage deklaroi se, nëse partia e tij do të vijë në pushtet, do të nisë një operacion të gjerë ushtarak në La Mansh për të bllokuar mbërritjen e emigrantëve nga Franca dhe Belgjika, duke e cilësuar këtë si një nga operacionet më të mëdha të këtij lloji në dekadat e fundit.
“Nëse Flota Detare Mbretërore nuk është aty për të mbrojtur këtë vend nga invazioni, atëherë sinqerisht nuk shoh se ç’kuptim ka që të ekzistojë”, u shpreh Farage.
Ai premtoi se brenda dy javësh nga marrja e pushtetit, një qeveri e drejtuar nga “Reforma” do të ndalte kalimet me gomone në La Mansh.
Por propozimi ka hasur kundërshtime dhe skepticizëm nga ish-zyrtarë të lartë ushtarakë britanikë dhe ekspertë të mbrojtjes, të cilët vënë në pikëpyetje zbatueshmërinë e planit.
Sipas tyre, Marina Mbretërore nuk disponon kapacitetet e nevojshme për një operacion të tillë, ndërsa përdorimi i forcave të armatosura për këtë qëllim do të sillte dilema serioze ligjore dhe etike.
Ekspertët paralajmërojnë se ndërhyrja ushtarake në La Mansh mund të krijojë tensione të reja me Francën, pasi zona është nën juridiksion ndërkombëtar dhe çdo veprim do të duhej të respektonte ligjet detare.
Edhe autoritetet franceze kanë reaguar ndaj deklaratave të Farage, duke paralajmëruar se një operacion i tillë do të mund të konsiderohej shkelje e sovranitetit francez dhe e rregullave ndërkombëtare të lundrimit.
Ndërkohë, pavarësisht rritjeve të përkohshme të kalimeve me gomone gjatë javëve të fundit, të dhënat tregojnë se numri i mbërritjeve nëpërmjet La Manshit ka shënuar një rënie krahasuar me periudhat e mëparshme.
Debati për emigracionin mbetet një nga çështjet kryesore politike në Britaninë e Madhe, ndërsa deklaratat e Farage kanë rikthyer përplasjen mbi mënyrën se si duhet menaxhuar kufiri detar mes Britanisë dhe Francës.