Connect with us

Aktualitet

Flakë që përhapen me shpejtësi/ Situatë e rëndë nga zjarret në rrethinat e Tiranës

Një situatë e rënduar nga zjarret është raportuar gjatë pasdites në disa zona të vendit, me vatra aktive në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër, Dibër dhe Korçë.

Në Tiranë, zjarri ka përfshirë zonën e Priskës së Madhe dhe fshatin Daias. Flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara edhe nga era, ndërsa tymi ka mbuluar një pjesë të zonës.

Në terren kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin e flakëve, ndërsa në operacion është angazhuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore. Sipas të dhënave paraprake, banesat nuk janë aktualisht të rrezikuara, pasi zjarri ka përfshirë kryesisht sipërfaqe me bimësi dhe shkurre.

Situata paraqitet më problematike në fshatin Abazë të Krujës, ku për shkak të përhapjes së flakëve dhe rrezikut për banesat është vendosur evakuimi i banorëve. Ekipet zjarrfikëse dhe helikopterët po ndërhyjnë për të frenuar përhapjen e zjarrit.

Ndërkohë, zjarri vijon prej disa ditësh edhe në zonën e Lurës në Dibër, ku janë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme. Forcat e emergjencave, së bashku me banorët e zonës, po punojnë për izolimin e vatrave dhe parandalimin e afrimit të flakëve drejt zonave të banuara.

Sipas të dhënave të raportuara deri në orën 17:00, në vend janë evidentuar 10 vatra aktive zjarri në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër, Dibër dhe Korçë. Strukturat e emergjencave vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen në zonat e prekura

Advertisement