Connect with us

Aktualitet

Fatale/ Punonjësit e Bashkisë Tropojë ranë në kontakt me rrymën elektrike, mes të lënduarve dhe 21-vjeçari

Një ngjarje tragjike është regjistruar paraditen e kësaj të marte në Tropojë, ku katër punonjës të Bashkisë kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike gjatë punimeve për vendosjen e shtyllave të ndriçimit. Si pasojë e incidentit, një prej tyre ka humbur jetën, ndërsa tre të tjerë janë plagosur rëndë dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Sipas Policisë së Tropojës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00, në afërsi të fshatit Bujan, në rrugën e Dobravës. Punonjësit e Bashkisë ndodheshin në terren për transportin, shpërndarjen dhe vendosjen fizike të disa shtyllave të ndriçimit.

Viktimë e ngjarjes ka mbetur 59-vjeçari Muhamet Sylisufaj. Ndërkohë, tre punonjësit e tjerë, Albert Dunisha, 40 vjeç, Ilir Dautaj, 47 vjeç dhe Afrim Aliaj, 21 vjeç, kanë pësuar dëmtime si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike dhe ndodhen në Spitalin e Bajram Currit për trajtim mjekësor. Për shkak të gjendjes më kritike, njëri prej të plagosurve është nisur me urgjencë drejt Tiranës.

Nga hetimet paraprake dyshohet se incidenti ka ndodhur gjatë vendosjes së një shtylle në bazament. Për shkak të peshës së saj, katër punonjësit që po e mbanin dyshohet se kanë humbur ekuilibrin, duke bërë që shtylla të prekë telat e energjisë elektrike. Kontakti me linjën elektrike dyshohet se ka përcjellë energjinë te punonjësit, duke shkaktuar pasojat tragjike.

Policia bën me dije se punonjësit po kryenin aktivitetin në bazë të planit të punës të datës 4 shtator 2026, të Bashkisë Tropojë, Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit.

Grupi hetimor ka mbërritur në vendngjarje dhe po vijon veprimet procedurale për të dokumentuar rrethanat e plota të incidentit, mënyrën e kryerjes së punimeve dhe kushtet e sigurisë në të cilat ndodheshin punonjësit në momentin e ngjarjes.

Advertisement