Connect with us

Sport

FIFA cakton gjyqtarin e finales së Botërorit 2026

Gjithçka është gati për finalen e madhe të Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës. Pak ditë para duelit që do të zhvillohet të dielën në stadiumin “MetLife” të New Jersey-t, FIFA ka zbuluar edhe emrin e arbitrit që do të vendosë drejtësinë në sfidën për trofeun më të rëndësishëm të futbollit botëror.

Për të drejtuar ndeshjen më të rëndësishme të turneut është përzgjedhur arbitri slloven Slavko Vincic, një nga emrat më me përvojë të futbollit evropian.

Asistentët e tij do të jenë bashkëkombësit Tomaz Klancnik dhe Andraz Kovacic, ndërsa arbitër i katërt është caktuar jordanezi Adham Makhadmeh.

Vincic, 46 vjeç, ka arbitruar tre ndeshje gjatë këtij Botërori. Ai ishte gjyqtar në barazimin 1-1 mes Brazilit dhe Marokut, në fitoren 2-1 të Algjerisë ndaj Jordanisë, si dhe në suksesin 2-0 të Meksikës kundër Ekuadorit.

Pikërisht në sfidën Meksikë–Ekuador, slloveni mori një vendim që bëri jehonë në futbollin botëror, duke përjashtuar mbrojtësin Piero Hincapie për mbulimin e gojës gjatë komunikimit me një kundërshtar, në zbatim të rregullores së re të FIFA-s, e njohur si “Ligji Vinicius”.

Kjo nuk është hera e parë që Vincic arbitron ndeshje të rëndësishme të Spanjës apo Argjentinës. Në Kupën e Botës 2022 në Katar, ai drejtoi sfidën ku Argjentina u befasua nga Arabia Saudite me rezultatin 2-1, ndërsa në Euro 2024 ishte arbitri i fitores 1-0 të Spanjës ndaj Italisë në fazën e grupeve.

Me një karrierë 16-vjeçare në elitën e arbitrimit ndërkombëtar, Vincic ka qenë protagonist edhe në finalet më prestigjioze të futbollit evropian për klube, duke drejtuar finalen e Champions League 2024 mes Real Madrid-it dhe Borussia Dortmund-it në “Wembley”, si edhe finalen e Europa League 2022 mes Eintracht Frankfurt dhe Rangers.

Tashmë, arbitri slloven do të ketë përgjegjësinë më të madhe të karrierës së tij, duke vendosur drejtësi në finalen e Botërorit 2026, ku Spanja dhe Argjentina do të luftojnë për trofeun më të rëndësishëm në futbollin botëror.

Advertisement