Aktualitet
FINANCIAL TIMES: PROTESTAT S’E LËKUNDIN RAMEN, OPOZITA E PABESUESHME, RRUGA DREJT BE-SE VAZHDON
Liderët evropianë diskutuan këtë javë në Bruksel për zgjerimin e Bashkimit Evropian, një proces që prej vitesh e mban Ballkanin Perëndimor në pritje të një perspektive konkrete anëtarësimi.
Në këtë kontekst, Shqipëria ka shënuar përparim në negociatat e anëtarësimit, duke mbyllur disa kapituj të procesit dhe duke iu afruar një prej etapave të rëndësishme të vlerësimit të shtetit të së drejtës, të njohur si IBAR.
Sipas një analize të publikuar nga Financial Times, protestat e fundit përbëjnë sfidën më të madhe me të cilën është përballur kryeministri Edi Rama gjatë 13 viteve në pushtet. Megjithatë, sipas Mario Bikarskit, analist i lartë në kompaninë e inteligjencës së rrezikut Verisk Maplecroft, ato nuk pritet të ndryshojnë pozitat e kryeministrit dhe as të pengojnë procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Bikarski thekson se në Shqipëri ekziston një konsensus i gjerë për përfitimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, i cili mbetet një objektiv i mirëpritur nga qytetarët. Sipas tij, kjo mbështetje mund të ndihmojë që procesi i integrimit të vijojë, pavarësisht tensioneve të brendshme politike.
Megjithatë, protestat mund ta detyrojnë qeverinë të shqyrtojë disa lëshime ndaj kërkesave të protestuesve. Një prej mundësive të përmendura nga analisti është rishikimi i planeve shumë-miliardëshe për zhvillimin e zonave bregdetare.
Duke vlerësuar qëndrueshmërinë politike të Ramës, Bikarski kujton se kryeministri ka treguar në të kaluarën aftësi për t’u përballur me sfida të ndryshme. Në të njëjtën kohë, ai vë në dukje se opozita nuk gëzon besim të mjaftueshëm mes protestuesve, çka e bën të vështirë identifikimin e një alternative bindëse ndaj qeverisë aktuale.
Kështu, sipas analizës së Financial Times, protestat mund të ushtrojnë presion mbi qeverinë dhe të nxisin debat për vendimmarrje të rëndësishme, por nuk përbëjnë domosdoshmërisht një kërcënim të drejtpërdrejtë për pozitat e Ramës apo për vazhdimësinë e rrugës evropiane të Shqipërisë.
Burimi: Financial Times