Aktualitet
Flakët godasin sërish Shqipërinë, 330 forca në terren dhe 1 helikopter në operacione
Ministria e Mbrojtjes raporton situatën e fundit në territor. Në operacionet e shuarjes janë angazhuar 330 forca operacionale dhe 35 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur ndërhyrjet me 50 efektivë dhe një helikopter.
Një total prej 28 vatrash zjarri janë raportuar në vend gjatë 24 orëve të fundit, nga ora 09:00 e datës 26 gusht deri në orën 09:00 të 27 gushtit 2026.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 4 vatra vijojnë të jenë aktive, ndërsa 3 të tjera janë nën mbikëqyrje. Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 330 forca operacionale dhe 35 automjete zjarrfikëse.
Në mbështetje të strukturave në terren kanë qenë edhe Forcat e Armatosura, me 50 efektivë dhe një helikopter.
Dy vatra aktive në Bulqizë
Vëmendja kryesore është përqendruar në Qarkun Dibër, ku vijojnë të jenë aktive dy vatra zjarri.
Në Qafë të Helmës, në Bulqizë, operacionet vijojnë në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Në terren janë angazhuar 23 forca operacionale, ndërsa sipas autoriteteve nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.
Një tjetër vatër aktive ndodhet në Vajkal, Bulqizë, në terren shkëmbor të mbuluar me shkurre dhe dëllinja. Për shuarjen e saj janë angazhuar 32 forca, përfshirë 5 zjarrfikës, 2 punonjës të emergjencave civile dhe 25 punonjës të bashkisë.
Dy vatra aktive në Elbasan
Në Qarkun Elbasan raportohen gjithashtu dy vatra aktive.
Në Malin e Dardhës, në Librazhd, zjarri është izoluar dhe mbahet nën kontroll nga forcat në terren. Nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Malin e Qukësit, në Prrenjas, vijon puna për shuarjen e trungjeve dhe bimësisë së ulët brenda perimetrit të vatrës. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, vatra në Malin e Polisit vijon të mbahet nën mbikëqyrje, me qëllim parandalimin e riaktivizimit.
Përmirësohet situata në Dajt
Situata në Malin e Dajtit paraqitet e përmirësuar pas reshjeve të shiut të një dite më parë, të cilat ndihmuan në izolimin e vatrave.
Në operacionet e mëparshme në këtë zonë u angazhuan 38 forca operacionale vendore dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura. Zona do të vijojë të monitorohet për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm.
E izoluar është edhe vatra në Qafë-Mugë, në Fushë-Arrëz, ku po vijon monitorimi.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Forcat operacionale vijojnë të jenë në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë.